7 Dhjetor, 2024 - 9:58 am
Javën e ardhshme do të mbahet edicioni i pestë i Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur në Prishtinë.
Kjo ngjarje e cila i jep rëndësi librave të vjetër dhe të përdorur do të zë vend në datat 11, 12 dhe 13 dhjetor në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, në lagjen “Dardania”.
Edhe sivjet në agjendën e organizimit janë përurimet e librave dhe diskutimet me shkrimtarë e publicistë.
“Vetëm me vetminë” e poetit Bedri Zyberaj, dy përmbledhje dramaturgjike të Fadil Hysajt, “Shekulli XX” nga Agron Shala, janë disa nga veprat që do të përurohen.
Përveç promovimeve, diskutime do të ketë me shkrimtarët Bajram Kosumi, Agim Vinca, ndërkaq pritet edhe organizimi i orës letrare “Të bijtë e shekullit të ri”./rtk/ KultPlus.com