30 Gusht, 2019 - 6:30 pm
Fragment nga Harku i Triumfit
Ti… Ti ishte gjithmonë aq i sigurt! Ishe aq i sigurt, sa më vinte të shkalloja! Asgjë s’mund të të shkundte nga ajo siguri!…E urrej atë epërsinë tënde! Sa herë jam pushtuar nga ajo urretje për të!… Unë kam nevojë për entuziazëm! Kam nevojë për një njeri që të çmendet pas meje, të lajthitë bashkë me mua!
Më duhet një njeri që s’bën dot pa mua! Kurse ti mund të jetosh edhe pa mua! Gjithmonë ke mundur! S’ma ke nevojën! Je i ftohtë! Je i zbrazët! Ku di ti ç’është dashuria! Kurrë s’ke qenë për mua ai që duhej të ishe!… Të pata gënjyer atëherë kur të thashë që kjo punë ndodhi kështu sepse mungove dy muaj. Kështu do të ndodhte edhe sikur të kishe mbetur këtu.
Mos m’i zbardh dhëmbët! Unë jam e zonja t’i dallojë ndryshimet, i di të gjitha; e di që ai tjetri nuk është i zgjuar dhe nuk është kështu si ti, por ai bënë çmos për mua, ngordh për mua, për të s’ekziston asgjë përveç meje; ai e ka mendjen vetëm tek unë, nuk do njeri tjetër përveç meje, nuk njeh tjetër përveç pushtetit tim… Ja, për këtë kam nevojë unë! /KultPlus.com