24 Shkurt, 2018 - 9:05 am
Rrethanat, ngjarjet dhe aktorët që i dhanë formë historisë pas Perdes së Hekurt mbeten një burim interesi për historianët dhe akademikët megjithëse kanë kaluar dekada që nga hapja e sferës ish-komuniste.
Studiuesi Elidor Mëhilli jep kontributin e tij duke shtjelluar përvojën e Shqipërisë gjatë diktaturës, por edhe dinamikat e ndërlikuara që krijoi regjimi i asaj kohe me botën komuniste. Libri i tij i ri Nga Stalini tek Mao, Shqipëria dhe Bota Socialiste, u prezantua këtë javë në Qendrën Woodrow Wilson në Washington.
Mes akademikësh, studiuesish e diplomatësh të mbledhur tek Qendra Wilson, shfaqet një interesim i qartë mbi specifikat e komunizmit në Shqipëri dhe dinamikat që ndikuan tek aleancat ndërkombëtare të Shqipërisë.
Për autorin ky ishte një projekt që nuk duhej thjesht të reflektonte ngjarjet historike, por t’i analizonte ato në një dritë të re, që ai thotë se i mungon historiografisë shqiptare:
“Në këtë kuptim, mendoj që qëllimet e mia kanë qenë dy: ta ndërkombëtarizoj studimin e historisë shqiptare, që t’u ikim atyre analizave që mbeten pak periferike dhe qëllimi tjetër ka qenë që të japë edhe një model të shkrimit të një historie që nuk merret vetëm me partinë, udhëheqësit e partisë, ideologjinë në nivelin më të lartë, por edhe me jetën e përditshme të njerëzve nën atë sistem,” thotë Dr. Elidor Mëhilli, Asistent Profesor në Hunter College, CUNY.
“Një objektiv i imi kryesor në këtë studim ka qenë ta depersonalizoja historinë e komunizmit shqiptar. Në kuptim që të mos ishte thjesht histori e Enverit, histori e udhëheqësit të ndritur. Këtu kemi ngecur tek studimet shqiptare në marrëdhënien tonë me të shkuarën, vazhdojmë akoma ta personlizojmë atë histori, ndërkohë që ka më shumë nevojë që të merremi me mitet, por ta zgjerojmë qasjen ndaj diktaturës për të përfshirë edhe dimensione të tjera të historisë”.
***
Libri nuk ofron thjesht faktet e një historie mbi 40 vjeçare nën regjimin komunist. Autori i analizon në kontrast marrëdhëniet dhe interesat e shkëmbimeve të Shqipërisë me aleatët e saj të fuqishëm. Ja si e përshkruan autori dallimin e lidhjeve Tiranë-Moskë dhe më pas Tiranë-Pekin:
“Ndodhi një lloj pjekjeje e regjimit sidomos duke krahasuar vitet ’50 me vitet ‘60. Ndërsa marrëdhënia me sovjetikët kishte edhe një inferioritet brenda, sovjetikët ishin modeli që duhej zbatuar. Ishin më të përparuar, ishin në një rol komandues në botën komuniste. Po ta krahasojmë me marrëdhënien e shqiptarëve me Kinën është një dinamikë tjetër. Edhe Mao e shpjegon këtë: shpesh herë Shqipëria ishte në një rol dominant, se nuk kishte rënë pre e revizionizmit, nuk kishte rënë pre e atyre ndryshimeve në Bashkimin Sovjetik që pastaj u quajtën ndryshime vetëshkatërruese të sistemit. Dhe në këtë aspekt ishte një dinamikë tjetër”.
Edukimi politik, indoktrinimi, propaganda dhe atmosfera e terrorit janë pika të përbashkëta të të gjitha regjimeve diktatoriale, që i gjejmë edhe në përshkrimin e Shqipërisë socialiste në librin e Dr. Mëhillit. Diktatura krijoi një kulturë politike që ka lënë gjurmë të dukshme edhe në Shqipërinë e ditëve tona, thotë studiuesi.
Megjithëse një perspektivë historike, autori thotë se shumë tema qendrore të librit mbeten aktuale dhe të hapura për diskutim:
“Sot që flasim jemi në 27 vjetorin e shembjes simbolike të regjimit në shkurt të 1991. Po ta kapim në dimensionin e 27 vjetëve është një periudhë goxha e gjatë. Është periudha e një gjenerate”.
“Por duhet thënë edhe kjo që ka nevojë për një reflektim sot: jo vetëm për ta shkruar atë histori, për t’ia mësuar një gjenerate të re që nuk e ka atë eksperiencë, por edhe për të reflektuar për marrëdhënien tonë me pushtetin, me autokracinë si sistem, demokratizimin që ende është shumë problematik. Për mendimin tim ka shumë nevojë edhe për një reflektim më të thellë për faktin që vizioni evropian i shqiptarëve që trumpetohet shumë, ka dështuar këto 26 vjet. Pra vendi është ende shumë mbrapa edhe po ta krahasosh edhe me rajonin në implementimin e këtij vizioni evropian të shqiptarëve”.
Hija e së kaluarës komuniste të Shqipërisë ende bie sot mbi qytetarin në marrëdhëniet e acaruara dhe problematike me pushtetin, thotë studiuesi. Por ai shpreh entuziazëm nga një brez i ri historianësh që Dr. Elidor Mëhilli beson se do të ndihmojnë në zhvillimin e një debati të hapur, dhe një qasje më pluraliste mbi të shkuarën.
“Është një qasje që duhet bërë, duhet inkurajuar, duhet të jemi të hapur edhe ndaj aspekteve më të dhimbshme të diktaturës”.
Studiuesi Elidor Mëhilli po punon tani për ta sjellë librin në shqip, por premton të vazhdojë të kontribuojë në debatin e hapur mbi të shkuarën e Shqipërisë. Në planet e tij për të ardhmen janë kërkimet mbi periudhën e ndërrimit të sistemeve, nga fundi i viteve 1980-fillimi i viteve 1990. / KultPlus.com