9 Janar, 2024 - 7:30 pm
Muhamed Ali Pasha me autor Halid Fehmi në përkthim të Ejup Ramadanit.
Për themeluesin e Egjiptit modern Mehmet Ali Pasha janë shkruar aq shumë libra nga autorë të ndryshëm; janë publikuar shumë biografi ku cilësohen aftësitë e njërit nga personalitetet autoritarë të shekullit nëntëmbëdhjetë. Shqiptari (me prejardhje nga Korça, por që u rrit (pas vdekjes së babait) në Kavallën e Greqisë së sotme, ka një biografi jashtëzakonisht interesante meqë e bart barrën e themeluesit të Egjiptit të ri të cilin e themeloi më 1805. Në të vërtetë Egjipti në vitin 1798 ishte i pushtuar nga forcat franceze të udhëhequr nga Bonaparta dhe, aso kohe, Egjipti që ishte nën Perandorinë Osmane kishte gjysmë autonomie. Sulltani e dërgon Mehmet Aliun me treqind ushtarë shqiptarë për t’iu kundërvënë francezëve dhe, me ato forca, arrin me sukses çlirimin e Egjiptit dhe menjëherë aplikon reforma të cilat do t’i ndihmojnë themelimin e Egjiptit modern.
Në librin e Halid Fehmi, të përkthyer nga Ejup Ramadani i cili ka përkthyer edhe disa vepra të tjera nga arabishtja, në mesin e tyre edhe “Rrëfimin e një nate” të nobelistit Nerxhip Mahfuz, ofrohen të dhëna interesante të ngjarjeve që kanë ndikuar në formimin e shtetit të ri të pavarur të Egjiptit, e që ndërkohë do të formojë edhe shtetin e Sudanit.
Në këtë libër të pasur me të dhëna dokumentare për kohën e sundimit të Mehmet Ali Pashës dhe pasardhësve të tij, ofrohen të dhëna mbi reformat në të gjitha fushat e jetës, sidomos në fushën ushtarake, ekonomike dhe kulturore; ndërtoi fabrika, sisteme moderne të ujitjes, ndërtoi qytete të reja, qendra tregtare, shkolla, universitete, e tj.
Libri i autorit, Halid Fahmi, i përkthyer në nivel të shkëlqyer nga z. Ejup Ramadani, i cili po ashtu i ka kryer studimet akademike në Kairo, në Universitetin “Al-Azhar”, i ofron lexuesit shqiptar të dhëna të mjaftuara nga autorë dhe burime të shumta historike, si dhe një biografi të detajuar për jetën dhe veprimtarinë e Pashait shqiptar në Egjipt, Mehmet Aliut, dinastia e të cilit nga djali i tij, Ibrahimi dhe pasardhësit tjerë do ta sundojnë Egjiptin për afër 150 vite, deri në vitin 1952, kur mbreti shqiptar Faruku, do të rrëzohet nga froni i tij nga nga ushtarakët e rinj egjiptian në krye me Gamal A. Naserin. /KultPlus.com