Ese nga Isaih Berlin: Një mesazh për shekullin XXI

11 Janar, 2025 - 5:26 pm

Më 25 nëntor 1994, Isaiah Berlini e kishte pranuar titullin e nderit Doktor i Drejtësisë në Universitetin e Torontos. Në ceremoninë e rastit ai e kishte lexuar këtë tekst, i cili ishte botuar njëzet vjet më vonë, 23 tetor 2014, nga The New York Review of Books. Më 2015 pastaj ishte përfshirë në antologjinë ‘The Best American Essays, 2015’, të përgatitur nga Ariel Levy dhe botuar  nga Houghton Mifflin Harcourt

NJË MESAZH PËR SHEKULLIN XXI

Nga Isaiah Berlin

“Ishte koha më e mirë, ishte koha më e keqe”. Me këto fjalë Dikensi e nis romanin e famshëm ‘Tregimi i dy qyteteve’. Por kjo, medet, nuk mund të thuhet për shekullin tonë të llahtarshëm. Njerëzit prej mijëra vitesh e kanë shkatërruar njëri-tjetrin, por të bëmat e Atilës, Xhengis Kanit, Napolonit (i cili e futi vrasjen masive në luftë), madje edhe masakrat armeniane, e humbin kuptimin para Revolucionit rus dhe pasojave të tij: shtypja, tortura, vrasja që mund t’i lihen te dera Leninit, Stalinit, Maos, Pol Potit dhe falsifikimi sistematik i informacionit që pamundësonte njohjen e këtyre tmerreve me vite të tëra – këto janë të pakrahasueshme. Ato nuk janë fatkeqësi natyrore, por krime njerëzore të parandalueshme dhe çkado që mund të mendojnë ata që besojnë në determinizmin historik, ato mund të shmangeshin.

Unë flas me një ndjesi të veçantë, ngase jam njeri njëmend në moshë dhe kam jetuar gjatë pothuajse gjithë shekullit. Jeta ime ka qenë e qetë dhe e sigurt dhe disi ndihem me turp për këtë, duke pasur parasysh atë që u ka ndodhur shumë qenieve njerëzore. Unë nuk jam historian dhe nuk mund të flas me autoritet rreth shkaqeve të këtyre tmerreve. Po prapëseprapë, mbase mund ta provoj.

Ato nuk ishin shkaktuar, sipas mendjes sime, nga ndjenjat e rëndomta njerëzore negative, siç i kishte quajtur Spinoza – frikë, makutëri, urrejtje tribale, xhelozi, etje për pushtet – sado që edhe ato e kanë luajtur rolin e tyre në këtë. Ato janë shkaktuar, në kohën tonë, nga idetë; ose më konkretisht, nga një ide e veçantë. Është paradoksale që Karl Marksi, i cili e kishte minimizuar rëndësinë e idesë në krahasim me forcat jopersonale sociale dhe ekonomike, të mund, me shkrimet e tij, të ketë shkaktuar shndërrimin e shekullit XX, në të njëjtën kohë në drejtim të asaj që ai donte dhe, si reaksion, kundër saj. Poeti gjerman Hajne, në njërin prej teksteve të tij të njohura, na thotë të mos e nënçmojmë filozofin e qetë të ulur në studion e tij; Nëse Kanti s’do ta kishte dërrmuar teologjinë, deklaroi ai, mbase Robespierre nuk do ta kishte prerë kokën e mbretit të Francës.

Ai parashikoi se dishepujt e armatosur të filozofëve gjermanë – Fichte, Schelling dhe etërit e tjerë të nacionalizmit gjerman – një ditë do të shkatërronin monumentet e mëdha të Evropës Perëndimore në një dallgë të shkatërrimit fanatik para të cilit Revolucioni francez do të dukej një lojë fëmijësh. Kjo mund të ketë qenë e padrejtë për metafizikët gjermanë, sidoqoftë ideja qendrore e Hajnes duket të jetë valide: në një shkallë të ulët, ideologjia naziste i ka pasur rrënjët te mendimin gjerman anti-Iluminist. Ka njerëz që do të vrisnin dhe gjymtonin me një ndërgjegje të qetë nën ndikimin e fjalëve dhe shkrimeve të disa prej atyre që janë të sigurt se e dinë se mund të arrihet perfeksioni.

Lejomëni të shpjegohem. Nëse jeni njëmend të bindur se ka njëfarë zgjidhjeje për të gjitha problemet njerëzore, se mund të përfytyrohet një shoqëri ideale që njerëzit mund ta arrijnë veç nëse bëjnë atë që është e domosdoshme për t’ia dalë në krye, atëherë ju dhe shokët tuaj duhet të besoni se asnjë çmim nuk mund të jetë aq i lartë për ta paguar me qëllim që t’i hapen dyert një parajse të tillë. Vetëm budallai dhe dashakeqi do t’i rezistojë me t’iu ofruar njëherë një e vërtetë kaq e thjeshtë. Ata që rezistojnë duhet të binden; nëse nuk mund të binden, duhet të kalohen ligjet që i shtrëngojnë ta bëjnë këtë; nëse kjo s’kryen punë, atëherë detyrimi, po qe nevoja për dhunë, do të përdoret në mënyrë të pashmangshme – nëse e domosdoshme, terrori, kasaphana. Lenini e besoi këtë pasi që e lexoi Das Kapital, dhe në mënyrë konstante ligjëroi se nëse një shoqëri e drejtë, paqësore, e lumtur, e lirë dhe virtytshme mund të krijohet me mjetet për të cilat avokonte ai, atëherë qëllimi i justifikon cilatdo metoda që lypset të përdoren, literalisht cilatdo.

Bindja që fshihet nënë këtë është se çështjet qendrore të jetës njerëzore, individuale a shoqërore, kanë një përgjigje të vërtetë që mund të zbulohet. Mund dhe duhet të implementohet dhe ata që e kanë gjetur atë janë liderët fjala e të cilëve është ligj. Ideja se për të gjitha çështjet e çiltra mund të ketë vetëm një përgjigje të vërtetë është një mendim bukur i moçëm. Filozofët e mëdhenj antikë, hebrenj dhe të krishterë, mendimtarët e Renesancës dhe Parisi i Luigjit XIV, reformuesit radikalë të shekullit XVIII, revolucionarët e shekullit XIX – sado shumë që të dallonin rreth asaj se cila ishte përgjigjja ose si të zbulohet ajo (dhe luftërat e përgjakshme ishin bërë për këtë) – që të gjithë ishin të bindur se e dinin përgjigjen dhe se vetëm veset njerëzore dhe budallallëku mund ta pengojë realizimin e saj.

Kjo është ideja për të cilën fola dhe ajo që do të doja t’jua them është se është false. Jo vetëm ngase zgjidhjet që japin shkollat e ndryshme të mendimit social dallojnë dhe asnjëra nuk mund të demonstrohet me metoda racionale – por për një arsye edhe më të thellë. Vlerat qendrore me të cilat shumica e njerëzve kanë jetuar, në shumë vende të mëdha në kohëra shumë të mëdha – ato vlera, pothuajse nëse jo krejtësisht universale, nuk janë gjithmonë në harmoni me njëra-tjetrën. Disa janë, disa nuk janë. Njerëzit përherë kanë dëshiruar me zjarr lirinë, sigurinë, barazinë, lumturinë, drejtësinë, diturinë e kështu me radhë. Por liria e plotë nuk është në përputhje me barazinë e plotë – nëse njerëzit do të ishin plotësisht të lirë, ujqit do të ishin të lirë të hanë delet. Barazi e përsosur do të thotë se liritë njerëzore duhet të shtrëngohen, ashtu që me të zotët dhe ata që kanë më së shumti dhunti të mos lejohen të avancohen mbi ata që pashmangshërisht do të humbisnin nëse do të kishte kompeticion aty. Siguria, dhe realisht lirirë, nuk mund të ruhen nëse është e lejuar liria për t’i përmbysur ato. Në të vërtetë, jo çdonjëri mëton sigurinë ose paqen, përndryshe disa sish s’do të mëtonin lavdinë në betejë ose sportet e rrezikshme.

Drejtësia përherë ka qenë ideal njerëzor, por nuk është plotësisht në përputhje me mëshirën. Imagjinata kreative dhe spontaniteti, të shkëlqyeshme në vetvete, nuk mund të pajtohen plotësisht me nevojën për planifikim, organizim, kujdes dhe kalkulim të përgjegjshëm. Njohja, ndjekja e së vërtetës – më të fismet e qëllimeve – nuk mund të pajtohen plotësisht me lumturinë ose lirinë që njerëzit e dëshirojnë, se edhe nëse unë e di se kam ndonjë sëmundje të pashërueshme kjo s’do të më bëj më të lumtur ose më të lirë. Më duhet gjithmonë të zgjedh: mes paqes dhe eksitimit, ose dijes dhe injorancës së bekuar. E kështu me radhë.

Atëherë çfarë duhet të bëhet që të shtrëngohen mbrojtësit, nganjëherë tejet fanatikë, të njërës apo tjetrës vlerë, ku secili tenton të shkelë mbi të tjerët, ashtu siç tiranët më të mëdhenj të shekullit XX kanë shkelur mbi jetën, lirinë dhe të drejtat e njeriut e miliona vetave, ngase sytë e tyre ishin të ngulur mbi një të ardhme të artë të mbrame?

Druhem se nuk kam përgjigje dramatike t’jua ofroj: vetëm se nëse këto vlera njerëzore të mbrame me të cilat jetojmë duhet të ndiqen, atëherë duhet të ketë kompromist, shkëmbime, aranzhime, nëse nuk duam të ndodhë më e keqja. Liri aq sa barazi, vetëshprehje individuale aq sa siguri, drejtësi aq sa dhembshuri. Pikëpamja ime është se ca vlera përplasen: synimet e ndjekura nga qeniet njerëzore që të gjitha gjenerohen nga natyra jonë e përbashkët, por ndjekja e tyre duhet deri në njëfarë shkalle të kontrollohet – liria dhe ndjekja e lumturisë, po e përsëris, mund të mos jenë plotësisht në përputhje me njëra-tjetrën, as nuk janë liria, barazia dhe vëllazëria.

Pra duhet të peshojmë dhe të masim, të biem në ujdi, të bëjmë kompromis dhe të parandalojmë përplasjen e njërës formë të jetës me rivalet e saj. E di shumë mirë se ky nuk është një flamur nën të cilin djemtë dhe vajzat entuziaztë dhe idealistë do të donin të marshonin – duket shumë i zbutur, shumë i arsyeshëm, shumë borgjez, nuk i zoton emocionet bujare. Por duhet të më besoni, s’mund të kemi gjithçka që duam – jo vetëm në praktikë, po bile as në teori. Mohimi i kësaj, kërkimi për një ideal të vetëm mbizotërues, ngase është i vetmi dhe i vetmi i vërtetë për njerëzimin, domosdo çon në detyrim. Pastaj në shkatërrim, gjak – vezët janp thyer, por omëleti nuk shihet askund, ka vetëm një numër të pafund vezësh, jetë njerëzore, gati për t’u thyer. E në fund idealisti i pasionuar e harron omeletin dhe thjesht vazhdon të thyejë vezë.

Jam i lumtur të vërej se para përfundimit të jetës sime të gjatë diçka nga realizimi i kësaj po fillon të dështojë. Racionaliteti, toleranca, mjaft të rralla në historinë njerëzore, nuk janë të përçmuara. Demokracia liberale, pavarësisht të gjithave, paravërisht burimit më të madh modern të nacionalizmit fundamentalist fanatik, po përhapet. Tiranitë e mëdha janë në rënie, ose do të jenë – as në Kinë s’është e largët ajo ditë. Jam i lumtur se ju të cilëve po ju flas do ta shihni shekullin XXI, i cili ndihem i sigurt mund të jetë një kohë më e mirë për njerëzimin se sa që ka qenë shekulli im i tmerrshëm. Ju përgëzoj për fatin tuaj të mbarë; ndiej keqardhje që unë s’do ta mbërrij këtë të ardhme të ndritur, e cila, jam i sigurt, po vjen. Me gjithë trishtimin që e kam përhapur, jam i lumtur ta përfundoj me një shënim optimist. Ka njëmend arsye të forta për të menduar se është i justifikueshëm. /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

Të ngjajshme