12 Maj, 2022 - 5:31 pm
Shkrimtari dhe përkthyesi Elvi Sidheri, vjen në këtë pranverë letrare me romanit e tij të ri, me titullin “DREMIT LYHNIDI NË VEZULLIM”.
Ky është një krijim që i kushtohet thelbësisht liqenit mahnitës të Ohrit, ku autori përherë ka gjetur frymëzimin e tij, në jetë e letërsi, pikërisht në Lyhnidin e lashtë të Ilirisë, por gjithashtu njëherësh edhe kulturave, popujve, gjuhëve, dashurive e historive shekullore dhe qindravjeçare që janë ngjizur në brigjet e këtij pellgu të përjetshëm me ujë vezullues.
Në këtë roman me theks të veçantë historik, si rrallëherë, tematikë qendrore do të jenë shqiptarët vendas ortodoksë të Ohrit, prania, andrallat jetësore dhe gjurmët e tyre në këtë qytet kaq të rëndësishëm për trashëgiminë kulturore të gadishullit tonë, e më gjerë.
Përmes një rrjedhe ngjarjesh që zhvillohet në disa kohë dhe disa periudha të ndryshme historike, që gjen burim në udhëzat e gurta të Ohrit të moçëm në fundin e viteve 30 të shekullit XX, në faqet e këtij romani shtjellohen sakaq ngjarjet, jeta, peripecitë, guximi dhe mërgimet e njëpasnjëshme të shqiptarëve drejt Lindjes, që i patën shpënë ata nga Bullgaria në Bosfor, nëpër trojet rumune, Besarabi, e deri buzë Azovit të largët, ku sot janë përflakur nga lufta heroike kundër agresionit rus, viset ukrainase./KultPlus.com