31 Dhjetor, 2017 - 3:01 pm
Erenestina është një prej atyre grave që tronditë fort me poezinë e saj. Poezia është e brishtë, por mes rreshtash dalin lotët e lexuesit, dhe kjo mjafton. Viti 2017 ishte viti i frytshëm i Erenestinës, një studiuese e thuktë e cila në këtë intervistë për KultPlus na shpjegon shumë, kësaj radhe me fjalët e jo me poezinë si të tillë. “Shkrimi, krijimi është mbrojtja e vetmisë në të cilën ndodhet njeriu sipas meje” thotë mes tjerash Erenestina.
Arbër Selmani
KultPlus: Do ta nisnim këtë intervistë ndoshta me inspirimin tënd. Ku inspirohet një shkrimtare, një shpirt si Erenestina? Janë vuajtjet, humbjet, fitoret, lulet, apo gjithçka?
Erenestina Gjergji Halili: Jam çdo ditë në kërkim të maksimës së filozofisë së Sokratit “Njih vetveten”.
Dua të them se në konceptin tim, gjithçka e bën njeriun, gjithë rruga e tij në fazat e rritjes së jashtmi e së brendshmi. Njeriu mbetet sot e gjithë ditën objekt universal studimi, një qenie komplekse, në fakt objekt e subjekt, në totalitetin e përgjithshëm të qenies, të botës dhe të Zotit, atë që filozofia e quan “ekscentricitet”. Kjo mesa duket është shkakësia e parë pse shkruaj. Shkrimi, krijimi është mbrojtja e vetmisë në të cilën ndodhet njeriu sipas meje. Është një veprim që vetëm vjen nga një izolim efektiv, por komunikueshëm, në të cilin, pikërisht për largësinë nga të gjitha gjërat konkrete, bën të mundur një zbulim të marrëdhënieve ndërmjet tyre. Është një vetmi, që nuk ka nevojë të mbrohet, por as të justifikohet, është një reagim i diktuar nga urgjenca dhe kërkesa. Ruajtja e fjalëve nga kotësia e tyre, zbrazëtia e tyre, duke u dhënë atyre qëndrueshmëri, duke i krijuar dhe latuar stilistikisht e forcuar samantikisht, është qëllimi që ndjek, madje herë-herë pa e ditur, që në të vërtetë shkruan. Zbulimi i “sekretit” dhe komunikimi, këto mund të jenë shkaqet e dyta…Të shkruash është një akt besimi, e si çdo besim, kërkon besnikëri!
KultPlus: Shkruani në një dialekt tjetër, në një gjuhë që ndoshta është e humbur në letërsinë shqipe, atë bashkëkohoren. Na tregoni pak më shumë se si mishërohesh në këtë frekuencë gjuhësore?
Erenestina Gjergji Halili: Gjuha e poezisë sime, është identiteti dhe liria ime artistike. Është gjuhë e trashëguar, e ruajtur deri vonë në kujtesë, e transliteruar, e folur në mjedisin familjar, e ardhur edhe përmes dokeve e utilitetit. Është e mbarsur me filozofinë e të jetuarit: të jesh gegë, jo vetëm flet gegë, por mendon gegë. Leksiku i pasur, fonemat që shërbejnë për të kumtuar një mendim të tërë edhe të vetëm, paskajorja e mrekullueshme, ritmi, kadenca, homonimitë që të çojnë ku ti dëshiron të shkosh. Jo vetëm kaq, të rrokësh qiejt e tu, kur ke model dhe motivim traditën e shkëlqyer, humanistët, eposin, françeskanët, letrat dhe kulturën e tyre, të ardhura si dëshmi e gegnishtes, janë një barrë e rëndë kur tenton t’i tregohet lexuesit. Megjithatë, është një andje e madhe, një kndellje shpirtërore, që identifikon unin tënd të vogël, në arkën e madhe të thesareve.
KultPlus: Keni pasur një humbje të madhe në jetë? A flet shpirti gjatë dhimbjes, e çka ti bëhet shpirtit që ka fjalë po nuk mundet ti shkruajë e përkthejë në letër?
Erenestina Gjergji Halili: Gjithçka di për dhimbjen e gjeni në librin tim… Më lejoni ta mbaj për vete dhimbjen e nanës, sepse unë jam si të gjitha nanat e tjera, madje me fat, sepse rrekem nëpër rreshtat e mi, ndërkohë ka zemra nanash që plasin atje tej, ku ndoshta mungon buka për të tjerët e barkun e saj, mungon shtegu për t’ia dalë m’u mbajtë…Në respekt të këtyre nanave, unë nuk kam folur për veten edhe pse e kam mundësinë e të intervistuarës.
Ndërsa kam pranuar të rrëfehem për librin, duke e konsideruar atë një ngjarje letrare.
KultPlus: E dimë se jeni aktive edhe në dramë. Në një formë, jeni një hulumtuese e letërsisë nga pikëvështrime të ndryshme. Ku qëndron sipas teje letërsia shqipe në hartën e letërsisë evropiane?
Erenestina Gjergji Halili: Ne kemi trashëgimi të vonë, por të mirë dramatike. Rruga e letërsisë dramatike shqipe dhe i referohem si letërsi kombëtare dramatike, është e ngjashme me udhën historike të vetë kombit tonë. Pa i hyrë analizave të thella akademike të gjinisë, mund të them se, drama moderne shqipe andej e këtej Drinit, ka formësuar tiparet e veta, parimet estetike të saj, ka njohur suksese të caktuara në skenat ndërkombëtare dhe është në udhën e përsosjes brenda vetes, si nga ana tekstore,ashtu edhe strukturore. Në hartën e botës, drama shqipe, sipas hulumtimit tonë, të cilin e gjeni në “ Bibliografia e dramës shqipe të botuar 1883-2017”, është botuar shqip në 20 (njëzet) vende. Ky është një numër domethënës, që dëshmon pasionin e shkrimtarëve dramaturgë.
KultPlus: Kemi një Kadare, por nuk e kemi një grua shkrimtare të përmasave të tilla. Është kjo shkaku i shtypjes së zërit të gruas ndër shqiptarë apo…. ?
Erenestina Gjergji Halili: Nuk mund ta shoh krejtësisht kështu, por edhe nuk mund ta mohoj. Ne jemi shoqëri në zhvillim, në kërkim të vlerave të tjera të cilat i kanë bërë kombet e tjera më të përparuar. Një shoqëri e tillë, padyshim reflekton edhe gjykime e paragjykime të tilla ndaj autoreve femra. Personalisht, në studimin tim për dramën, i kam kushtuar vëmendje të posaçme krijimtarisë dramatike të autoreve femra, që prej tekstit të parë dramatik e deri më sot. Nga ana tjetër gjykoj se çdo individ, duhet ta shohë realitetin e artit të tij e realitetin jetësor, drejt në sy! Jam e bindur se letërsia jonë femërore ka emra dinjitozë!
KultPlus: Për fund, dy pyetje më klishe. Një këshillë jotja për shkrimtarët e rinj, dhe planet tua letrare e artistike për këtë vit të ardhshëm ?
Erenestina Gjergji Halili: Po përmend një thënie nga Susan Sontag, e cila thotë se për të pasur qasje në letërsi, në botën e letërsisë, m’u desh të largohesha nga burgu i vanitetit kombëtar, nga filistinizmi i provincializmit të detyrueshëm, i shkollimit bosh, i fakteve joperfekte dhe i fatit të keq. Letërsia ishte liri, veçanërisht në një kohë, në të cilën vlerat e leximit të së brendshmes, janë të sfiduara kaq fuqishëm. Edhe sot, letërsia është dhe duhet të jetë liri…
Pra, nuk kam asnjë këshillë specifike, por një urim: Zoti i bekoftë!
Sa për planet… / KultPlus.com
I huej n’qytet
Nji malcor, i huej n’qytet
Prej s’neltit râ n’teposhtë
Veshun n’nji gozhup leshit,
duhan t’dredhun majé veshit,
me do pare rrânzë mesit
e nji kangë majé krahìt,
i huej malcori Gjetë, n’qytet …
Rrapullima majé rruget,
kulla t’nelta majé njerìt,
kërkush gjall’ s’p’e përshnet,
kush s’e sheh, as kush e dvetë,
i huej â end Gjeta n’qytet …
Ulë n’nji lulishtë âsht ndejt,
fjetë ka midis dimni n’gazep,
xetë po e mbâ gozhup i thurun,
malcori Gjetë n’t’madhin qytet…
Hesht si njerì qi fjalë s’qet,
hjedh si strajcë njat gozhup t’bâmë,
prej po rreh shteg me dalë,
hapngarkuem, maná t’randë,
i huej, malcori n’at dimën t’namtë…