14 Dhjetor, 2017 - 5:10 pm
Esad Mekuli, një prej poetëve më të mirë që kanë njohur shqiptarët, në vitin 1983, pra 34 vjet më parë, në një intervistë tha diçka të vërtetë, por edhe të rrezikshme për atë kohë.
“Kosova është një krahinë që përbëhet prej shumë nacionaliteteve, ku dominon KOMBËSIA Shqiptare” – tha mes tjerash Mekuli në këtë intervistë, derisa po punonte si redaktor në gazetën shqipe ‘Rilindja’ por edhe tek revista letrare ‘Jeta e Re’.
Ai tregon në këtë intervistë se megjithatë redaksia gjithmonë ka qenë e interesuar të përfshijë edhe malazezët, serbët, turqit, romët, por edhe ajo vetë si e tillë ishte e papërvojë në këtë aspekt dhe në numrat që do të vinin do të kishte më shumë përfshirje, shkruan KultPlus.
Esad Mekuli ishte kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, nismëtar, themelues dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Pos shkrimeve kryesisht në poezi, Esad Mekuli ka përkthyer nga gjuha shqipe në atë serbe dhe anasjelltas. Ka përkthyer në shqip rreth 18 vepra të të gjitha gjinive letrare.
Deklaratat e tij asokohe përbënin një thumbim në debatin e nacionaliteteve, kur shqiptarët dhe kosovarët kishin pak të drejta në vendet ku jetonin.
Mekuli vdiq në Prishtinë me 6 gusht 1993. / KultPlus.com