Eh, E’veri…

16 Shtator, 2020 - 7:30 pm

Binak Kelmendi

Kishte një kohë të gjatë që Zhuj Veselin nuk e zinte gjumi. Kishte poashtu një kohë të gjatë që Zhuji nuk mund t’i sillej shtëpisë rretherreth, as për ta parë hënën në qiell dhe as për të parë sa kishte shkuar ylli i mëngjesit afër bjeshkëve që bënin hije në rrafsh edhe natën.   

Zhuj Veselin kishte kohë që e kishin lënë veshët si thuhej në ato anë për ata që nuk dëgjonin.

“Pushkë të më shprazësh këtu, nuk dëgjoj”, thoshte Zhuji duke u ankuar për dëgjimin e keq dhe duke prekur e fërkuar veshët me plot qime dhe me shumë dyll.

Një natë, kur ai dhe askush tjetër nuk e priste, befas dhe kobshëm atij iu kthye dëgjimi. Për shumë pak kohë.

Sepse:   Në mesnatë, ndoshta dhe më herët, ose ndoshta dhe më vonë, në oborr, para shtëpisë së tij, ishin dëgjuar zëra të frikshëm, krisma armësh, sharje e fyerje të rënda dhe kërcënime ultimative në gjuhën serbe.

“Hair kjoftë”, kishte thënë pa zë Zhuj Veseli duke kruar veshët dhe duke bërë të ngrihej. Veshët i kishte kruar deri në thellësi të tyre, por të ngrihej nuk ia kishte dalë dot pasi që muri nuk e mbante në këmbë sado që duart i katrriste nëpër të.

Pastaj kërcënuesit dhe sulmuesit me vringëllima armësh e bërtima zërash e rënie shqelmash, hapën derën me dhunë, shkelën sipër saj në dhomë duke e bërë zap Zhujin që nuk lëvizte dhe nuk fliste, vetëm dëgjonte e shikonte për aq sa mund të shihet në terr.

“Enver Hoxha”, “Enver Hoxha”, klithën, përqeshën, u tallën kërcënuesit, sulmuesit, dhunuesit.

“Eh, E’veri” bëri me zërin e mekur Zhuji duke ndier dhembjen e prangave të ftohta që po i nguliteshin thellë në duar. Në të vërtetë Zhuji pothuaj nuk kishte fare duar, kishte vetëm eshtra të zgjatur të duarve nga supet mbështjellë me një lëkurë pa qime dhe krejtësisht të regjur me të gjitha ngjyrat e mundshme në të.

Pastaj u përpoq të kujtohej kur për herë të fundit kishte thënë “eh E’veri”.

Kishte qenë disa vite pas vdekjes së Enver Hoxhës në një kuvend burrash, aty ku rëndom nisnin të gjitha luftërat e mundshme me fjalë.

“Ushtria shqiptare është në gjendje gatishmërie. Janë hapur tunele nëpër bjeshkë, tanket dhe autoblindat janë vendosur nëpër to dhe janë të gatshme për të ardhur në qytete Kosovës:  Për gjysmë ore ose dhe për shumë më pak kohë, mund t’ia behin në në Prishtinë, Pejë, Prizren,  Gjakovë… Pra, Jugosllavia e Serbia janë të rrethuara me tanket që tashmë po i mbajnë të ndezur motorët… Vetëm pritet urdhi i Enverit.“

Enveri ka vdekur, tha dikush nga kryedhoma ku gjithnjë fillonin e përfundonin luftërat.

S’ ka lidhje, janë ushtarët e tij, foli një tjetër.

“Eh E’veri”, bëri Zhuj Veseli duke shikuar tutje bjeshkëve për të parë nga mund të ishin ato tunele ku fshiheshin tanket të gatshme për mësyemje …

Duket se pasthirrmën “Eh”, Zhuji e thoshte sa herë që nuk donte t’ia përmendte emrin Enver Hoxhës.   

“Eh E’veri”, bëri duke u kthyer në dhomën e vet ,me derën e rrëzuar përbrenda, me prangat në duar dhe me e kutërbimin e sulmuesve në trup. Nuk pau asgjë tjetër, vetëm mjegull mbi bjeshkë dhe në sytë e vet që s’i mbanin dot syzet me xham shëm të trashë. 

“Enver Hoxha”, “Enver Hoxha”, klithën, përqeshën, u tallën, shanë, fyen, kërcënuesit, sulmuesit, dhunuesit duke e shtyrë Zhujin me tërë forcën dhe duke i thënë “ecë tash me ne, do të të dërgojmë drejt e te Enver Hoxha. E ke dashur shumë. Zgjidhe njërin djalë dhe merre në shpinë. Dy të tjerët i marrim ne.”

Zhuji nuk foli, mori frymë me vështirësi dhe bëri të ecte pa ditur nga e ku. U ngatërrua në çizmet dhe në këmbët e sulmuesve dhe u rrëzua në tokë.

Sulmuesit qeshën.

Zhuji ofshani:  -Eh, E’veri, bëri dhe u ngrit pipë në këmbë.

Sulmuesit e shikuan.

Zhuji sërish përsëriti  “Eh, E’veri”.

Kush dhe pse janë përmendur ashtu dhe aq kot tanket?

Nuk pati kohë të përgjigjej në pyetjen që ia bëri vetes.

Flakët e tytave ndriçuan natën dhe Zhuji pa vetëm përshkëndijmin mbi bjeshkë, as hënë dhe as yll mëngjesi askund. Pastaj nuk pau më asgjë.

Me skeletet e duarve bëri t’i afronte tre djemtë e vrarë pranë vetes.

 Askush në fshat s’e mban ndër mend datën e as kohën e marrjes së së Zhujit me djem nga sulmuesit dhe dhunuesit. Nuk mbahet ndër mend as dita ose nata e pushkatimit duarlidhur e këmbëlidhur të tyre. Thuhet se në natën pa hënë ishin dwgjuar shumë tw lehura qensh, krisma e tw rwnda dhe shumë zëra këngësh e vajesh    

E mbajnë ndër mend, por nuk e tregojnë dot, vetëm datën dhe ditën e gjetjes të kafkave të tyre në një mullar sane të djegur. Ishte fillimmaji dhe atë ditë pati më pati më pak drita dhe zhurmë avionësh në qiell. Dhe e mbajnë ndër mend edhe varrimin e tyre pas përfundimit të luftës në të cilin prapë dikush klithi ”Eh, E’veri”.

*Zhuj Veseli Lajçi është plaku 95 vjeçar i Llabjanit të Pejës që u vra nga ushtria dhe policia e Serbisë në fillimmajin e vitit 1999. Bashkë me babanë, Zhujin, u pushkatuan edhe tre djemtë e tij.

Ky mund të jetë një variant tregimi për vrasjen e tyre./ KultPlus.com

Të ngjajshme