6 Tetor, 2020 - 11:59 pm
Shkruan Flutura Açka
Im bir është një vizitor i çuditshëm në shtëpinë time tani, edhe në ëndrrën time ku rrallë ka banuar njeri, ai zotëron të gjitha hapësirat. Të pafundme. Kthimi i tij nga banor në vizitor të trojeve të mia, e ka mprehur kujdesin tim për ajrin që lëviz, për zhurmën e hapave të tij, për tingujt e fjalëve që thotë, për çdo tik a njojmë të buzëqeshjes së tij. Ai është një gjithçka që dikur e njihja me aq imtësi , tani mund t’ia vizatoj portretin symbyllas.
Ardhja e tij nuk kërkon përgatitje, nuk ka trokitje, heqje këpucësh, nxitim për festën e mirëseradhjes, këshilla rutinë prindi për kujdes – ai ikën siç vjen.
Nuk ka ditënata, ka vetëm kohë.
Në të vërtetë nuk ikën ai, por ndërgjegjja ime e thithur prej gjumit, dhe besoj se mu në çastin e ikjes sime mendore, ai zë e përgjon fjetjen time dhe shpesh kapërcen paretin e dremitjes e më vjen në ëndrra, si ta ketë marrë malli më shumë se netëve të tjera për mua, sikur gjumi im të ketë zgjatur me tepri.
Një vizitor i përminutshëm dhe i përsekondshëm është Ai.
Koha ime është Ai.
Këto mund të jenë ndjesi të pakapshme për njerëz që nuk e njohin dramën e humbjes së fëmijës dhe besoj është e vështirë ta kuptosh një narrativë të tillë në kushte normale, të një jete në jerm si e imja dhe si e të gjithë prindërve, të cilët në çastin fatal kthehen në jetimët e fëmijëve të tyre./ KultPlus.com