9 Nëntor, 2023 - 9:25 am
Vjollca Duraku
Me temat ‘Prishtina ndërmjet kujtesës dhe harresës’, ‘Prishtina e Poetëve’ dhe ‘Tri vepra dhe tri variacione të Prishtinës në letërsi’ është zhvilluar nata e dytë e javës kulturore që po mbahet nga Pen Qendra e Kosovës, shkruan KultPlus.
Dije Demiri- Frangu, Ibrahim Berisha dhe Osman Gashi ishin panelistët e radhës të ‘Prishtina e Artit dhe Kulturës’, të cilët përmes temave të tyre shpalosën për të pranishmit pjesë shumë interesante, kryesisht të padëgjuara më parë, që kishin të bënin me historikun dhe elementet identitare të kryeqytetit.
Në ambientet e qeta e të ngrohta të KultPlus Caffe Gallery, në kontrast me motin e ftohtë dhe me shi që mbretëronte jashtë kësaj hapësire, mbrëmja u hap nga moderuesi i mbrëmjes Sali Bashota, i cili pas fjalës hyrëse fjalën dhe lejen për prezantim ia kaloi panelistit Ibrahim Berisha.
Mbi temën ‘Prishtina ndërmjet kujtesës dhe harresës’, panelisti Berisha tha se deri tani ekzistojë 10 publikime në të cilat është e përfshirë Prishtina në kontekste të ndryshme.
“Janë dy monografi të veçanta për Prishtinën. Njëra është në vitin 1965 dhe tjetra 1978, por mund të them me dhimbje që në ato monografi nuk kemi të bëjmë aspak me Prishtinën e vërtetë, as në aspektin kulturor apo atë historik. Duhet pasur parasysh që kultura është materiale dhe jo materiale”, ka thënë Berisha para të pranishmëve që shumica ishin studentë të Universitetit të Prishtinës, nga Departamenti i Letërsisë.
Ndërsa sa i përket pluralizimit kulturor të Prishtinës, ai tha Prishtina ka qenë e pasur, meqë ka pasur shumë tregtarë dhe pushtues qe kanë ardhur në këto treva, ku secili ka lënë dhe ka marrë diçka. Këtu ai përmend çifutët të cilët sollën zejen e orëndreqësit, dentistin e parë, farmacistin, shitësit e vajit, shtëpitë dy-katëshe si dhe një ves shumë të keq të pa aplikuar deri në atë kohë që qenë fajdet.
Në aspektin e harresës, Berisha përmend pushkatimin e 330 personaliteteve më në zë që ishin për kohën, nga ku edhe u stagnua përparimi i hovshëm i Prishtinës, e për të cilët nuk ekziston asnjë lloj monumenti që e kujton këtë ngjarje.
“Më 19- 22 nëntor 1944 është shkatërruar plotësisht identiteti shqiptar i Prishtinës, të gjitha familjet aristokrate janë shkatërruar, janë pushaktuar personalitetet më në zë: Shyqri Beg Ramadani, Stake Mark Mirdita, Sylejman Beg Berisha, Fehmi Domaniku, Shefqet Begu, Mehmet Myezini , Haxhi Hysë Daka, Malush e Hamdi Kosova, Dukë Aga, Mustafë, Haxhi Agushi, Mahmud Efendia, Vehbi Batalli, Familja Vala e Siqani dhe kjo ka shkatërru shyllat kryesore të funksionimit të qytetit edhe në aspektin kulturor edhe në aspektin prodhues, shërbyes etj”, u shpreh ai, duke thënë më tej se edhe pasardhësit e atyre personaliteteve që kanë dhënë kontribut të çmuar duhet të trajtohen si pjesë e identitetit të Prishtinës.
Sipas tij, Prishtinën, kronistët e kohës e përshkruajnë si një qytet shumë të pasur me kopshte dhe vreshta ku: dudi, dardha, molla, ftoi, kajsia, dhe qershia ishin pemët qe karakterizonin qytetin, përderisa si shpend mitologjik njihej gugatja.
Ndërsa ‘Shurupi i Trëndafilave’ ka qenë pije shumë e rëndësishme në atë kohë, përderisa Korzorja kashpërfaqur një paraqitje fizike, ku statusi është shfaqur përmes veshjes dhe dukjes.
Fjala më pas iu kalua Dije Demirit Frangut, e cila e trajtoi temën “Prishtina në Letërsi”, e cila tha se shumica e tyre janë poezi të shkruara nga autorë të njohur të letërsisë tonë.
Ajo gjithashtu tha se ka edhe të atillë që duan ta nisin krijimtarinë e tyre me poezi për Prishtinën, ku vlen të ceket antologjia me poezi për Prishtinën me titullin ‘Prishtinë-Muza ime’ e shkruar në kohën e karantinës nga 40 autorë.
Sipas autores Demiri-Frangu, emri i Prishtinës në poezi për herë të parë u përmend në poemën e Lazar Siliqit të botuar më 1949, e cila poezi i dedikohej kujtimeve të kampit të përqendrimit të Prishtinës gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku Prishtina përshkruhej me tone të errëta dhe plotë trishtim.
Për të gjitha poezitë të cilat i ka lexuar Dija “Energjia e shkrimit në këto poezi përpos temës gjeneron edhe motive të ndryshme, shumica e poezive nuk mbartin ndonjë shenjë të këtij qyteti, e cila shenjë do të ishte pikë referuese, kështu që një numri të poezive, mund tua zëvendësojmë me çdo emër të çdo qyteti tjetër dhe poezia të qëndroj në këmbë, sepse Prishtina në to është minimaleske si përmbajtje”.
Ndërsa si autorët që i kanë kushtuar poezi Prishtinës janë Visar Zhiti me “Varret e Hebrenjëve në Prishtinë” dhe “Le të më lagë shiu i Prishtinës” Sabri Hamiti me dy poezi që titullohen “Prishtinë” dhe “Prishtina” dhe Pano Taçi me “Në fjetoren e Universitetit të Prishtinës”.
Autorë tjerë që i thurën vargje Prishtinës siç janë Basri Çapriqi, Binak Kelmendi, Sali Bashota, poeti arbëresh Zef Chiaramonte, Rahman Dedaj dhe Abdullah Konushevci, ku sipas Dijes, Prishtina është një qytet i shenjtë, ku secili autorë ka një raport dashurie e besimi në të, dhe është qyteti prej nga nis frymëzimi për ta.
I treti me radhë, para një publiku shumë të vëmendshëm prezantoi panelisti Osman Gashi i cili kishte analizuar tri vepra.
“Një amerikane në Kosovë”, ishte një njëra ndër to, e Janet Reineck, një antopologeje amerikane cila kishte qëndruar në Kosovë në vitet 1981 1997, e që sipas tij në mënyrë të mrekullueshme përshkruan për jetën e saj në Kosovë, specifikisht jetën në Prishtinë dhe kontaktin e parë me studentët e Prishtinës:
“Shumica e fëmijëve shqiptarë ishin fëmijë fshati, të fortë, elastikë, me shpresë. Me pak ata marrin e qira dhoma banime në bodrum, nga gjashtë veta në një dhomë , ku ia dalin duke ngrënë bukë me pasul. Ata vinin me autobus nga fshatrat e thella. Kur vinin në Prishtinë donin t’i shpëtonin inercionit dhe acarimit ekonomik të jetës së fshatit , me shpresë për të krijuar një të ardhme të re”, citoi Osmani.
Libri i saj ka informacione mbi doket, zakonet dhe traditat e kosovarëve dhe sipas panelistit Osmani nëse ëshytë dikush që e ka dhënë shpirtin për trashëgiminë e Prishtinës dhe Kosovës ajo është Jane Reineck, ku gjithçka ajo bëri ishte pa bujë , pa rrahje gjoksi dhe kërkesë për vëmendje.
Një lutje për Prishtinën e poetit Xhemajl Mustafa është po ashtu vepra tjetër për të cilën u fol, në faqet e të cilit libër ka tenson, dhembshuri dhe trishtim, ku përshkruhet jeta në Prishtinë gtë kohës së luftës së vitit 1999.
Dhe libri “Prishtina” i Mehmet Krajës, ishte libri i tretë për të ilin u diskutua në këtë ngjaje. I botuar më 2018, mirëpo koha e ngjarjeve që përshkruhen në roman lidhen me ditët e para pas përfundimit të Luftës në Kosovë dhe hyrjes së trupave të NATO-s.
“Ky roman duket se ka për qëllim të ironizojë me një kohë e realitet tranzicioni, ku sipas tij mbretëronin kaosi , rebelimet, abuzimet madje edhe të administratës ndërkombëtare ku gjuha e narratorit është e mprehtë e vrazhë”, përfundoi Gashi, duke i lënë radhë dhe një diskutimi me publikun, diskutim i cili pak më vonë u zhvendos e në pjesën e Glalerisë së Mediumit për të vazhduar gjerë e gjatë.
Takimi i radhës do të mbahet sot në ora 17:00 ku panelistë do të jenë Avni Spahiu me temën “Kryeqyteti i maturuar në histori”, Naime Beqiraj me “Rrëfimet për Prishtinën” dhe Binak Kelmendi me “Institucionet e Kulturës dhe Artit në Prishtinë”/KultPlus.com