21 Maj, 2019 - 11:30 pm
Epikuri thoshte se ne zakonisht bëjmë tre gabime kur mendojmë për lumturinë.
1. Mendojmë se na nevojiten marrëdhëniet romantike
Atëherë, ashtu si sot, njerëzit ishin të fiksuar pas dashurisë. Por Epikuri
vërejti se lumturia dhe dashuria (e jo më martesa) pothuajse asnjëherë nuk
shkonin bashkë. Ka shumë xhelozi, keqkuptime dhe hidhësi. Seksi është gjithmonë
i komplikuar dhe rrallëherë në harmoni me afeksionin. Do të ishte më mirë,
konkludonte Epikuri, që të mos i jepej shumë besim marrëdhënieve.
Ndryshe nga kjo, thoshte ai, vini re se sa shpërblyese janë shumica e miqësive: këtu jemi të sjellshëm, kërkojmë mirëkuptim, nuk shajmë apo zemërohemi dhe nuk jemi posesivë. Por problemi është se nuk i shohim mjaftueshëm miqtë tanë. Ne i japim përparësi punës dhe familjes. Nuk gjejmë kohë. Ata jetojnë shumë larg.
2. Mendojmë se na duhen shumë para
Atëherë, ashtu si sot, njerëzit janë të fiksuar pas karrierës, të motivuar nga një dëshirë për para dhe aprovim. Por Epikuri nxirrte në pah vështirësitë e punësimit: xhelozia, përgojimi dhe ambiciet e dështuara.
Ajo që e bën punën vërtetë të kënaqshme, besonte Epikuri, është kur ne jemi në gjendje të punojmë ose të vetëm, ose në grupe të vegjël dhe kur ndiejmë që ka kuptim, që po ndihmojmë të tjerët në një mënyrë apo një tjetër, dhe kur bëjmë gjëra që përmirësojnë botën. Nuk duam paranë apo prestigjin në të vërtetë, është një ndjenjë përmbushjeje përmes punës sonë.
3. Besojmë shumë tek luksi
Ne ëndërrojmë për luksin: një shtëpi e bukur, dhoma elegante dhe pamje të këndshme. Imagjinojnë udhëtime në vende idilikë, ku mund të pushojmë dhe të tjerët kujdesen për ne. Por Epikuri nuk binte dakord me këto dëshira tonat. Prapa fantazisë së luksit, ai besonte se në të vërtetë ne duam qetësinë.
Megjithatë, qetësia nuk vjen thjeshtë duke ndryshuar pamjen apo pasi zotërojmë një ndërtesë të bukur. Qetësia është një cilësi e brendshme që është rezultat i analizës: ajo vjen kur shoshisim shqetësimet tanë dhe i kuptojmë saktësisht.
Kështu që, na duhet shumë kohë për të lexuar, për të shkruajtur dhe mbi të gjitha, për të përfituar prej mbështetjes së rregullt të një dëgjuesi të mirë: një person simpatizues, i sjellshëm, i zgjuar që në kohën e Epikurit do të kish qenë një filozof, dhe që ne sot e quajmë terapist.
Me analizën e tij të lumturisë në dorë, Epikuri solli tre risi të rëndësishme:
– Së pari, ai vendosi që do të jetonte së bashku me shokë. Nuk donte t’i shihte më rrallë. Ai bleu një tokë me çmim modest diku jashtë Athinës dhe ndërtoi një vend ku ai dhe miqtë e tij mund të jetonin pranë e pranë.
Secili kishte dhomën e vet, dhe jashtë apo në katin përdhes kishte salla të përbashkëta. Në këtë mënyrë, banorët do të rrethoheshin gjithmonë nga njerëz që ndanin pikëpamjet e tyre, ishin argëtues dhe të sjellshëm. Kishte rotacion për kujdesjen për fëmijët. Të gjithë hanin së bashku. Kushdo mund të bisedonte nëpër korridore natën vonë. Në fakt ishte komuna e parë e vërtetë e botës.
– Së dyti, të gjithë në komunë pushuan së punuari për të tjerët. Ata pranuan shkurtime në të ardhura, në këmbim të të fokusuarit tek puna përmbushëse. Disa prej miqve të Epikurit iu dedikuan bujqësisë, të tjerë gatimit, pak prej tyre prodhimit të mobiljeve dhe artit. Kishin shumë më pak para, por më shumë kënaqësi të brendshme.
– Dhe së treti, Epikuri dhe miqtë e tij iu dedikuan gjetjes së qetësisë përmes analizës racionale dhe depërtimit brenda vetes.
Një pjesë të kohës gjatë ditës e kalonin duke reflektuar për ankthet e tyre, duke përmirësuar kuptimin që kishin për psikikën e tyre dhe zotëruar çështjet e mëdha të filozofisë.
Eksperimenti epikurian pati jehonë. U përhapën komunitete epikurianë në të gjithë Mesdheun dhe patën mijëra ndjekës. Këto qendra lulëzuan për breza të tërë – deri kur u shtypën brutalisht nga Kisha e krishterë, xheloze dhe agresive, në shekullin 5.
Por edhe atëherë, thelbi i tyre mbijetoi kur shumë prej tyre u shndërruan në manastirë.
Edhe sot, Epikuri mbetet një udhërrëfyes i nevojshëm në shoqëritë e përparuara kapitaliste të konsumit, për shkak se reklamat – mbi të cilat bazohet sistemi – funksionojnë duke ngatërruar njerëzit për atë që mendojnë se u duhet që të jenë të lumtur.
Një numër shumë i madh reklamash fokusohen pikërisht në ato tre gjëra që Epikuri i identifikoi si karremi fals i lumturisë: dashuria romantike, statusi profesional dhe luksi.
Nga seria “Mësime për jetën nga filozofët e mëdhenj”/KultPlus.com