30 Korrik, 2021 - 10:32 pm
Era Berisha
I konsideruar si regjisori i shfaqjeve më të mira në teatrin kosovar në dy dekadat e fundit, Bekim Lumi, një njeri që dashuronte teatrin sot në përvjetorin e tretë të vdekjes së tij në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ai u përkujtua me promovimin e librit të tij të titulluar “Engjëlli blu”, e që shpalos një botë poetike e një krijimtari artistike krejtësisht ndryshe nga ajo me të cilën njihej ai, atë të regjisë, shkruan KultPlus.
Për regjisorin e njohur të teatrit shqiptarë dhe njëkohësisht për profesorin që përcolli shumë gjenerata, Qendra Multimedia sot prezantoi librin me poezi, për të cilën u mblodhën familjarët e regjisorit, dashamirët e artit të tij, miqtë, kolegët e artdashës të shumtë.
Teatri Kombëtar i Kosovës sot kishte marrë një pamje ndryshe nga e zakonshmja, ku dritat e ngrohta që vinin nga llambat e vendosura lart, reflektimi i tyre në vende specifike, fotografitë e vendosura në muret e korridoreve të teatrit që shpalosnin pothuajse tërë jetën e regjisorit, lulet e bardha që shoqëroheshin nga imazhi i tij i vendosur në një kopertinë të madhe dhe kopjet e këtij libri që pritnin radhën për të gjetur shtëpinë e tyre, afërsisht mbushnin mungesën e dalluar të regjisorit i cili po njëlloj si emërtimi i librit të tij, ai tashmë po frymonte në secilin kënd të zemrave të të pranishmëve.
Fillimisht, kjo mbrëmje nisi nën meloditë e instrumentit bardh e zi që këndshëm vinin në kontrast me fotografitë shumëngjyrëshe të plasaritura në muret e teatrit. Ishte tenori kosovar, Luan Durmishi, i cili interpretoi në piano dhe përplot pesë minuta ai solli tinguj të cilat së bashku me errësirën totale që u shndërrua në veprën kryesore të atyre minutave, kapluan atmosferën në një flluskë melodike që qetësisht zuri vend në shpirtrat e pranishëm.
E kur errësira u zhduk nga një shkrepje e vogël e ndezjes së dritave dhe meloditë hyjnore ishin futur brenda qenies njerëzore, radhën për të dalë përpara e morri aktorja Melihate Qena, e cila për publikun interpretoi poezinë ‘Vdekja e aktorit’. Vargjet poetike të poezisë lexoheshin në një mënyrë tejet të bukur dhe me një nostalgji ëndërrimtare që vetëm Qena di ta sjell.
Ndërsa, nën meloditë e këngës së famshme të titulluar ‘Stairway to Heaven’ nga Led Zeppelin, poezia ‘Engjëlli blu’ e regjisorit, u interpretua nga aktori Afrim Kasapolli, zëri i të cilit performonte vargjet poetike sa në një gllënjkë të përmalluar e herë në një gllabërim të përzemërt. E interpretimin e tij e lartësonte edhe vija melodike e këngës që portretizonte pavdekshmërinë e përjetshme së krijimtarisë të regjisorit kosovarë.
Tutje, për të hapur mbrëmjen e përvjetorit të tretë të vdekjes së regjisorit, foli aktori Afrim Muçaj.
“Jo vetëm si një njeri në skenë por tashmë bota e tij shpaloset edhe në një dimension tjetër pra si një krijues i poezisë. Deri më tani, më shumë se dy dekada Lumi ishte i njohur si regjisor por tani në poezitë e tij, shpaloset dimensioni tjetër i krijimtarisë së tij artistike”, thotë Muçaj.
Ndërsa, redaktori i botimit të librit, Shaip Beqiri foli rreth ndjenjave të cilat ai i morri kur për herë të parë kishte në dorë poezitë e tij.
“Kontakti i parë me këtë dorëshkrim ka qenë me të vërtetë një befasi shumë e madhe të cilën rrallëherë e ndjej. Një njeri që rrethin e vet krijues e ka krijuar me teatrin, andaj më lë përshtypje ndërlidhja e tij me dy vepra shumë të mëdha të civilizimit të përgjithshëm. Ndërlidhjet që Lumi i ka bërë, është një tregues i qartë për një botë të madhe observuese. Kulmi i botës së tij të brendshme e shpërfaqte poezia e tij dhe përmbajtja e struktura e tyre i lidhte shekujt në një milenium”, thotë Beqiri.
Sipas tij, shihet qartë se në çfarë shkalle Lumi ka arritur të artikulojë një tematikë të gjerë me një strukturim aq të ndërlidhur dhe stilistikisht të ndërtuar.
“Gjuha e poezisë së tij poetike përqafon përdorimin dialektor duke kapërcyer pavrejtshëm kornizat e standardit jo me arrogancën proverbiale të shkarravitësve të të folmeve të mëhallave si gjuhë vjershërie, por kryekëput për nevojën që kërkon fryma vullkanike që nxjerr me ngulm arti i tij i rrallë”, përfundon Beqiri.
Gjithashtu, poetja Naime Beqiraj foli rreth frymës së regjisë por edhe të poezisë që Lumi posedonte.
“Para se të bëhej regjisor, Lumi ishte recitor. Deklamonte poezi në shkollë fillore, në gjimnaz, e kur erdhi në studime ishte deklamues i njohur. Por ai nuk mjaftohej vetëm me recitim, ndonëse zërin e tij të kadifenjtë dhe ndjenjën me të cilën përcillte vargjet të cilat nganjëherë shoqëroheshin me tinguj kitare, që admiroheshin nga të rinjtë, sidomos studentët. Shkruante poezi, po rrallë”, thotë Beqiraj.
Sipas saj, në vitet kur po binte perdja e hekurt e komunizmit në trojet arbërore, Bekimi organizonte tribuna e debate fillimisht në Prishtinë e pastaj në Tetovë, pastaj organizonte edhe intervista skenike e mbrëmje letrare në të cilat promovonte letërsinë moderne.
“Në të gjitha këto ngjarje që i praronte dora e tij, ndjehej fryma e regjisë e deri në milimetra shënjohej lëvizja e artistëve dhe e krijuesve në ambientet skenike, sidomos në Sallën e Kuqe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Por këto ngjarje nuk zgjatën. Ambientet po mbylleshin për publikun, lexuesit e letërsinë shqipe. Kafenetë nuk ishin zgjidhje. Poezia e mirë po krijohej gjithnjë e më rrallë. Bekimi zgjodhi të studionte regjinë e teatrit në Tiranë”, shpalos ajo.
Po ashtu, aktori Afrim Muçaj për të përmbyllur këtë natë, lexoi poezinë ‘Testament’, vargjet e së cilës përmbyllën mahnitshëm këtë natë mbresëlënëse që shpalosi madhështinë e poezisë së regjisorit, një madhështi e cila të lë pa frymë e që mrekullueshëm luhatet në vatrën e emocioneve që zgjuan fijet e rrëqethjeve të trupit njerëzor e ëmbëlsisht mbërthyen fokusimet e panevojshme në një guaskë të mbyllur.
Kështu, krejt në fund u shfaq edhe një video tre minutëshe ku regjisori në një intervistë tregonte lehtësisht dashurinë e tij për Shekspirin teksa duartrokitjet e publikut shndërroheshin në një varg intepretimi të zhurmës së ngjashme që trokitjet e duarve të tyre krijonin. / KultPlus.com