Ernesto Sabato, shkrimtari i madh argjentinas dhe lidhja e tij me shqiptarët..

19 Prill, 2019 - 8:00 pm

Ishte, si tani, fund prilli i vitit 1996 kur nga avioni zbriti në Rinas një burrë mbi të 80-at. Në kokë mbante një kapele të vendosur gjysmë mënjanë, me syze të errata dhe me një pardesy hedhur shkarazi mbi supet. Ishte Ernesto Sabato, shkrimtari argjentinas, me origjinë nga arbëreshët e Italisë.

Fjalët e para që tha ishin shumë kuptimplote: “Jam shumë i emocionuar që ndodhem këtu sepse një e katërta e gjakut tim është shqiptar”
Me prejardhje nga Kalabria e Italisë, i cilësuar si i barazvlefshëm me Borges, Marquez, Cortazar, atë ditë me re nuk harroi të tregonte se në studion e tij kishte një gravurë veneciane të heroit të madh të shqiptarëve Gjergj Kastriot Skënderbeut.

– Me cilët nga personazhet tuaj do të mund të identifikoheshit sot? – ishte një pyetje e gazetares. Bëhej fjalë për personazhe që Atë e bënë të njohur në të gjithë botën me librat që shkroi si “Tuneli”, “Heronj dhe varre” dhe “Ëngjëlli i errësirrës” të sjella edhe në shqip nga përkthyesja Mira Meksi.
Vështroi pak dhe tha : – “Të gjithë janë mishërime të inkoshiencës sime, e cila asnjëherë nuk gënjen. Të gjithë jemi një përzierje e mirësisë dhe së keqes, e ateizmit dhe besimit, e bujarisë dhe egoizmit, e frikës dhe e trimërisë.
-Çfarë ju shtyn kur shkruani ?
-Instikti
-Asnjëherë arsyeja?
-Arsyeja nuk i shërben ekzistencës. Arsyeja i shërben teoremave matematike dhe fabrikimit të sendeve. Shpirti i qënieve njerëzore në thellësinë e tij nuk është për gjëra të tilla. Përpara personazheve të mi ndjehem si përpara qënieve me mish dhe kocka, që i kam krijuar vetë por edhe që s’më binden. Diçka e vështirë për t’u shpieguar.
Mandej gazetaria e pyet për raportet e tij me gratë :
– Matilde është gruaja e vetme e jetës suaj apo keni patur edhe dashuri të tjera?
– Kam patur edhe dashuri të tjera si çdo qënie njerëzore. Disa më të forta se të tjerat. E çfarë? Kultura të mëdha në lashtësi kanë qënë poligame. Vetëm në këtë shoqëri hipokrite dhe borgjeze fshihet prirja natyrale e qënies njerëzore.

Vizitoi Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, Muzeun Arkeologjik në Durrës, u njoh nga afër me historinë e stërgjyshërve të tij, për të cilën do të shprehej:
“-Gjatë qëndrimit tim në Shqipëri kujtova shumë nënën time, e cila është me prejardhje shqiptare. Nëna ime ishte shqiptare dhe fliste shqip. Ajo ishte si një perëndi për mua… Në Shqipëri do të kem rastin të njoh vëndin e parardhësve të mi. Jam shumë i prekur nga ftesa që më është bërë”.

“Nëna ime ka jetuar gjithnjë me nostalgjinë e të parëve të saj. Gjithmonë ajo fliste shqip me të vëllain e saj. Madje edhe sot më kujtohen disa fjalë shqip që kanë të bëjnë më bukën, shtëpinë… Ajo rridhte nga një familje e vjetër e vendosur në Kalabri, në “Magna Grecia” siç quhej atëherë, fill pas vdekjes së Skënderbeut, në fshatin San Martino -tregon Sabato.
Nga mijra familje shqiptare që shkuan në Kalabri, nën mbrojtjen e mbretit të Napolit, mik dhe aleat i Skënderbeut, ishte edhe familja e nënës time, e cila u vendos fillimisht në Santa Martino de Finita…
“Mbaj mend që gjyshja e nënës time quhej Maria Gjuzepina e San Marcos (fshati ku jetonin në atë kohë), një grua e hekurt dhe me karakter të fortë, por edhe një grua e mrekullueshme. Kur nëna ime u martua, ajo i kishte dhënë një unazë të vjetër të familjes me inicialet M. S. pra San Marco. Këtë unazë, para së të vdiste, nëna ime ia dha gruas time, Matildës, ndërsa më pas, ajo ia dha mbesës time që quhet Marina Sabato. Kështu kjo unazë e vjetër shqiptare shtegton nga brezi në brez.”
E gjithë Shqipëria më do shumë dhe unë i shpreh shumë mirënjohje asaj – ishin fjalët e tij të lamtumirës..

Ernesto Sabato u nda nga jeta më 30 prillin e vitit 2011, në moshën 99 vjeçare. Ne shqiptarët kemi arësye të përligjura t’a kujtojmë këtë personalitet kompleks të trungut tone amëtar sepse edhe Ai kurrë nuk rreshti së kujtuari me krenari origjinën e tij shqiptare./ filozofia.al

Të ngjajshme