31 Tetor, 2023 - 12:43 pm
Në kuadër të Tetorit të Librit, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në 110-vjetorin e personalitetit të jashtëzakonshëm të gjuhës dhe të kulturës shqipe, Vedat Kokona, çelën të martën, më datë 31 tetor, ekspozitën “Vedat Kokona në 110-vjetorin e lindjes”.
Drejtori i BKSH-së, Piro Misha, drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, përkthyesit dhe shkrimtarët Diana Çuli dhe prof. Edmond Tupja vlerësuan figurën e Vedat Kokonës, duke vënë theksin në rëndësinë e veprimtarive të tilla si forma më e mirë për të kujtuar dhe përcjellë te brezat e rinj gjurmën dhe trashëgiminë që këto personalitete kanë lënë në kulturën shqiptare. Në këtë veprimtari morën pjesë familjarë, miq, shkrimtarë, përkthyes, studiues, pedagogë, si dhe dashamirës të librit e të kulturës.
Kjo ekspozitë tenton të ndërtojë rrugëtimin e krijimtarisë dhe të veprimtarisë së Vedat Kokonës, si shkrimtar, përkthyes dhe leksikograf; fillesa e saj nis që në moshën 16-vjeçare në revistat dhe gazetat e viteve ’20-’30, si: “Iliria”, “Ora”, “Vatra”, “Diana”, “Minerva”, “Përpjekja shqiptare” etj., me poezinë e tij të parë “Elfet”, botuar në gazetën “Ora”, në vitin 1929, apo novelën “Lutja e fundit”, botuar në gazetën “Vatra”, më 1933, e cila është edhe fituese e çmimit të parë letrar. Për të vijuar më pas me botimet e veprave të para “Nga Tirana në Stockholm: përshtypje udhëtimi” (1935); “Dritë dhe hije” (1939) dhe “Shtatë prilli” (1943). Sprova e tij e parë në fushën e përkthimit sjell në gjuhën shqipe shkrimtarit francez Victor Hugo, botuar në gazetën “Illyria”, në vitin 1934, kontribut ky që do të vijonte të sillte në shqip emrat më të rëndësishëm të letërsisë botërore, si: Victor Hugo, Pierre Corneille, Volter, La Fonten, Honoré de Balzac, Charles Dickens, William Shakespeare, Jean-Baptiste Racine, Ivan Turgenev etj.
Një vend të veçantë në ekspozitë zë edhe kontributi i tij në fushën e leksikografisë përmes hartimit të fjalorëve dygjuhësh frëngjisht-shqip, të cilët konsiderohen si “gurë themeltarë” të mësimit të gjuhës franceze.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun për disa ditë. / KultPlus.com