1 Tetor, 2020 - 12:00 pm
Anipse kohët e sotme edhe në Kosovë për librin po thonë se ka hyrë në “dimër“, megjithatë duket se herë pas here pikërisht në këto kohë të liga të pandemisë, kishte edhe krijues të cilët gjetën frymëzimin dhe qitën në letër përjetimet nga këto kohë të vështira. Njëri ndër ta është edhe gazetari veteran Esad Dujaka, i cili këto ditë botoi librin e tij të pestë, titulluar “Kosova 2020“.
Autori kohë më parë ka deklaruar se ky është një libërth që nuk ka pretendime më shumë se të jetë një kronikë e shkurtër për disa ngjarje pak më të theksuara nëpër të cilat ka kaluar ky vend, pra Kosova në 9 muajt e parë të këtij viti.
Nis me pandeminë, e cila Kosovën e gjeti të papërgatitur, dhe në tërë këtë siklet nëpër të cilin po kalonte shëndetësia shëndetlige e Kosovës, mu në ditët më të vështira të thuash se të gjitha subjektet politike bën gara të paqëlluara se cila e kush mund ta luftonte më mire pandeminë në këtë vend të varfër, me kapacitete të vogla që nga shtrirja spitalore e deri te numri i duhur i stafit, i cili ka vite që nisur nga tretmani jo i duhur stimulus, kanë marr rrugën e kurbetit…
Autori i “Kosova 2020“ në këto rrethana, që mbjellin edhe pesimizëm, mundohet të gjejë edhe momente që japin shpresë duke i gjetur me emër e mbiemër edhe ata që luftojnë kundër kësaj pandemie duke rrezikuar edhe jetën e vet. Madje, autori i këtij libri përpiqet që përmes shembullit të vet të jap shpresa për njerëzit që humbin shpresën se si autori dikur e ka tejkaluar kancerin dhe se këtë e ka arritur nga optimizmi, pra nga vullneti i madh për ta dashur jetën dhe punën e për të mos menduar se çfarë e gjeti, se po i afrohet fundi i gjithë kësaj që quhet jetë me fund, që edhe ky fund te e fundmja është pjesë e vetë jetës…
Ndërkaq në pjesën e dytë, autori trajton çështjen e shtetndërtimit të Kosovës, e ku vërehet një revoltë e Dujakës, i cili ngreh zërin se pse për 20 vite Kosova nuk u bë shtet e të qëndrojë e fortë mbi themelet e veta? Sipas autorit, Kosova e fitoi luftën ndërkaq që për shkaqe që tanimë i di mirë edhe qytetari i thjeshtë i këtij vendi, Kosova nuk e ka fituar ende LIRINË, në kuptimin thelbësor e përmbajtësor të saj. Sipas tij, edhe subjektet politike nga dëshira të marrin pushtetin, kanë harruar se si ta ndërtojnë një shtet të shëndoshë ku do të dominonin të drejtat e njeriut, pastaj barazia e mbi të gjitha demokracia, ku edhe faktori i jashtëm mban një pjesë të fajit që nuk ka insistuar më me ngulm që Kosova të mos sundohet nga grupe “oligarkësh“ dhe “feudesh“.
Pikërisht duke e shtjelluar këtë problematikë të dhembshme për një vend të vogël, siç është Kosova, Dujaka në disa faqe thuajse bënë dialog me njerëz intelektual të njohur të Kosovës që tanimë nuk jetojnë. Kështu ai, i thekson emrat e intelektualëve si Fehmi Agani, Gazmend Zajmi, Ali Hadri e të tjerë, duke aluduar se kemi apo çfarë ngjau që subjekti intelektualizëm nuk është më në elitat politike dhe diplomatike të këtij vendi!?
Pse, përgjigjja është e dhembshme – se një pjesë e tyre janë rehatuar mirë dhe mirë jetojnë me disa privilegje që kanë marrë nga pushtetarët që vijnë e ndërrohen çdo tre muaj ose edhe më rrallë, prandaj shtresa e tillë e intelektualëve fatkeqësisht thuajse edhe nuk është e interesuar t’i shtjejnë “there” këmbës së shëndoshë …
Pjesën tjetër të intelektualizmit, që mund të jetë edhe më e zëshmja, nuk e angazhojnë sepse ajo thuajse iu prish punë oligarkëve, të cilët mendojnë se janë madje-madje edhe të pazëvendësueshëm dhe se vetëm ata mund ta marrin Kosovën mbi supe dhe ta dërgojnë në Bruksel e edhe më larg…
“Kosova 2020“ trajtojnë edhe Takimin historik të 4 shtatorit të këtij viti në Dhomën Ovale në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Autori, si gazetar me përvojë e në bazë të takimeve dhe bisedave që ka pasur me miq që i njohin mire këto ecuri në relacionet gjeostrategjike, është i sigurt se SHBA-ja është dhe mbetet vend mik i sinqertë, që ka kontribuar më së shumti e pa hile deri në fund që Kosova të bëhet shteti i dytë shqiptar në këto anë të Ballkanit Perëndimor.
Uashingtoni përmes zhvillimit ekonomik jo vetëm të Kosovës por edhe të vendeve përreth, dëshiron të dominojë në këtë mënyrë dhe një rrugë e dy punë – ta zvogëlojë por edhe ta largojë njëherë e përgjithmonë nga këto anë dominimin e Moskës, jo vetëm nga aspekti ekonomik por mbi të gjitha nga ai ushtarak e i sigurisë, i cili dominim që me dekada sillet e mbështillet me metodat më përfide nga Danubi e deri në Adriatik …
Autori i këtij libri, që botues ka “Jalifat Publishing“ nga Houstoni i SHBA-ve, në pjesën e fundit trajton tema edhe nga gazetaria, por edhe nga Prishtina që nga shtrirja arkitekturale e deri te pjesë të jetës që, sipas Dujakës, e lëndojnë dhe ngapak e njollosin këtë qytet të mbipopulluar që po përballet edhe me probleme të tjera që duhet mënjanuar nëse mendohet shkuar në drejtim të Evropës së civilizuar…/KultPlus.com