Ese nga Pascal Bruckner: Hipnosi dhe Thanatosi

14 Shtator, 2024 - 8:31 pm

Pascal Bruckner (1948), romancier dhe eseist francez. Autor i romanit të njohur, ‘Lunes de fiel’ (1981), nga i cili Roman Polanski ka realizuar filmin homonim.

VENDI I GJUMIT: HIPNOSI DHE THANATOSI

Nga Pascal Bruckner

Djep dhe varr, fole kënaqësish ku përhumbemi dhe e lëshojmë veten, vend i të gjitha guximeve dhe i të gjitha refuzimeve, shtrati paraqet pezullimin e domosdoshëm të aktiviteteve ditore dhe të mirësjelljes. Gjumi, po ashtu si edhe vdekja, i nivelizon gjendjet: mbreti dhe fshatari flejnë në të njëjtën mënyrë, por gjumi paraqet për të parin një prehje sovrane, për të dytin mënyrën e vetme për ta harruar jetën tepër të vështirë. «Të fle dhe prapë të fle, kjo është dëshira ime e vetme» (Baudelaire). Gjumi është rënie e përsëritshme në humnerë, vdekje e vogël që rilind, ndërsa ajo tjetra na asgjëson. Na mbështjell në mbuloja si në një lëkurë të dytë ku zhytemi, në kërkim të harresës së bekuar. «Pikërisht në gjumë, për gjysmën e jetës, i harrojmë pakënaqësitë e gjysmës tjetër», shkruante Xavier de Maistre në fund të shekullit XIX. Në atë epokë ende ishte zakon të priteshin mysafirët kalimthi në shtratin e familjes. Më 1979, fotografja Sophie Calle u propozoi disa miqve dhe të të panjohurve të shkonin të flinin tek ajo, në shtratin e saj, për të bërë portrete fotografike. Kështu shtroja vjen e bëhet hapësirë e jetës së mundshme ku bashkëndajmë me të tjerët njëpërvojë unike. Aksesor intim, shtrati mund të bëhet hapësirë sociale ku presim, ku drekojmë dhe hamë kafjall, mund të përshtatet për shumë përdorime, mund të bëhet tryezë, kolltuk, gjykatë. Si ta harrojmë herën kur John Lennon dhe Yoko Ono e mirëpritën shtypin ndërkombëtar në shtratin e tyre, në Hotel Amstredam, më 25 mars 1969, për të protestuar kundër luftës në Vietnam dhe për të dhënë mesazhe paqeje. Për ta shtrati ishte simbol i njëzëshmërisë, piedestalit, tribunës. Të flesh me një person është më intime se sa të bësh dashuri: është preludi i një lëshimi total, i një zhytjeje të plotë.

Vend i pushimit, shtrati gjithmonë lëkundet mes pagjumësisë dhe letargjisë. Me kohë dhe me moshë, pagjumësia bëhet aspket i jetës me të cilin nakonvenon më tepër të biem në ujdi. Në format e saj ekstreme është një përvojë totale, një pamundësi për t’u relaksuar: lind nga bashkimi i dy gjendejve, panikut dhe ripërtëritjes. Gjumi na bën bisht kur e kërkojmë, ndërsa na vërsulet kur duhet të rrimë zgjuar, na vë në një gjendje kapitjeje. Në orët e para të agut nata paraqitet si një verdikt pa apel. Preokupimi më i vogël merr dimensione të pamasa, ndihemi të pafuqishëm, të shkërmoqur nga vargani i errët i anktheve. Njerëzimi i shtrirë është njerëzim i çarmatosur: nata na dorëzon te forcat e frikës dhe tmerrit. Pozicioni shtrirë është ai i lakuriqësisë. Meqë flejmë të zhveshur ose gjysëm të zhveshur, jemi edhe më të brishtë nëse dikush na zë në atë gjendje. Është si të jemi të lidhur për një shtrati spitali. Por ekziston edhe një pagjumësi entuziazmi, kur klloqitim një potencial të tillë forcash sa nuk kemi më të drejtë të flejmë. Është e domosdoshme të zgjohemi për të gjetur jo vetëm energjinë mendore, por edhe atë fizike. Pagjumësia është paafëtsia për të harruar vetveten, të relaksohemi kur të jemi të lodhur dhe të rraksapitur. Grumbullojmë shekuj të gjumit të sprapsur, paramendojë, të dërrmuar, mundimin që na pret të nesërmen: në atë pikë është e kotë të sillesh e pështillesh në shtrat, të kthehesh në krah, s’do të na zërë gjumi më. Kalojmë orë të tëra duke përsëritur të njëjtën frazë, apo të njëjtën ide. Luciditet absurd që pret me ankth të vihet anash, por pikërisht kështu përjetësohet. Bëhemi burimi i hallit tonë.

Makthi mbaron veç atëherë kur nisin të filtrohen përmes grilave të dritareve: kambanat e kishës, sirena e kamionit, pallati që dridhet si kafshë e mpirë, shtëpia që zgjohet me çapëlimin e brerësve, me pingërimin apo rrahjen e krahëve të zogjve. Drita rikthehet si aleat, e zbehtë dimrit, e harlisur verës, duke i nxjerrë dembelët nga vakësia e mbulojave. Moment i euforisë për atë që ka pasur frikë ta çikë humnerën dhe në fund largohet soje, i paprekur dhe ende në jetë. Duke i hapur sytë, na vjen në mendje maksima e Senekës që sugjeronte, pas zgjimit, të falenderojmë zotat që na kanë lejuar të qëndrojmë në këtë botë. Zgjimi paraqet kthjelltësinë e fituar me shpnezimet e tmerrit. Është e mjaftueshme të gjejmë pozicionin ngritur që të ndiejmë forcat të rikthehen. Ishim si statuja të vdekurish, ribëhemi të gjallë. Furia është qetuar, mllefet janë fshirë. Aktiviteti do ta lehtësojë mundin tonë. Sidoqoftë, jo të gjitha pagjumësitë janë negative: gjatë atyre orëve jopjellore i mprehim frazat tona, përgatisim një përgjigje therëse për dikënd që na ka poshtëruar, fjalë djegëse ndaj atij që na njollos, gjejmë zgjidhjen e një problemi. Ndonjëherë asistojmë në një mrekulli: në qetësinë nokturne nxjerr kokën një ide, shfaqet një konkludim në fund të përpëlitjeve tona cerebreale, një fjalë e vetme e ndriçon mbarë arsyetimin. Por ky fat është i rrallë, zakonisht arsyeja e luhatshme sjell hi e pluhur. Shkëndijat krijuese të të pagjumit janë shpesh të zbrazëta si pseudo gjenialiteti i prodhuar nga drogat apo nga hiperbotët digjitale: ekspansioni i dukshëm i vetëdijes është një fryrje e destinuar të fishket si një fluskë sapuni në dritën e diellit. Që nga antikiteti, e dimë se gjumi nuk është art minor, por dëshmi e një ekzistence të cilësisë dhe se intrepretimi i ëndrrave presupozon një kiromanci të vjetër po aq sa njerëzimi. Cila është gjëja më e çuditshme që mund t’i ndodhë një të pagjumi? Të zbulojë se tekembramja ka fjetur mirë dhe s’ka nevojë të flejë më shumë. Mund edhe t’i ndodhë, mrekullisht, të rigjejë, herëpashere, ato net të gjata tipike për fëmijërinë ku zhytet në gjumë qengj, me akrepin e orës që rrotullohet rreth fushës. Sajimi i jorganit me pupla në Evropën veriore të Mesjetës dhe ei jastëkut të butë në Angli rreth vitit 1826, pa e harruar tatamin dhe futonin e ardhur nga Azia, bëjnë pjesë në revolucionet e padukshme që e kanë ndryshuar rrjedhën e historisë së njerëzimit. Ukrainasit e praktikojnë artin e fjetjes mbi zgjua: zukatja e bletëve duket se mundëson një dremitje të thellë dhe të qetë (Andrej Kurkov).

Të kënaqurit me orët kur jemi në gjumë përnjëmend do të duhej të ishte mësimi i parë dhe kryesor i arteve shtëpiake. Ekziston një gjumë përtëritës që tkurret me moshën dhe ekziston një gjumë strehë, një gjumë humneror ku s’ka prehje. Gjumi i pavazhdueshëm, me ndërprerje, na thonë historianët e mjekësisë, nuk është simptomë e çrregullimit modern, por përbënte rregullin në kohët e Ancien Regime. Dikur, qytete si Londra ishin në aktivitetet të plotë deri në orën tre të natës. Disa persona e kalojnë jetën duke fjetur dhe e jetojnë gjumin e tyre si të ishte ekzistenca e tyre e vërtetë, duke e shndërruar shtratin e tyre në një paralajmërim të qefinit. Është tema e romanit të George Perecut, Njeriu që fle (1967), tregim rapsodik për një student që nuk ka më lidhje me jetën përveç gjumit, një zhytje totale pa të kaluar dhe pa të ardhme, e rrokjezuar nga shëtitjet nokturne nëpër Paris. «Je ulur dhe dëshiron dhe vetëm dëshiron të presësh, derisa të mos ketë më asgjë për të pritur». Kur mbesim pa shoqërinë e të ngjashmëve tonë, nocioni i kohës tretet, ashtu si edhe ndarja mes ditës dhe natës. Të flesh për të fjetur do të thotë të kesh një përvojë të boshllëkut suprem. Rizgjimi implikon një rikthim të kontakteve, rikapen fijet që na lidhin me botën. E rëndësishmja është të ngrihesh me këmbën e mbarë, të nisësh ditën me hare dhe oreks. Duhet të zhvillosh një disiplinë të gjumit dhe ta rehabilitosh siestën, që e ndërpret aktivitetin dhe i rimbush neuronet.

Ku shkojnë fjetësit gjatë natës? Në gjumë vrapojnë, kacavirren, vrasin. Si ta dimë nëse mbrapa syve të tyre të mbyllur nuk rrjedhin imazhe kafshërore, dëshira të pahijshme? A duhet t’u besojmë ëndrrave paralajmëruese, apo duhet t’i injorojmë? Regjimet totalitare përherë janë munduar t’i kontrollojnë ëndrrat e qytetarëve të tyre: kjo është ideja e librit të mrekullueshëm të Ismail Kadaresë, Pallati i ëndrrave. Në Perandori mbretëron një pushtet i fshehtë që ka për detyrë të mbledhë dhe klasifikojë të gjitha ëndrrat e mbretërisë për t’i nxjerrë «ëndrrat kampion» që do t’ia mundësojnë ta dëshifrojë të ardhmen, t’i parandalojë grushtshtetet, luftërat dhe tradhtitë. Makthet janë ogure të këqija, apo përkundrazi një mbrojtje kundër së keqes? Si t’i dallojmë në këtë «oqean frike» indiciet relevante? Ky vullnet i kontrollit dhe parashikimit do të jetë, pa dyshim, objektivi i ardhshëm i ndërmarrjeve të mëdha teknologjike, që do të organizojnë re onirike për t’i gjurmuar më mirë ëndrrat tona. Në jetën dashurore dremitja është një marifet për t’i bërë bisht mbikëqyrjes së partnerit. Dashnori xheloz e vëzhgon gjumin e të dashurës dhe e ndien se është duke e humbur: te Prousti (E burgosura), Albertina mishëron personalitete të ndryshme në të njëjtën kohë dhe, mbrapa fytyrës së saj të relaksuar me mendjen që të pushojë, mbase e tradhton narratorin me një grua tjetër. E burgosura në të vërtetë është një ikanake që refuzon t’iu nënshtrohet pretendimeve të burgosësit të saj, i cili do të donte ta vërë nën këmbët e tij: «Ndieja se po e prekja vetëm guaskën e një qenieje që përbrenda ishte në kontakt me infinitin». E mbulon me dhurata, ia blen fustane të shtrenjta për ta mbyllur më mirë në një burg pëlhurash e stofrash të rralla. Por xhelozia vazhdon t’i hajë shpirtin. Fjetësja duket se është nën mëshirën e adhuruesit të saj, por është një butësi e rreme që e fsheh ikjen e menjëhershme. «Duke e mbajtur nën shikimin tim, në duart e mia, kisha përshtypjen se e posedoja tërësisht, përshtypje që s’e kisha kurrë kur ishte zgjuar». I duket sikur në fytyrën e sdaj të përgjumur i sheh dëshirat e ndaluara dhe shprepsat e thyera. Nuk gabohet, ngase një mëngjesi Albertina ia mbath për të mos u kthyer më kurrë. Jemi afër dhe në të njëjtën kohë larg Shtëpisë së bukurosheve të fjetura, të japonezit Kawabata: adoleshente të virgjëra që të narkoizuara ia ekspozojnë lakuriqësinë e tyre soditjes epshore të të moshurave nostalgjikë që paguajnë për t’i ripërtërirë para këtij spektakli turbullues. Oblomovi si i vogël i shihte të gjithë anëtarët e familjes të goditur nga sëmundja e gjumit, shërbëtorët e përgjumur në zyre, qentë e mpirë në shtrojat e tyre dhe i gjithë çifligu i pushtuar nga simpfonia shurdhuese e kërhitjes së njerëzve.

/Marrë nga Pascal Bruckner, ‘Le sacre pantofole’, Guanda, 2024

/Gazeta Express/ KultPlus.com

Të ngjajshme