21 Mars, 2022 - 11:15 am
Shkruan: Ibrahim Berisha
Shkrimtari katalon, Alberto Espinoza: Dua t’ju them si djalë kam humbur shumë, por kam qenë i lumtur. E dija që nuk kisha këmbën e majtë, por zgjohesha duke menduar se e kam një të djathtë. Pse e përmend lumturinë. Sepse unë jam i lumtur me ju.
Albert Espinosa shkrimtar, regjisor, artist, skenarist katalon, veprat e të cilit shijohen me admirim.Si fëmijë e përballoi vuajtjen nga kanceri, duke kaluar 10 vjet nëpër spitale dhe në kurë të rëndë. Atëherë humbi këmbën e majtë.
Impresionon me artin e tij dhe qëllimin për të mos u ndalur, por me hapa të fortë shpejton për t’u ngritur edhe më shumë në tempullin “estetik”, që i dha aq respekt dhe famë. Po nuk ndalet duke parapëlqyer të tregojë betejën e tij dhe të njerëzve si ai, kundër sëmundjes së kancerit. Këtë e bëri edhe në romanin “Bota e verdhë”. E vërteta, këtë botë të verdhë, njerëzit e shohin kudo të jetojnë, po nuk e kuptojnë, e ndiejnë po nuk e njohin prapë, jo aq sa e ndiejnë vetë atë që gjenden në vorbull të dramës.
…
Mendimi dhe puna e Espinozës, janë të fokusuara në fatin e njerëzve katalonë edhe jokatalonë. Aq më shumë për fatin e fëmijëve. Shkruan: “Urrejtja ime ndaj dikujt që i heq një fëmije një pjesë të fëmijërisë është e madhe. Mendimi im, ky është një nga krimet më të mëdha që ekzistojnë, kjo grabitje e pafajësisë”. Por, i ndodhi vetë Espinozës përfshirë nga sëmundja, që për fat e përballoi. Fëmijët janë viktima të moshuarëve mizorë, ambiciozë të pafre, në emër të së ardhmes që rrënojnë të tashmen pamëshirshëm. Shih, kjo po u ndodh tash fëmijëve ukrainas, sikur u ndodhi nga krimi serb edhe fëmijëve shqiptarë këtu e 33 vjet më parë.
Përkushtimi i Espinozës për njerëzit dhuron vlerësimin e vërtetë për forcën e tij. Kjo duket e pastër edhe në rrëfimet për jetën. Aq më shumë, për veset bezditëse që dëgjohen paprajshëm. Ai urren ankimet e kota. Thotë: “Arsyet e këtyre njerëzve toksikë, tregojnë mosnjohjen e vetvetes. Puna është se, nëse dikush nuk e kupton veten, si do t’i kuptojnë të tjerët, pyet ai. Prandaj, unë nuk mund të ulem këtu dhe të ankohem për jetën time, pasi jam më i shqetësuar për jetën e njerëzve që nuk kanë zë – atyre që nuk kanë punë, sigurim shëndetësor – kështu që e kam të vështirë ta shikoj jetën që më është dhënë dhe të ankohem për çdo gjë”.
Edhe shqiptarët, referuar Mit’hat Frashërit, ankimin e kanë në gojë: “Gjithë vuajnë e qahen. Po kujtojnë se një fuqi e huaj, një krah prej qielli, do t’i nxjerrë nga e keqja”. Apo ka shumë ankesa për mungesë librash, dhe ato që janë në dorë, nuk i lexojnë.
…
“Kur shkoj për shëtitje me pantallona të shkurtër, njerëzit bëjnë sikur nuk shohin protezën që kam në këmbë”, tha me një rast Espinoza. “Dy sekonda më vonë, ata kthehen për ta parë më mirë, por edhe unë kthehem dhe i kap gjithmonë në këtë pikë. Njerëzit jetojnë me një ndjenjë frike dhe kanë frikë të pyesin. Megjithatë, vetëm biseda dhe tregimi mund t’iu ndihmojnë njerëzve të kapërcejnë, në të vërtetë, vështirësitë që i presin. Informacioni është shumë shërues”.
Pastaj vazhdon: “Dua t’ju them se si djalë kam humbur shumë, por kam qenë i lumtur. E dija që nuk kisha këmbën e majtë, por zgjohesha duke menduar se kisha një të djathtë. Pse e përmend lumturinë. Sepse unë jam ende i lumtur me ju”.
Për fund: Prandaj e mira dhe e keqja jonë është brenda vetes, dhe jo në ankim fiktiv. E keqja jonë vjen nga jashtë nesh, rrëfim ky rutinë, i ndërtuar gjerësisht dhe vazhdueshëm. Edhe nuk ke si të mos mendosh më shumë për këtë që thotë shkrimtari amerikan, William A. Ward: Pesimisti ankohet për erën. Optimisti pret që kjo të ndryshojë. Realisti vendos lundrën. / KultPlus.com