13 Janar, 2025 - 6:21 pm
Shkroi: Blerta Zeqiraj- Studente në nivelin Master në Departamentin e Gjermanistikës
Më 15 tetor 1981, lajmi u përhap si një flakë zjarri: shtypi i botës shkroi se shkrimtari Elias Kaneti ishte laureati i ri i Çmimit Nobel për Letërsi. Por kush ishte kjo figurë titane, ky mjeshtër i fjalës që vriste me zërin e tij të fuqishëm mbi rrëfimet e njerëzimit?
Romancieri, dramaturgu, filozofi, aforisti, eseisti dhe sociologu Elias Kaneti është një ndër shkrimtarët më të spikatur evropianë dhe botërorë. I quajtur nga kritika si një “klasik i gjallë e modern” dhe si “një prej humanistëve më të mëdhenj të shekullit të njëzetë”, Elias Kaneti dëshmon se vepra letrare është njëkohësisht gjuhëkrijuese dhe botëkrijuese.
Me artin e tij të pakrahasueshëm, ai na mrekullon, fisnikëron dhe pasuron shpirtin njerëzor. Kaneti gjithmonë ka përhapur botëkuptime të pastra, pacifiste dhe ka rrezatuar kulturën e tij të gjere. Duke udhëtuar në vende të ndryshme dhe duke kaluar përvoja të pasura kulturore, arriti të prekte zemrat e çdo lexuesi si solist i pashoq.
I lindur në një mjedis shumëgjuhësh dhe i rritur mes kulturave të ndryshme, Kaneti mësoi gjermanishten vetëm në moshën shtatëvjeçare, por kjo gjuhë u bë shpejt arma e tij më e fortë krijuese. Ai spikati si mjeshtër i fjalës, me një talent të rrallë krijues dhe me një aftësi të jashtëzakonshme për të depërtuar në skutat më të thella të shpirtit njerëzor.
Kaneti na ka dhuruar një trashëgimi të pasur letrare, duke përfshirë romane, drama, ese psikologjike dhe sociologjike, libra udhëtimesh dhe një trilogji të mrekullueshme autobiografike. Në këto vepra, ai shpalos universin e tij të brendshëm, kuptimet filozofike dhe përjetimet e tij të thella, duke ofruar një pasqyrë të rrallë të botës njerëzore.
Takimi i tij me mendimtarë dhe artistë të mëdhenj, si Karl Krausi në Vjenë, e frymëzoi për të zhvilluar një kritikë të mprehtë ndaj strukturave të pushtetit dhe për të eksploruar tema universale si masa, pushteti dhe identiteti. Veprat e tij na tregojnë jo vetëm historinë e tij personale, por edhe atë të një brezi të tërë që përjetoi kriza të thella sociale, politike dhe kulturore. Në romanin Die Blendung ne shqip “Verbimi”, Kaneti paraqet degradimin e njeriut të izoluar dhe ndikimin e errët të pushtetit, ndërsa në Masa dhe Pushteti, Kaneti me studimin e tij sociologjiko-filozofik i ka vënë pikën kuptimit të termit “masë”, duke e përdorur për të përshkruar jo vetëm një grup të njerëzve të përbashkët në aspektin e tyre fizik, por edhe për të paraqitur një formë të bashkimit shoqëror, emocional dhe politik. Kaneti ecën në veprën e tij midis botëve të ndryshme: Përveç hulumtimeve sociologjike, ai përfshin studime etnologjike, psikologjike, antropologjike, mitologjike dhe madje edhe zoologjike. Në trilogjinë e tij autobiografike, ai përshkruan jo vetëm përvojat e tij personale, por edhe transformimet e mëdha shoqërore që formuan jetën e tij dhe botën që ai njohu.
Nga djali i vogël që dëgjonte me kureshtje bisedat e prindërve në gjermanisht, u krijua një nga mendjet më të ndritura të letërsisë së shekullit të 20-të. Forca e mendimeve të tij rroku një botë të tërë dhe depërtoi thellë edhe në trevat shqipfolëse. Ai pasqyroi të gjitha këto përvoja me një ndjeshmëri dhe një mjeshtëri të tillë që lexuesi jo vetëm që i përjeton, por edhe e gjen veten në to.
Veprat e tij, të shqipëruara mjeshtërisht nga i ndjeri Aristidh Ristani dhe tani nga Naim Kryeziu, kanë gjetur një jehonë të fuqishme edhe në kulturën shqiptare. Kësisoj, vepra e tij kumboi lartësisht, përsosmërisht dhe thellësisht në gjuhën shqipe.
Kaneti na magjeps me vullnetin e tij për jetë. Qëndrimi i tij njerëzor dhe emocional ndaj jetës, pasuria ideoartistike dhe vullneti i tij i palëkundur për të jetuar dhe për të krijuar e bëjnë Kanetin një figurë të papërsëritshme në kulturën botërore.
Thelbi i veprës së tij është Jeta – jo thjesht ekzistenca, por një jetë e jetuar me pasion, kuptim dhe përkushtim ndaj humanizmit. Mesazhi i tij është i qartë: të jetosh në mënyrë të tillë që të mos vdesësh kurrë në kujtesën e njerëzimit. Dëshira e tij e flaktë ishte që “të lexohej edhe pas 100 vitesh”. Kaneti, me veprat e tij që magjepsin, fisnikërojnë dhe pasurojnë, nuk do t’i takojë kurrë së shkuarës, por do të mbetet gjithmonë një udhërrëfyes i përjetshëm në rrugën e kulturës dhe shpirtit njerëzor. Ai mbetet simbol i ndershmërisë, i njerëzores dhe i një njeriu human./ KultPlus.com