26 Maj, 2023 - 12:35 pm
Sot, në ditën e tij të lindjes, shkrimtari dhe përkthyesi Elvi Sidheri, ka botuar romanin e tij më të ri, të titulluar “Hemisferat e Serenës”, një libër për të cilin i janë dashur rreth tre vite punë letrare dhe plot hulumtime historike në terren, për ta shkruar mirëfilli, gjersa do të jetësohej botimi i tij sot.
“Hemisferat e Serenës”, është një roman ku ngërthehen kohë, kultura, personazhe dhe pikërisht hemisfera të ndryshme, në thelbin e karaktereve të dy personazheve kryesore femërore të këtij tregimi përmes një vazhde historike ngjarjesh, rrëfimesh, përvojash e dëshmish, ku mishërohen Tirana e kapërcyellit të viteve 1930-1940 të shekullit të shkuar, mes fillesave të pushtimit fashist dhe ngjizjes së mugët të diktaturës moniste (përmes sakrificës së pashembullt të një gruaje shqiptare, që flijon gjithçka, për hir të lirisë së saj dhe mospranimit të regjimit), duke vijuar nëpër Italinë e viteve të pasluftës, ku mërgata shqiptare gjeti shpëtimin nga diktatura, gjer në Kosovën dhe veçanërisht Mitrovicën e bumit kulturor, ekonomik e shoqëror të viteve 1970, ku do të krijohet një puqje krejt e pagjasë dhe oaz lirie shqiptaro-shqiptare.
Breznia e dytë e këtij rrëfimi letrar, që shenjon thelbësisht përvijimet letrare të këtij romani, do të përçohet në gjurmët e eksodit biblik të shqiptarëve drejt Italisë në fillimin e viteve 90, derisa hemisferat që ngërthehen në thelbin e këtij libri, do të prekin dimensionin e tyre të mëtejshëm, duke u rrënjosur në Brazilin e larmisë së kulturave, ngjyrimeve dhe trashëgimisë së mahnitshme etnologjike e njerëzore.
Elvi Sidheri është shprehur se: Për herë të parë në këtë roman, jam grishur të mundësoj edhe një “Cross over” letrar, dhe kushdo që ka lexuar romanin tim të mëparshëm “Spanjës me Dashuri”, do të gjejë pikëtakime cytëse midis këtyre dy krijimeve të mia gjithashtu.
Romanin “Hemisferat e Serenës”, do ta gjeni në Panairin e Prishtinës nga data 6 qershor deri më 11 qershor, në stendën e Botimeve Jeta.
Krejt në fund, Sidheri ka falënderuar edhe Lena Graphics për botimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. / KultPlus.com