13 Shtator, 2021 - 10:00 pm
Studiuesi arbëresh akad. Matteo Mandalà ka botuar librin “L’immigrazione albanese in Istria” (secoli XV-XVIII) – Emigracioni arbëresh në Istria – shekujt XV-XVIII.
Në një njoftim për shtyp, Akademia e Shkencave të Shqipërisë duke njoftuar për këtë botim shpjegon studimet e kryera nga autori në këtë punim.
Mandalà i shtyrë nga dëshira për të kuptuar lidhjet shkakësore që karakterizojnë natyrën komplekse të historisë së emigrimit të popujve të Ballkanit, në veçanti të shqiptarëve, ka kryer kërkime të thelluara në arkivat civile dhe kishtare në dekadat e fundit, ku në librin “L’immigrazione albanese in Istria” (secoli XV –XVIII) ndjek vijën e identitetit kulturor të një dege të emigracionit të arbëreshëve të Istrias (që gjendet në një gadishull midis Kroacisë dhe Sllovenisë).
Si filolog, Mandalà është në kërkim të episodeve të shpeshta që kanë ndodhur në historinë e trazuar të popullit shqiptar, duke hedhur poshtë vizionin romantik të historisë së emigrimit të arbëreshëve, të mbështetur shpesh nga falsifikime të dukshme dhe thjeshtime të fakteve historike.
Qasja e këtij studimi është multidisiplinar dhe nuk injoron asnjë aspekt historik të këtij emigrimi, në veçanti atë statistikor, ekonomik, demografik dhe social, duke kombinuar aspekte të ndryshme që përcaktojnë tiparet e një shoqërie multietnike gjatë shekujve.
Sipas këtij libri që në vitin 1499 dëshmohet prania e fiseve arbëreshe.
Kërkimet e Matteo Mandalà-së kanë rezultuar me një punë të shkëlqyer dhe emocionuese në faqet e këtij libri.
Matteo Mandalà është filolog. Veprat e tij janë të botuara kryesisht në Itali e pjesërisht në Shqipëri e Kosovë, ku ndër të tjera ai është edhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
“Matteo Mandalà është bir i komunitetit arbëresh të Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëvet), profesor i rregullt i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Departamentin e Kulturës të Universitetit të Palermos, bashkëthemelues dhe drejtor i Laboratorit Albanologjik, një disiplinë në të cilën ai mori pjesë në disa konferenca, madje edhe organizator në disa prej tyre, përgjegjës për projektet kërkimore mbi komunitetet shqiptare të Italisë, të cilave u ka kushtuar studime të shumta në dialektologji, filologji, kritikë letrare dhe histori, autor i disa monografive, botimeve kritike të veprave letrare dhe ese të kritikës letrare shqiptare, i dedikuar aktualisht për të rindërtuar procesin e ndërtimit të identitetit në komunitetet arbëreshe midis shekujve XVIII dhe XX”, thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë./atsh/KultPlus.com