7 Qershor, 2024 - 2:13 pm
Me rastin e 140-vjetorit të botimit të parë të librit “Aventurat e Pinokut” të shkrimtarit Carlo Collodi, u inaugurua një ekspozitë e veçantë në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit.
“Pinoku” është libri italian më i përkthyer në botë dhe personazhi i tij kryesor është kthyer në mesazh universal që nuk njeh plakje.
Ekpozita “I shtrenjti Pinok”, në TKOB, mundësohet nga Muzeu i Dizajnit ADI, i cili prezantoi një përzgjedhje projektesh, kushtuar ikonës që frymëzoi breza krijuesish dhe mendimtarësh. Kjo ekspozitë vjen në kuadër të Javës së Kulturës Italiane, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Tiranë, ICE Tiranë, Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe Teatrin e Operas dhe Baletit.
Giulio Iachetti, kuratori i kësaj ekspozite shprehet se bëhet fjalë për 62 projekte të reja nga 31 dizajner dhe 31 grafistë, të realizuara posaçërisht për ekspozitën.
“Një shprehje ndryshe e ndjesive dhe veprimeve të shumë dizajnerave italianë: një vështrim i zgjeruar, kaleidoskopik, befasues, i aftë për të treguar aftësinë e dizajnit italian në krijimin e imazheve dhe objekteve të pakohëshme, duke kremtuar kështu mitin e Geppetto-s, dizajnerit të parë italian”, -shprehet Iachetti./atsh/KultPlus.com