9 Shkurt, 2023 - 7:30 pm
Ndërsa përralla e famshme “E bukura dhe bisha” ka një fund të lumtur, historia e vërtetë mbi të cilën u bazua ajo ka një fund tragjik. E botuar për herë të parë në Francë si “La Belle et la Bête”, përralla e famshme për fëmijë e viteve 1740 u frymëzua pjesërisht nga jeta e pazakontë e të ashtuquajturit ‘njeriu i egër’ Petrus Gonsalvus dhe nga martesa e tij me një grua të re e të bukur të quajtur Katerina.
I lindur në Tenerife të Spanjës në vitin 1537, dhe i dhënë si dhuratë për Mbretin e Francës Henri II në vitin 1547, Pedro Gonzalez vuajti nga një gjendje e panjohur që tani njihet si hipertrikoza ose Sindroma e Ujkut, e cila bëri që fytyra dhe trupi i tij të mbuloheshin me shumë qime. Deri më sot ka pasur më pak se 50 raste të dokumentuara.
Në oborrin mbretëror të Henrit, Pedro shihej si një kuriozitet ekzotik, njësoj si xhuxhët, gjigantët dhe gaztorët. Megjithatë, pasi vlerësoi intelektin e tij, mbreti Henri vendosi që t’i ndryshonte emrin ‘bishës’ në Petrus Gonsalvus dhe ta arsimonte. Me kalimin e kohës, ai mësoi tre gjuhë, dhe detajet e sjelljes së duhur në një oborr mbretëror.
Ndërsa ka pak të dhënave arkivore mbi jetën e tij, në vitin 2021 “Revista de Historia Canaria” shkruante se bazuar në dokumentet e zbuluara së fundmi, Petrus Gonsalvus kishte arritur të integrohej mirë në jetën e oborrit. Kur mbushi të 20-at, ai ishte bërë kamerier në tryezën mbretërore.
Më pas studioi për drejtësi, u bë një tregimtar i monarkut të ri Sharlit IX, dhe nga viti 1582 nisi të jepte leksione të jurisprudencës në Universitetin e Sorbonës. Megjithatë, disa rrëfime tregojnë se pas vdekjes së Henrit, gruaja e tij e pamëshirshme Katerina de Mediçi vendosi të kryente një eksperiment për të zbuluar se çfarë lloj fëmijësh do të prodhonte njeriu i saj i egër.
Në 1570 Petrus u martua me Katerina Rafelin, vajzën e bukur të një tregtari francez. Përpara dasmës mbretëresha nuk e paralajmëroi vajzën mbi pamjen e burrit të saj të ardhshëm. Reagimi i saj mundet vetëm të imagjinohet. Megjithatë, gjatë martesës së tyre të gjatë, 4 nga 7 fëmijët e tyre lindën me hipertrikozë.
Në dallim nga fundi përrallor i filmit vizatimor të realizuar nga Disney, Pedro vazhdoi të shihej si një çudi e rrallë. Pasi u dallua në gjykatën franceze, Pedro dhe familja e tij u dërguan jashtë vendit, në mënyrë që anëtarët e familjes mbretërore të Evropës të mund t’i binin në sy. Libri “Vajzat e mrekullueshme leshatore: Motrat Gonzales dhe botët e tyre” përshkruan se si fëmijët e Gonzalez iu dhuruan fisnikëve të tjerë dhe u trajtuan si kafshë shtëpiake në oborr.
Çifti i jetoi vitet e fundit të jetës në Itali. Sipas dokumentarit të Smithsonian Channel “The Real Beauty and the Beast”, fakti që nuk ka asnjë të dhënë për vdekjen e Pedros mund të jetë për shkak se ai tragjikisht nuk u konsiderua plotësisht njerëzor dhe kështu nuk i përshtatej një varrimi tradicional të krishterë. / KultPlus.com