Ese: Ikja nga kënaqësitë me çmimin e jetës

17 Maj, 2024 - 4:37 pm

Michel de Montaigne (1533-1592), filozof, shkrimtar dhe politikan francez. I njohur edhe si aforist, Montaigne pas tërheqjes nga jeta publike iu përkushtua studimit dhe shkrimit të Eseve të tij, të cilat patën një ndikim të jashtëzakonshëm në Francë dhe në mbarë botën.

IKJA NGA KËNAQËSITË ME ÇMIMIN E JETËS

(Libri I, XXXIII)

Kisha konstatuar se pjesa më e madhe e opinioneve antike bien në ujdi për këtë: se është koha për të vdekur kur të jetosh është më keq se sa më mirë; dhe se të ruajmë jetën tonë me turbillirën dhe dëmin tonë, është të shkojmë kundër ligjeve të natyrës, dhe siç thonë sentencart e vjetra:

«Ose jeto qetësisht ose vdis lumturisht»

«Është mirë të vdesësh kur jeta është për faqe të zezë»

«Është më mirë të mos jetosh se sa të jetosh i palumtur»

Por të shtyesh përçmimin e vdekjes deri në pikën sa të shërbehesh me të për t’iu shmangur ndereve, pasurive, madhështive dhe favoreve të tjera që i quajmë të fatit, sikurse arsyeja të mos kishte mjaftuehëm për të bërë për ta bindur që t’i braktisim, pa ia shtuar këtë mbingarkesë të re, nuk e kisha parë as të përshkruar as të praktikuar deri në momentin kur më ra në dorë ky pasazh i Senekës, në të cilin ai e këshillon Lucilin, personazh shumë i fuqishëm dhe me autoritet të lartë pranë perandorit, ta ndryshojë atë jetë kënaqësish dhe shkëlqimi dhe të braktisë atë ambicie mondane për një lloj jee vetmitare, të qetë dhe filozofike. Për çka, megjithatë, Lucili, nuk ishte krejt i bindur: «Jam i mendimit», i thotë tjetri, «se ti duhet ta braktisësh atëfarë jete, ose tamam vetë jetën; natyrisht të këshilloj të ndjekësh rrugën më të lehtë dhe të zgjidhësh në vend se të presësh atë që e ke bërë nyje keq, mjaft që, nëse nuk mund të zgjidhet ndryshe, ta thyesh. S’ka njeri aq frikacak që të mos preferojë më shumë të bjerë njëherë se sa të qëndrojë përherë në zgrip». E shoh këtë këshillë të përshtatshme për fortësinë stoike; po gjëja më e çuditshme është se ajo është marrë nga Epikuri, i cili, në lidhje me këtë, i shkruan Idomeneut gjëra pothuajse të njëjta.

Megjithatë më duket se kam gjetur disa pjesë të ngjashme mes autorëve tonë, por me maturinë e krishterë. Shën Ilari, ipshekv i Poitiersit dhe armik me nam i herezisë ariane, derisa ishte në Siri ishte informuar se Abra, bija e tij e vetme, të cilën ai e kishte lënë në vendin e tij me të ëmën, ishte kërkuar për grua nga zotërinjtë më të mëdhenj të vendit, duke qenë se ishte vashë e goxha e edukuar, e bukur, e pasur dhe në lulen e rinisë. Ai i shkroi asaj (siç e shohim) që të mos interesohej për të gjitha ato kënaqësi dhe avantazhe që i ofroheshin: se ai i kishte gjetur gjatë udhëtimit të tij një zgjedhje më të mirë dhe më të denjë, një burrë bukur më të pasur dhe më të fuqishëm, që do t’i dhuronte stoli me vlerë të paçmueshme. Plani i tij ishte ta bënte të humbiste shijen dhe zakonin e kënaqësive të botës, për ta lidhur të tërën me Zotin; por duke iu dukur se mjeti më i shpejtë dhe më i sigurt për ta arritur këtë qëllim ishte vdekja e bijës së tij, nuk reshti, me njete, lutje dhe urata, t’i kërkonte Zotit ta hiqte nga kjo botë dhe ta thërriste pranë vetes, siç edhe ndodhi; në të vërtetë, pak pas kthimit të tij ajo vdiq dhe ai shfaqi një gëzim të paparë. Ai duket se ua kalon të tjerëve, duke qenë se iu drejtua menjëherë atij mjeti, të cilin të tjerët e zgjedhin vetëm si ndihmës, për më tepër që bëhej fjalë për bijën e tij të vetme. Po s’dua ta lë jashtë fundin e kësaj historie, edhe pse s’lidhet me tekstin im. Gruaja e Shën Ilarit, duke e marrë vesh prej tij se si vdekja e bijës së tyre kishte ardhur sipas planit dhe dëshirës së tij, se si ajo ishte më me fat që e kishte lënë këtë botë se sa të kishte mbetur në të, qe kapluar nga një lehtësim i gjallë i bekimit të përjetshëm dhe hyjnor sa iu lut me këmbëngulje të pashoqe burrit të saj të bënte po aq për të. E meqë Zoti, në vijim të lutjeve të tyre të përbashkëta, e thirri pas pak pranë vetes, qe një vdekje e pranuar nga të dy me një gëzim të pamasë.

/Marrë nga: Michel de Montaigne, Saggi; Bompiani, 2012 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

Të ngjajshme