11 Qershor, 2019 - 5:20 pm
Shkrimtarja dhe arkeologia Edi Shukriu është shpalluar sot fituese e çmimit letrar ja “Beqir Musliu”, të cilin e ndan kryetari i Komunës, Lutfi Haziri për arritje të veçanta në letërsi.
Fituesi është përzgjedhur nga juria e konkursit letrar “Beqir Musliu”, në përbërje Ibrahim Kadriu, Sadete Tërnava Osmani dhe Hasan Bunjaku.
Haziri, e ka falënderuar jurinë profesionale për punën dhe vlerësimin, ndërkaq e ka uruar shkrimtaren dhe arkeologen, Edi Shukriu, për të cilin tha se ka dhënë kontribut të madh në lëminë e letërsisë dhe të arkeologjisë.
“Nominimi i sivjetmë i Edi Shukriut i bën nder murit të lavdishëm të çmimit “Beqir Musliu”, pasi veprimtaria e saj, udhëtimi, letrat dhe librat që ajo sot i ka, natyrisht që edhe neve na bëjnë nder. Madhështia e Beqir Musliut nuk është vetëm në libra, por madhështia e tij qëndron edhe në dashurinë dhe përkushtimin që pati gjithmonë për Gjilanin, për Kosovën dhe për kombin e tij. Por, pa dyshim, ai është përshkruesi më i mirë i Gjilanit në veprat e tij, përshkrim ky që shkon deri në perfeksion”, theksoi kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Shkrimtari Ibrahim Kadriu, tha se ata kishin në shqyrtim një numër emrash prej shkrimtarëve, biografitë e të cilëve arrinin në nivelin e lakmueshëm për këtë çmim, por që juria vendosi për të nominuaren, Edi Shukriu.
“Kur merret parasyshë krijimtaria e Edi Shukriut në fushën e letërsisë dhe arkeologjisë, mund të them se ishte arkeologe dhe shkrimtare e parë shqiptare në Kosovë, e cila e botoi përmbledhjen e parë poetike në vitin 1972. Ishte dhe mbeti e dalluar edhe si veprimtare në realitetin kosovar. Në fushën e letërsisë, Edi Shukriu ka arritur suksese si poete, dramaturge dhe romansiere. Vendimi dhe bindja jonë është se “veprat e saj shquhen me origjinalitet të shprehjes poetike, të cilat bindin se kjo poete i përkushtohet krijimtarisë vetëm kur e ndien atë si shpërthim shpirtëror”, tha shkirmtari i famshëm kosovar me prejardhje nga Gjilani, Ibrahim Kadriu.
Ideator i çmimit letrar “Beqir Musliu” është Ars Clubi “Beqir Musliu” nga Gjilani dhe ndahet për herë të trembëdhjetë nga Komuna e Gjilanit.