24 Qershor, 2022 - 11:59 pm
“Jam kthyer nga Shqipëria ku u nderova me Çmimin Kadare. Isha i dërrmuar, por shkova atje për të respektuar atë vend të varfër e heroik, i cili e jepte për herë parë për mua atë çmim.
Në qytetin e Tiranës m’u bënë nderimet më emocionuese në jetën time. Ky popull i vuajtur nga një tirani e egër, ku ende duken gjurmët e diktaturës: fytyra të prishura nga heqkeqja, bunkerë të përzishëm, me të cilët diktatori kishte mbushur vendin, më priti si një mbrojtës, si një mbret, si birin e saj të dashur.
Në dorëzimin e këtij Çmimi pati këngë dhe valle që s’do t’i harroj kurrë. Shkrimtari shqiptar, Visar Zhiti, më dorëzoi një urnë me dhé që e kishte sjellë nga vendlindja e nënës sime. Ai më tregoi një fletore që e kishte mbajtur fshehur në burg; me ca germa të vockla kishte kopjuar një tekst nga Kamy dhe fragmentin “Djalosh i dashur dhe i largët” nga libri im «Engjëlli i skëterrës». Me lot në sy, më tha se për shumë vjet që kishte qëndruar si i burgosur politik në qelitë e errëta, çdo ditë lexonte këto faqe, fshehtas, që të mund të rezistonte. U trondita dhe u mallëngjeva njëherazi, që me fjalët e mia i paskësha shërbyer atij heroi nga të shumtët të tillë që banojnë në atë vend, sot përsëri në luftë.
Të nesërmen na përcollën me muzikë e me lule; pata aq shumë emocione sa në korridoret e aeroportit të Vjenës më ra të fiktë. Elvira vrapoi të gjente një mjek dhe vetëm pas disa orësh mundëm të niseshim për në Madrid.
Jam kthyer përsëri në shtëpi dhe mendoj për ato që pashë në atë tokë të të parëve të mi, një popull që vjen nga vuajtje e nënshtrim për dekada të tëra; dhe nuk do t’i harroj kurrë ato nëna që kanë parë bijtë e tyre të vdesin në mënyrat më barbare e, megjithatë, vazhdojnë të jenë aq shpirtmëdha. Në vetminë e dhomës sime, zemërpërvëluar nga vdekja e Horhes, po pyes veten se cili Zot fshihet pas vuajtjes.”
– ERNESTO SÁBATO (pjesë nga libri i tij “Përpara fundit”)
Më 30 prill 2011 u nda nga jeta Ernesto Sábato (24 qershor 1911 – 30 prill 2011) shkrimtari dhe eseisti argjentinas me prejardhje arbëreshe. Për veprën e tij letrare është nderuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare, midis të cilëve me çmimin Romani më i Mirë i Huaj, në Paris (1976) për romanin “Ëngjëlli i skëterrës” dhe Çmimin Migel Servantes (1984). Në vitin 1995 u ftua të vinte në Shqipëri, ku iu dha çmimi Kadare dhe u nderua me titullin Nderi i Kombit, për të cilin, i entuziazmuar, u shpreh se për të ky ishte më i madh se çmimi Nobel. / KultPlus.com