7 Dhjetor, 2019 - 11:30 pm
Filozofi i lashtë grek, Epikuri, lindi në vitin 341 p.e.s. në ishullin e Samosit. Një prej filozofëve më të famshëm të kohës së tij, ka shkruar dhjetëra libra kryesisht mbi një temë në veçanti.
Epikuri ishte i fiksuar pas gjetjes së “tërfilit me katër fletë”: lumturisë, madje hapi edhe një shkollë për këtë. Shumë bashkëkohës kanë rrëfyer se për të qenë i lumtur, Epikuri bënte një jetë luksoze dhe herë – herë perverse, të tjerë i hidhnin poshtë këto fjalë dhe këmbëngulnin se interesi i Epikurit për lumturinë ishte tërësisht i sinqertë.
Në studimet e tij, Epikuri ka nxjerrë disa rezultate tejet interesante mbi lumturinë:
1.Nuk ka shenjë barazimi mes lumturisë dhe dashurisë
Epikuri mendonte se lumturia dhe dashuria pothuajse asnjëherë nuk shkojnë bashkë. Në një lidhje dashurore ka shumë xhelozi dhe keqkuptime.
Por nuk mendonte të njëjtën gjë për miqësitë, që sipas tij të bëjnë të lumtur, por që fatkeqësisht njerëzit i lënë në plan të tretë, pas familjes e punës.
2.Puna për para nuk na bën të lumtur
Thuhet rëndom se paratë nuk na bëjnë të lumtur, megjithatë duhet ta pranojmë se na e lehtësojnë goxha rrugëtimin.
Njerëzit punojnë për t’u përmbushur shpirtërisht e mendërisht, por edhe për t’u shpërblyer monetarisht, në mënyrë që të sigurojnë jetesën. Epikuri mendonte se puna e motivuar thjesht nga dashuria për para nuk të bën të lumtur. Njerëzit ndihen mirë vetëm kur punojnë për të ndihmuar të tjerët, kur ndiejnë se po bëjnë diçka të vlefshme për botën.
3.Frika nga vdekja e dëmton lumturinë
“Vdekja nuk na shqetëson, sepse sa kohë që ne ekzistojmë, vdekja nuk është këtu. Dhe kur ajo vjen, ne nuk ekzistojmë më”,- kështu ka thënë Epikuri. Sipas tij, frika nga vdekja është një gjërat kryesore që na shkakton dhimbje dhe që dëmton lumturinë. /KultPlus.com