21 Tetor, 2019 - 10:00 pm
Vepra Thana e thasha, titull që ia ka vendosë vetë autori âsht botue në revistën Zâni i Shna Ndout, tue fillue që nga viti 1934 me disa ndërpremje deri në vitin 1942.
Në këtë përmbledhje studimesh apo siç i quen Aurel Plasari “ai grusht brilantësh të vegjël të psikologjisë popullore” , Át Anton Harapi u dha përgjegje shumë pyetjeve që burojnë nga zemra e njeriut, që âsht i kufizuem në hapsinë dhe në kohë. Këto pyetje dëgjohen shpesh edhe sot si te njerëzit e thjeshtë dhe te ata që janë të formuem. Shkrimet e shkurta në prozë mund t’i quejmë edhe nji lloj apologjie të së vërtetës, ku spikat martiri Át Anton Harapi përmes nji mënyre brilante kallëximi e ligjërimi filozofik për njerëzit e thjeshtë dhe për të meçmit. Por përmes kësaj proze prozatori i shquem Át Harapi mes të tjerash vuni në dukje rreziqet e ndërtimit të nji shoqnie pa vlera, pa Zot, rrezikun e komunizmit bolshevik. Dhe ndër të tjera do të shkruente në prozën e shkurtë Fé e ré që âsht përfshi në këtë vëllim: “Pá besim në Zotin, nuk kemi Shqypní, por Rusí bolshevike”. Aty trajton edhe tema të tjera siç âsht çeshtja e lirisë, cilësi themelore e personit njerëzor, afrimi me besimin përmes arsyes, rreziqet e ideologjisë fataliste e shumë elemente të tjera që ekzistojshin në psikologjinë e popullit. Sigurisht për Át Anton Harapin e Vërteta duhet të kuptohet nëpërmjet arsyes, reflektimit, shoshitjes e tanë elementëve që përbajnë ekzistencën tonë. Qenia njerëzore âsht e hapun ndaj mbinatyrores.