20 Maj, 2019 - 2:04 pm
Dy herë më ka ndodh
Ky rrëfim është nxjerrë nga libri “Unë dua të dëgjohem: Libër kujtimi me rrëfimet e grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë”
Ajo e ka përjetuar dy herë dhunën seksuale brenda disa javësh. Ende lufton me pranimin nga familjarët. Djali i vogël, ish-ushtar i UÇK-së e ka vëzhguar nga larg se si gratë janë futur në shtëpinë ku është bërë dhunimi. E ka parë edhe nënën e tij. Nuk e mbështet. Përkundrazi e gjykon ende për këtë tragjedi. E torturon me pyetjen pse hyre në atë shpi?!
Rrëfimi në veten e parë: Ata lahpera s’mujshe me i dallu
E.T
Prej nanës jem kanë, vetë e treta jom kanë. Unë jom kanë e madhja edhe dy vllazën. Vllaznit kanë vdekë, unë kom mbet. Jam rritë si vajzë e vetme deri n’gjashtë vjeç. Në moshën gjashtë vjeçare baba u nda me nanën… edhe u martu.
U ndanë për shkak t’fëmive. S’ju rritshin fëmija nanës. Për tjetër sen jo. E u martu baba e e murrë nji gru. Ajo tani e gjet djalin për ni mujë. Apet mas nji viti, apet tjetër. Kemi jetu bashkë me njerkën, por unë e kisha, qysh me thanë, nji ndjenjë që s’e kisha nanë. Kurrë s’e kom pa ma nanën. Ajo u martu edhe ma s’e kom pa. S’kena pasë kontakt dej sa jom martu une, hiç.
E kam kry klasën e parë veç. Nja gjashtë muaj. Ma ndërprejti baba me ia kqyrë fëminë me ia rritë. Kush m’u kujdesë për fëmi t’saj? Për çdo vjet e gjajke ka nji djalë. E tash u dashke mandej m’u kujdesë për fëmitë e saj.
Me dalë pak me shoqe n’oborr, njerka i thojke babës, “Çika jote s’ëm ka ngu” pritsha që n’mramje m’rrehke baba, “Pse mi ke lanë fëmitë vetun?”. U rrita kishe pak, 12 vjeçare m’fejoi. Vetë baba, vet m’ka feju qaty. Se une s’kom ditë kurrgjo, sikur tash që vetë vajza del e sheh, e flet e… Jo, jo, n’atë kohë unë s’e kom pa hiç. Baba bashkë ish kanë ushtar me ta. Gjeneratë e babës tem. Qashtu, burri jem gjeneratë me babën tem. Njëzet vjet martesë i kish pasë me gru t’parë. Grun gjallë e ka pasë po s’ju rritshin fëmija as asajna, e për shkak t’fmijëve tani ka thanë hajde nji çikë t’re… Unë fëmi. Po ai ish i knaqun me fëmi. Tha ai “Prej fëmije del diçka se prej plake s’del kurrgjo”. As s’e kom ditë çka o fejesa e çka o martesa. Dej ma erdh koha, kishe erdh ai mu me m’lypë me thanë “Dojna me nda vade, dojna me e marrë robin se osh’ ka hjek robi këtu te ti. Ti shumë fëmi, kjo s’po bohet rahat…”. Burri edhe ortakja. Edhe janë ardhë, e kanë nda vaden. Dy javë m’kanë… qashtu m’kan lanë qysh thonë “Nër unazë” edhe teshat m’i prunë. Dy sanaka, qashtu do far sanakash t’drunit. Kur u bonë dy javë me ardhë tani me m’marrë. Aty tani t’u knu çikat. Kur erdhën ato që i thojshin “jangjia” ato, tu i shajtë…”Bismilah e kamën n’qilim kur u çojshe gjytyrym”, e diqysh do fjalë ju lshojshin këtu. Për shembull, këto kushërinat e mia, me def e qysh o kanë adeti at’here me i shajtë ato… Unë s’disha kurrgjo. M’i gjetën do kanë. M’i bojshin do shoqe do adete qashtu. Po s’nisha kënaqësi kurgjo… Kur erdha kha, me defa e dajre na dulën përpara. Tu knu… Kish pasë krushqi, kish pasë. Po at’herë Ramazan ish ajo kohë. Do me Ramazan ishin, do qashtu. Me hoxhë ktyneherë. Tani ish aty zakoni me t’kapë kunati qashtu e me t’shti n’sobë. Kap, qeshtu m’kapi edhe m’shtini n’sobë… N’grykë, se fëmi i vogël. M’kapi. Unë isha e re. Gati 40 vjeçar u kanë ai, a ma shumë a. Unë 12 vjeçare e ai 40, burri, a 42. Njizet vite martesë me gru t’parë. E tani ai kur erdh n’sobë qashtu, po unë isha shumë e re. Ja nisi, po ma hjek duvakin e dorëzat. E qashtu tu u mërzitë e tu kajtë. Ai m’thojke, “Çka po kanë se ki me bo sefa, e ki mu knaqë”, po ashtu diqysh, “Kom me t’çu te nana. Ki me e pa nanën. Mos u mërzit ti hiç. Ka me ardhë nana te ti”. E qeshtu kësi far fjalësh. Tani mandej, “Hajde po bina!”, “Hajde dathëm…”. Shtrat i drunit. Qashtu si i ktynehershit. “Hajde dathmi çorapat. Lami kamtë!” uh, ma boni burri. Diqysh une s’isha msu kurrë. Menxi ia lava kamtë aty me njifar legeni, njifar tazi qashtu. E tash, “Hajde bonëm gati! Deshëm me ra”. Une s’mujsha, m’vike keq mu deshë. “Hajde hajde se tash ti je e jemja, une jam i yti. Ma s’kem na ndamë na dy kurgjo” (psherëtinë). M’kujtohet ajo natë si sot. U desha, rashë. Ia nisi me m’dashtë, me m’përkdhelë, e qashtu diqysh. Po unë shumë, shumë diqysh dojsha m`u tranu. Veç kajsha unë me za, jo kështu. Kajsha me za sa t’mujsha. E aty m’tha, “Mos kaj!” “Qysh mos me kajtë? Ku jom ardhë unë këtu?” “Ani ki me bo sefa, ki m’u knaqë”. Thashë, “Jo s’kom m`u knaqë kurrë!” Tani kur ja ka nisë marrëdhania qashtu diqysh, me fëmi me pasë marrëdhanie që ja nisi. Ma prishi virgjinitetin. M’erdhën masanej menstrunacionet. Unë tani kur e pashë gjakun unë edhe ma zi u tranova. “Ah mirë se shumë mirë. Shumë mirë”. Thashë, “Po çfarë miri kqyre m’prishe krejt. Nji fëmi me e prishë ti”. Ai “Jo, jo, jo, shumë mirë osht kjo punë”. Edhe ma tani qashtu. Tri vjet ma s’kom pa kurgjo hiç menstracione. Kur i kom bo 15 vjet, masi që i bona , m’erdhën. E thojshin, “Met nusja me bark, met, met, met, met!” Thojsha, “Çka? Barkun e kam. Qysh bark?” Unë isha fëmi për veti, nuk e dijsha çka o barki. “Qysh more, unë barkun e kam!” E qashtu diqysh. Njifar, s’di qysh me t’thanë. Jo burri shumë m’ka dashtë, ortakja, s’ja hupi. Ata për mu janë kanë shumë t’mirë. Mandej mbeta shtatzanë. Isha e lumtun, por u tutsha, thojsha mos pe abortoj apo diçka. Shumë diqysh, kisha strese kisha. Tash dy djem i kam.
Burri m’ka thanë, “Ja, po m’vjen shumë keq prej teje. N’vend me t’marrë për djalë t’kom marr për veti. Sikur me evlad tem po m’duket po çka me bo”. Thash, “Jo masi m’ka dhanë baba, çka me bo! O duftë qashtu m’u pajtu me ty”. Me ortakën shumë mirë kom kalu. Ajo ka gatu për mu, e ka hjekë plehin për mu, ajo o kujdesë për mu sikur me e pasë unë nanë ata e jo ortake. Shumë, shumë, shumë u kujdesë ajo për mu. Edhe kom pasë raporte t’mira me ta shumë.
Tai vdiç burri. Edhe që o kanë i vjetër shumë jom kanë e knaqme. Ku i kom thanë… m’ka çu n’Brezovicë. Kena nejt, jena knaqë. Ortakja fëminë m’i ka kqyr n’shpi, unë me burrë kom shku atje. Jom kënaq. Kom shku n’Matarushka banjë, ky me shokë t’vet, ata me gra, ky me gru, shkojshim u knaqshim. Edhe dy vite ngjitë kemi shku n’Matarushka banjë. Masanej që m’u ka nda nana, m’ka ardhë nana, ma s’pari.
Ka ndëgju nana që jam martu. Se tezën e kom pasë t’martume për mixhë tem, tezën teme. E tani i shkojshin lajmet nanës, si për t’mirë si për t’keq. I ka tregu ajo masanej, mas pesë–gjashtë mujve m’ka ardhë nana. Që i kom bo pesë-gjashtë muaj martesë m’ka ardhë nana.
Kurrë se kam taku. Ajo ka shku te ata t’burrit, unë isha te t’mitë, ajo s’ëm ka gjetë e u kthy. Madnej burri me qoj te nana aty ku ish martu. E ja nisa me shku te nana. U knaqsha, kah nji javë shkojsha me nejt. Ajo nuk kish pas fëmi atje. I kish pas thanë atij burrit e kom lanë një çikë e s’du me ba ma fëmi. Fëmitë e atij burrit e kanë dashtë nanën. Edhe mu më pritshin si motër.
Fëmijtë e mi m’kanë dashtë, m’kanë përkrah fëmija. Shumë m’kanë dashtë. Po ma shumë ma kanë dashtë ortaken. Shumë. Se ajo tash i kish t’vet jashtë, kish pare e fëmija si klyshi e qashtu diqysh u… mas sajna. Ja dhajke, at’herë me dinar, ja dhajke pesë dinarë e dhetë dinarë a 20 dinarë a…
Djali e ka gjetë vetë nusen, i madhi. E ka gjetë vet. Qeshtu o kanë n’shkollë e nji shok i ka thanë, “Qeshtu e kam nji kojshike, hajde kqyre”. E morëm. Kishim lek e kishim pasuni. E rregullumë nusen, me dalë… Dasëm e madhe.
E kom marr nanën teme me jetu me mu se s’ka pasë djalë, burri i ka vdekë. E kështu që s’kish ku me nejt. Shpijën n’Vushtrri ja prishën shkijet, e djali i tezës e merr e e çon te dajtë nanën teme. Po m’thot djali i madh “Shko nanë se gjyshja te dajtë e tu!”. Shkumë e murrëm e e prunëm n’shpi. Tash une me nanën jetojmë me nji shpi qaty. Nuset jetojnë me nji shpi vetun, une jetoj me nanën teme n’tjetrën shpi. Para luftës mu m`kujtohet se erdhën shkijet me e hallakatë burrin, me ja marrë armët. Na bastisën. Dy i kishmi me leje. Edhe i lypshin do armë. Burri s’ja dha. Me leje janë, pse me jau dhanë! Nuk ja dha.
Burri vdiç para lufte. Prej tenisoni, n’demonstrata e patën rrehë shkijet. Qat’here, tani u smu e villke gjak prej tyne. E masanej vdiç.
Djali i vogël shkoi ushtar. Ushtar i UÇK-së. Ushtar u kanë. Kur ka fillu lufta, tri ditë me nji ven s’na kanë lanë. Hajde qeknej, hajde qanej, hajde qeknej…
Jam kanë me nuse, me gra t’kojshive, me t’kunetve. Na ishim aty plot. Edhe, na ishim n’traktor me t’kunetve… tani na marrin traktorin n’kamë na, hajt ec. Edhe nusja e kish nji kufer, thash hajt t’ja marr qat kufer. O sa t’na qitshin deri qaty, ja shtishin flakën. I kallshin. Na grahi qashtu, ushtarë knej, ushtarë knej. Tenkat përmas na vishin. Na n’mes.
Na çunë me nji shkollë. Kur na çunë aty nji natë, pleq e plaka e fëmi i kapshin i gjujshin n’oborr, neve na shtishin mrena, thika qekaq. Pleq e plaka jashtë. Edhe fëmitë. Çka ka mujt me ndodh? Ka mujt me ndodh qajo që osht ma e keqja. Dhunë seksuale. Qashtu ka qenë, qajo ma e keqja që o kanë.
N’10 ora kanë ardhë. Na vetë ishim mrena. Nuk kishim… a kah ora 10 janë hi. As s’kish drita, as kurrgjo. Terr, burg, s’shifshim kurrgjo. Edhe qashtu. Kah nji orë a dy ka zgjatë, janë dalë. Masi na ndajtën, e dishim se diçka ka me na ndodh. Na ndajtën, pleq, plaka e fëmijë i lanë jashtë. Kush ish ma e re… i shtyshin nuset e reja, e qashtu çika t’reja krejt.
Si n’mes. Si n’mes isha. Përafërsisht nja ka qenë për mu. A nji orë, nji orë e gjysë, ma shumë s’ka zgjatë.
Ata menojshin që shkollën ka me bombardu NATO. Hishin shpejt. U ngutshin. Thojshin, “Shpejt e shpejt me e kry këtë punë e me dalë se do me bombardu.” E krynë punë, tani deri nesër n’mengjes. Ma përplasën valla kryet. Hala m’dhem qysh na përplasën për banjë, qysh na krisi kryet. Na qaty i shihshim krejt. Bërtit, tranohu. Tash për shembull ata krejt njejtë ata laperash s’mujshe me i dallu. Njëjtë. Ju erdh lajmi qashtu, NATO-ja po don me e bombardu shkollën. Edhe ata kryen punë me ikë ma shpejt e me dalë. Për neve s’ishin ngushtë, na lanë qaty. Edhe deri t’nestrit kena nejt qaty. Kah nantë a dhetë ora na kanë lshu prej atyhit.
Tanë natën tu e kajtë njana tjetrën, “Qysh na ndodhi!”, “Çka u bo me neve!”, e qeshtu qiso fjalësh. Kish fjalë boll aty. Ajo ortakja o kanë jashtë te dera. Tha, “Krejt ju kom ni çka keni bo, çfarë piskame keni bo”. Edhe ajo e ka ditë krejt çka u bo me neve. Tha, “Krejt ju kena ni, krejt, çfarë piskamash keni bo ju. Kha, unë kajsha, kha mozomakeq .” E qeshtu.
E nisha vetën mozomakeq. Tani t’nestrit na lshunë… Tani as kamtë s’ja kena pa. Na lshunë kolonë. Nja dy net kena shku kena nejt n’njifar veni, njifar katuni. “Hajde shkojna te shpija!” Kur shkumë atje te shpia, po gjujnë me pluma ata, se na shifshin. Ata n’kodër na shifshin. E tani hymë n’shpi t’kunatit atje. Kur jena hi n’shpi t’kunatit aty u tubumë. S’kish gja knej, shkretina. Krejt shpiat e kallta të krejtve. Veç mozomakeq. Mas nji kohe po vijnë po thojnë, “A o kush mrena? Le t’del se ma këtu se lajna kurrkan. Krejt t’kallun janë” Edhe une me fol s’kom guxu kurrë. S’kom fol me ta hiç, hiç, hiç. Hiç s’kom fol se thojsha se si t’hish n’fjalë me ta del fjalë. E me fol s’folsha. Shkova. Ata u tubunë aty edhe nji kolonë shumë e vogël u tubumë. Bukët i kisha n’furrë hanez, shkova i hjeka bukët. Aty i shtina bukët me nji thes edhe i qita n’shpinë. E do gra po m’thojnë, “Qyqja, çka po t’vynë ato bukë. Gjuj se kanë me na vra.” Thash, “Të m’vrafshin, me bukë le të m’vrajnë”. Edhe po nisëm qashtu. Po thojnë, “Hajde, jeni tubu krejt?” edhe po nisëm. Kish burra, kish miq, kish t’katunit.
Me nji vend po i nalin burrat. Po i nalin e ja u qitën duart qeshtu përmas. Edhe i vrajtën mashkujt. Qashtu, kah shkojshin kallshin shpija me armë. Si i gjujshin, i kallshin shpijat. Kta knej, kta anej… Na u çuditshim, me armë që kallet shipja. Unë s`di çka ishin ato. Armë me zjerrm. Si gjujshin, u kallshin shpijat. Çeremidet na rrokshin mi krye. Qashtu. Edhe hajde tash me ec. Burrat i vrajtën. Ja fillunë fëmija që i shifshin baballarët tu kajtë. Fëmija kajshin, thojsha, “Jo, jo, si kanë vra” e na ishim ma përmas, e dikush ma përpara veç dikush se shihke. Ata që i vrajtën burrat ma nuk i pamë, veç na çunë dej me nji fshat. Ma nuk i pamë. Ikën, u kthynë, u zhdukën ata. Veç na çunë aty. Kur t’na çunë aty te ai fshat, tash dulën policët me uniforma, “Hajde se këtu doktorri ka me ju kontrollu”. Po çfarë, s’kish kontrollë e s’kish kurrgjo. Veç me na shti n’shpi me na lanë qaty.
Neve na lanë n’oborr deri n’mbramje aty. Nuk na lshojshin me ec kurrkah kolonën. Deri n’mramje ishim qaty. N’mramje na kanë shti, “Ti kha! Ti, kha! Ti, kha!”. I shtishin nuset e reja, çikat e reja mrena. Edhe qashtu…
Ish aty, kish dhoma, tri katër dhoma ishin. Shpi dykatëshe. Edhe qashtu na shtishin krejtve. “Ti! Ti! Ti!” krejt me gisht. Maskë n’ftyrë, policë. E sa ish me maskë se njifsha. Ama kur hini aty tjetërkush, ai polici me na njoft neve na ka njoftë shumë mirë. U kanë i katunit tonë. I komunës tonë ish ai edhe na ka njoftë neve. Edhe na shtini qaty. Kur na shtini qaty ja boni tjetrit, “Kape!”, ai kap e ja hjek.”Ha, a po tutësh prej grave a?”, tha, “Po çka kanë me bo?”. Tha “A po tutesh prej tyne a?” M’fal n’shprehje, tha, “Këto gra shqiptare ishin t’mira me ta hangër.” Edhe ma thashë, “Ti koke a? A ti je qaj që je ardhë nëpër katune e na ki marrë armët? Ti koke që erdhët këtu e na prutë a?” Tha, “Veç për inati t’burrit tand kom ardhë qetu.” Edhe e di që qaj i pari o kanë. E mi shkynë teshat, përgjatë m’prejtën. Tu bërtitë e tu piskatë une isha. Bërtit, piskat… edhe tani tjerët. Erdhën tjerët, paramilitarë e qesi. Me flokët e gata, t’palajt, veshën e zi, se n’shpirt ish me rrajë. Shpirti me rraj ish… Çka kena hjek na, kuku. Tri ditë me nji vend s’na lajshin, na qanej, na qanej, na qanej. Veç ajo që ke dhunë seksuale ish kanë ma vdekje. Ma mirë se t’ish bo masakër, a t’na kishin pre krytë, a nji kamë, a nji dorë a, t’ishim met kretj invalida se çekjo që na ka ndodh neve. Shumë, shumë keq. Shumë. Njeri me burrë t’vet edhe diqysh…
Diku ma qashtu bërtit, piskat, bërtit, piskat edhe do shprica t’bardhë, kështu që, shprica a qysh i thojnë. Edhe ata ishin kanë me qasi na dhanë me na qetësu. Diçka bardhë kish pasë n’ta. Na jepshin qashtu me i pi edhe ma deri n’sabah na s’kena ditë kurrgjo. Ma hiç. N’sabah kur jom çu, gjaku, gjaku m’shkojke vi. Krejt me e pa barkin k’sajde, a ma kishin shpërthy me thikë a, krejt, krejt, krejt rend. Çka m’kanë bo s`di.
E zhveshme krejt, po. Ama gjaku qashtu s’mu nalke hiç, qashtu me gjak. Ish nji shoqe, mi dha do kule. E qashtu tu ecë e tu ecë, kur u nalshim t’nesrit, qi t’shkunë, kur u nalshin përpara me e kqyr kolonën. Dikush famljën e vet e dikush… Dy herë m’ka ndodh, po, dy herë ka ndodh. Tash s`di ma’, veq shpirti jem. Veç shpirti me rraj s’po dilke kollaj.
Kur u kry lufta krejt e kuptumë se erdhën këta t’NATO-s.
Erdhën e na menojshim që shkie. Erdhën edhe ata me tenka, erdhën me kamiona me flamura. Edhe tani ma u shlirumë. Ju kish ardhë lajmi burrav, “U shliru! U shliru! U shliru”. Kta shkijet ikshin sa mujshin. Tu knu, tu ikë. Shkojshin qenat. Çojshin gishta, shajshin, bërtitshin. Qashtu. Qashtu kjo jetë.
Ish gëzim, gëzim e idhnim për mu ish boll. Për shembull, djali i vogël na kish pa që na kanë shti n’atë shpi e po thotë, “Pse pranojshe me hi qaty? Pse hishit?”. Djali ushtar. Ushtarë me ushtarë na kanë pa. Na kanë përcjell nëpër male. Edhe, “Për çka ti ki pranu me hi n’atë shpi?” “O djalë, unë menjen e kisha që ko me u vra ose mu bo masakër krejt. Ose me ma hjek kamë a dorë a me m’lanë t’paaftë. Po ata s’ëm lanë t’paaftë por kishin qef me i kry dëshirat e veta, me na i bo qëto t’pahijeshme. Po na dhununë. Na keqtrajtunë.”
Une shumë, shumë jom kanë me ta keq. Me qetë ushtarin. Shumë jom kanë keq. S’ëm ka përkrah hiç. Ama ky i madhi, masi e kish gruan edhe vet, ai ndryshe. Nusja qashtu u kanë. Ai s’kish ma çka me bo, çka me thanë. Edhe qeshtu.
U kanë me ushtarë. Gja s’ka guxu me bo. Janë met qaty n’mal tu kqyr. Se thojshin, “Na mujshim me i vra!” “Po, po, mujshit me i vra! Po s’keni mujt valla se këta armatim t’madh e ju me çka? Me nji armë n’dorë.” Veç çka janë shku e jon strehu nëpër male, kanë kqyr. Qeshtu.
Masi hyni NATO tani vazhdumë rrugën me shku n’shpi, qaty n’oborr me nejt. S’kishim çka me bo. Fshi varaki, na kish hi varaki përmi. Qaty rrishëm, skame, ishim diqysh…
Nji organizatë erdh e na pruni nji shator. I vogël ish boll po qaty. Fëmija bile thojshin le t’hynë mu strehu. Çka me bo. Se keq boll, kena hjek boll.
N`spital isha me nji shoqe gjakovare. Ajo e kish pasë çikën deputete. Edhe po m’thot ajo, pe viziton nanën e vet edhe thotë, “Qe bre loke, qekjo shoqe ish e Drenicës ”. Po i thotë çikës t’vet. Edhe po thotë, “Qysh keni kalu?” e po më vet krejt ajo.
Mu po m’shkojnë lot për ftyre. Tha, “Le allahile, veç me kajt mos kaj!” Tha, “Po i di krejt. A je lajmëru ku a najsen?” Thashë, “Për çka?” Qeshtu – qeshtu tha,”Qe e ki punën tha, kallxom ti mu shlirë e kom me shku.” Thashë, “Vallahi po t’kallxoj si motrës teme, qeshtu na ka ndodh. Po m`u lajmëru kurrku s’kom guxu, m`u lajmru. Ajo ma dha adresën për te organizata. Mos t’ish kanë qekjo organizatë, m’duket s’isha sot. Une kom tentu m`u vjerrë. Kom tentu 100 forma me e mytë vetën. M’ka gjetë kunati tu u vjerrë. Po s’kom dashtë me jetu. Nji shoqe e jemja o mytë n’bunar. Qashtu me nji vend jena kanë. Ajo o mytë n’bunar. Qaq keq e shihshim vetën që ma u munojshim me e zhdukë vetën. Ma thojshim mos t’jetojna ma as nji minut. Po m’nxuni kunati. M’nxuni, me litar në dorë isha, me nji karrikë t’keqe. Thashë te qes me nji lis edhe e shtyj karrikën me kamë edhe kurtalisna. Po isha kanë me ymër edhe pshtova prap. Se unë isha ma e kënaqt’ e mytne sesa qeshtu që jom met gjallë e për gazep tash.
Mas lufte ma shumë t’këqija se t’mira. Se qeshtu, djali i vogël s’ëm përkrahke. Edhe sot kam problem me ta. O martu, ka famlije edhe qashtu.
Ky djali tjetër e din edhe ai, e kupton edhe ai. Kurrkush me dëshirë s’ka pas qef. E vetmja unë s’isha, po aty ishim… kish gra, kish shumë edhe vajza. Po aty. Ti prejshin gishtat. Nji vazje ja prejtën gishtat, 14 vjeçare ose 15, si kish ma shumë, ja prejtën gishtat. Ajo tu munu me e mbrojt vetën ja ka kap thikën, e ata tu e ngreh thikën, se nashta s’ja kishin pre, po tu ja ngreh thikën. Ajo çikë pa gishta, katër gishta. E ma se kom pa. Nuk e di a o shku a çka u bo me ta. Ma s’kom ditë kurrgjo.
Me ortakën kom pas mundësi me fol se ajo e ka ditë. E ka ditë ajo se na kanë shti mrena, na kanë mshel derën edhe na t`u bërtitë e t`u piskatë. Edhe nji motër e burrit edhe ajo m’ka ni. Tha “Bërtima që ju ka shku ju…”, bile qetash nji ditë, “Britma që ju ka shku juve.” Thashë, “Po na prejshin me thikë dojshin me na bo masakër.” Po tybe e dike ajo shumë mirë. E ka ditë shumë mirë po s’kish… Erdh nejti e tha, “qeshtu ma boni” . A thashë, “Jo kurrgjo veç”… S’kom pasë nevojë une me tregu për kurrkan. Gjithkush i ka ditë ato punët e veta, senet e veta. Gjithkush ka pasë atë stresin e vet, ato ndjenjat e veta. Kështu që… Krejt mu duke po vijnë mbrapa. Krejt dilishin para ftyre. Krejt mu paraftyrojshin. Krejt sikur n’kino qysh shkon m’dilishin si fotografi. Krejt. Unë gjumë n’sy s’shtisha. E n’organizatë që shkojsha, m’dhajshin hapa, m’dhajshin qetësim.
Me nanën si me nanë. Tanë natën rrisha çutë, lypke, “Çka ki që s’po flen? Çka ki loke kështu?” Tash çka me bo. U dufke nanës me i kallxu çka ka ndodh. Kur i kom kallxu ajo osht ra për toke, nana. I tregova. I ka ra t’fikët. “A loke, qysh s’ëm ki kallxu deri sot?” Thash, “A po t’kallxoj mirë a?” Ajo tani m’ka dalë mu. Tanë natën m’shifke që s’po flej kurrë. E dhezsha dritën, qaty rrisha. Nji tranzistor qaty t’vogël e ngojsha, se ma ka pasë dhanë NATO-ja atë tranzistor. Po ma ka pa dhanë me e ngu. O kan shumë i mirë, veç e sillshe edhe kangë çfarë t’dushë.
Kisha thanë me na përkrah dikush. Jena met qysh jena met. Me pas përkrahje prej dikuj, prej shoqnive ose prej t’mdhejve. Me na përkrah. Na jena met. I kishim lyp t’drejtat tona që na takojnë. Na tjetër sen s’kishim lyp. T’drejtat tona. Çka na ka ndodh, çka o kanë.
Fuqizuar nga: Integra dhe forumZFD
Në bashkëpunim me: KRCT
Mbështetur nga: RBF, MOTT, BMZ dhe UN Women. /KultPlus.com