24 Maj, 2020 - 9:30 pm
Nga: Visar Zhiti
Nga vuajtjet dhe persekutimet, nga drama e tyre e përbashkët, të nxjerrësh poezinë, se burgjet edhe harrohen, shkatërrohen, edhe teatrot shëmben, por drama mbetet dhe katedralja e poezisë është më e parrëzueshmja se të gjitha,
Duke parë gërmadhat e Teatrit Kombëtar sot, në kohën e pandemisë së “Covid-19”, kujtoj pandeminë ideologjike, “Comunism 45-91”, mbylljet, jo nëpër shtëpira me familjarët e dashur, por në burgje të rënda dhe të egra, ku kanë vdekur dhe aktorë, regjisorë, vepra të ndaluara, tragjediani themeltar, parësori, Et’hem Haxhiademi, etj. Ndërsa vetë burgjet, ato të kënetave, të aeroportit, të themeleve, stadiumeve etj, as që nuk kanë një memorial dhe të fundmit, Spaçi e Qafa e Barit tashmë janë shkatërruar. Telat me gjëmba i morën banorët përreth për të thurur kopshtet vetiake, një metaforë e bukur kjo, u shkulën gurë e dyer e pragje, por dhe kujtesa kolektive.
Dy revoltat e mëdha të të burgosurve në burgjet e Spaçit dhe të Qafë-Barit, të vetmet kryengritje politike në të gjithë burgjet e perandorisë komuniste, përkujtohen vetëm nga shoqatat e ish të burgosurve apo nga Istituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit, kur veprimtaritë për to duhej të ishin shtetërore, duhej të kishte konferenca, ekspozita, botime të reja, shfaqje teatrore, homazhe për të rënët dhe njëri burg, të paktën, duhej të ishte muze, siç ka bërë bota e qytetëruar, Polonia, psh.
Muzeumet e tanishme, BunArt 1 dhe BunkArt 2, Shtëpia me Gjethe, Vila e diktatorit Enver Hoxha apo ndonjë tjetër, dëshmojnë diktaturës, forcën e saj, ku nuk mungon një si adhurimi i fshehtë, do të thosha, por ende nuk kemi muzeume të qendrës kundër diktaturës, duke filluar qoftë dhe një apartament të ngushtë, psh, ku dëgjoheshin fshehurazi “Zëri i Amerikës”, RAI, Vatikani, edhe “Radio Prishtina” në Veri. Jo më pastaj madhështia infernale e burgjeve. Gërmadhat e shtëpisë së At Gjergj Fishtës janë një akuzë kundër mashtrimit postdiktatorial apo shtëpia e Musine Kokalarit në Tiranë, ku e arrestuan, shkrimtare dhe e para para grua opozitare në Europën Lindore, pas Luftë…
Jetojmë në një teatër shëmbjesh, ku harresa ka thirrur në duel kujtesën dhe befas u bie mbi kokë e gjithë skena. Dramat janë nëpër rrugë.
Megjithatë kujtesa krijon të çara dhe fut ujin e vet në Titanikun e harresës, që do të mbytet gjithsesi.
Mjafton dhe një poezi për të çarën e ferrit. Një poezi është më e fortë se prangat, se telat me gjëmba, se karakollet e përbindhme të rojave të burgut, se komanda, se dënimet dhe tmerri, në fund të fundit dhe diktaturat bien dhe mbetet poezia e njeriut. S’e kam fjalën vetëm për poezinë e shkruar, por dhe të pashkruarën, që mërmëritet, që është bisedë njerëzore, çast buzëqeshjeje, vetë buzëqshja, që është miqësi burrash në ferr, besë, dashuri.
Ne nxorëm poezi nga burgjet. Ca copa letrash të trishta, të grisura, bërë pis nga duart që punonin si skllevër nëpër minierat e zeza, shtynin vagona si të ishin arkivolet e tyre, po ato copa letrash sfidojnë gjithë socrealizmin e bujshëm, raftet e tij që nga Komiteti Qendror e deri dhe në postat e humbura kufitare.
Në burg, kujtoj flitej për poezitë e atij që kishte qenë në burg dhe më pas u arratis, shkoi në SHBA, Prof. Arshi Pipa. E kam parë për një çast librin e tij, kur e sollën në Bibliotekën Kombëtare, u ndodha aty, – më tregonte në burg miku im, artisti Maks Velo, – s’ma lanë as ta prek me dorë, jo më ta shfletoja, qoft:e dhe për një poezi. Ishte një libër me kapakë gri, vazhdonte të tregonte Maksi, i botuar në Itali, në Romë në 1959 dhe u fut drejt e në fondin e zi të Biblioteksës. Gri në të zezë ishte dhe vet:e koha.
Dhe unë shkruaja fshehurazi poezi në burg. Nuk jam i vetëm… M’i ruanin dhe shokët e paktë atje. Ç’mrekulli që nuk më tradhtoi asnjëri, që janë gjallë, se edhe poezitë vriten, nuk m’i zbuloi dot kthetra e shefit të policisë së burgut në asnjë kontroll të çmendur, e ato, poezitë dolën, u liruan para meje, e kam treguar në burgologjitë e mia “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, ca fletore të zbehta janë, të mjera që dëshmojnë… poezinë e qendresës së përditëshme, njeriun në humnerë. Familjarët e mi i fshehën nën tokë. Mbase ia dhuroj ndonjë muzeu. Janë autentike, të rralla… Eështë revolta jonë e pambarimtë.
Poezitë tona kanë dramë tjetër, në teatro të tjerë të shkatërruar.
Pastaj pashë në shtëpinë e Prof. Arshi Pipës në Uashington poezitë e burgut të tij në kënetën e Maliqit, të shkruara imët mbi fletë të holla cigaresh, të gjitha ishin sa një kuti shkrepseje, më dhuroi dhe librin me autograf. Ato sonete ishin ferri dantesk i poezisë shqipe, thashë, kur botuam disa sa u lejua shtypi i parë opozitar në fillim të viteve ’90, shekullin e kaluar natyrisht. Dhe sa shumë harrohet kujtesa.
Pjesën më të madhe të poezive, të poezive të mia të burgut, e kam botuar, edhe janë përkthyer në italisht, anglisht, rumanisht, frengjisht, gjermanisht, në të gjitha gjuhët sllave të Ballkanit, në hebraisht, madje edhe kinezçe disa, janë bërë dhe k:eng;e në Itali nja dy, etj, etj, por desha të thosha se kjo është hakmarrja jonë, poezia. Fola për pjesën time, për aq sa munda, thjesht;e është jona, sa për të dhënë ca shpresë.
Le të shkatërrohen burgjet, le të shëmben teatro, të rinj do të ngrihen, kujtesa do të mbetet, është poezia e tyre, jo vetem në vargje, drama e romane, memuaristikë, gjithsesi poezi jete, ja ashtu e tretur me ajrin, si ajri, futet në krahërorët njerëzore dhe do të ruhen aty sa të jetë njeriu. Herë pas here do t’i shfletojë… /KultPlus.com