6 Mars, 2022 - 11:11 am
Nga Enver Morina
Jeto për të lënë gjurmë!
Libri i autores Zyrafete Berisha-Lushaj “Çast për tu rrëfyer”është i ndarë në tri pjesë. Këtë libër ia kushton Nënës. Që në fillim ka një kushtim, falënderim por edhe një hyrje për procesin krijues të një vepre. Në “Përkushtim” shkruan: “Ajo është nana ime, Galibishja (1944-2020). Kujtimit të paharrueshëm të saj. Shpirtit të saj të mirë, të pastër, shumë të pastër. Një femër fisnike, e cila jetoi duke dhënë shembullin e përkryer të një vajze, nane dhe një gruaje që zgjodhi veç mirësi për tu përballur me sfidat e jetës. E sfidat ishin të shumta…”
Autorja e quan këtë libër histori familjare, me këshillën e Nanës “Jeto për të lënë gjurmë”, një titull që më pas del i zgjeruar.
Autorja thotë se “jetën e përbëjnë imtësitë”. Tërë faqet e librit janë përshkrime me porosi e këshillë të qartë për breza të të gjitha moshave. Është siç thotë studiuesi i letërsisë, shkrimtari Petrit Palushi “libër i shkruar më shumë dashni e mirënjohje, më plot përkushtim”.
Autorja ka ruajtur dhe ka vënë në vargje trashëgiminë e harruar. Janë disa vargje imitim i moshës së fëmijërisë. Gjithashtu janë ruajtur këngë të cilat lexohen për herë të parë. Mbamendja rifreskohet me një lexim që rrjedhë me një thjeshtësi e dëlirësi të mahnitshme. Edhe skicat rrëfenjës janë një univers në vete. Autorja sikur e rindez jo vetëm si një kujtim i përjetuar por edhe si një këshillë për ardhmëri. Imazhe vërtetësie me një thjeshtësi rrëfimi.
“Çast” është prolog poetik me vetëm tri vargje: “Vazhdimisht/ Kam jetuar?/ Çastet e shkruara për jetën e saj.”
Derisa në pjesën e parë kemi përshkrime që kap hapësira e dukuri të prekshme, siç e titullon autorja “Jeto për të lënë gjurmë” në pjesën e dytë sikur “Kujtimet nuk lexohen vetëm” prandaj “Fjalët burojnë nga zemra”. Në pjesën e tretë, i titulluar “Pjesa e fundit” vijnë fragmente të tjera nga jeta në kohë “të largët”, në moshën e studimeve.
Në përgjithësi, janë fragmentet nga jeta, dromcat nga shoqëria, imtësitë nga familja që e bëjnë këtë libër kaq të afërt.
(e. s. m.)
(Libri i Zyrafete Berisha-Lushaj “Çast për tu rrëfyer” do të promovohet në Deçan me 8 mars 2022)./ KultPlus.com