“EVA – njëra nga ato”, romani i parë nga Linditë Ramushi Dushku shumë shpejt në dorën e lexuesve

24 Shtator, 2019 - 2:00 pm

 

Në rrethet letrare, në Kosovë e më gjerë, Linditë Ramushi Dushku, njihet kryesisht si poete dhe si publiciste, kryesisht me shkrime nga fusha e psikologjisë.

Në botën e letrave, shfaqet që në moshën 20 vjeçare, përkatësisht në vitin 2004, me përmbledhjen poetike, “Mos hesht”, botuar nga Shtëpia botuese “ Ura”.

Nga përmbledhja e parë deri te e dyta, do të kalojnë rrafsh tetë vite.
“Me sytë e ëndjes” do të titullohet përmbledhja e dytë e saj, që shquhet më një ndjeshmëri të arrirë artistike si dhe me një tematikë dashurie, fund e krye, për t’u pasuar këtë vit me përmbledhjes së saj të tretë me poezi, me një titull, sa të thjeshtë, aq dhe sugjestues: ASHT GUSHT.

Kjo përmbledhje, vetëm sa e avancon shprehjen poetike të Linditë Ramushit, e cila tashmë në një moshë më të pjekur iu kthye prozës, pas një serë tregimesh, të cilat i publikoi nëpër revista e portale të ndryshme, në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut.

Romani i saj i parë, i titulluar EVA ( njëra nga ato ), që tashmë po vjen në duart e lexuesve, shënon deri më tash përpjekjen më seriozë të Linditë Ramushi Dushkut, në letrat shqipe.

“Eva”, si titull tejet sinjifikativ dhe kryepersonazhi i romanit të saj, jo vetëm bart emrin e gruas së parë në botë, por edhe një “mëkat’ që ia nxin jetën, asaj.

Në fakt, nuk është mëkati që ajo e bën me hir apo pahir. Është një moment fatkeq gjatë luftës së fundit në Kosovë që i ndodhë asaj , ku përdhunohet nga njerëz të uniformuar, të cilët jo vetëm e damkosin atë si femër por, edhe të ardhmen e saj, përkundër përpjekjeve mbinjerëzore të saj për t’iu rikthyer asaj që quhet jetë.

Në shtjellimin e kësaj materie, romansierja e re Linditë Ramushi Dushku, shquhet për prirje artistike dhe për dramaticitet të sforcuar duke krijuar tablo të papritura dhe përplot art.

Në kohën kur kjo temë e romanit të saj, nuk është më tabu në Kosovë, ky roman vjen si një katarzë shpirtërore, jo vetëm për “Evën” apo dhe autoren e saj, po në përgjithësi edhe për shoqërinë kosovare e cila po jep shenja të dukshme të një emancipimi të përgjithshëm si popull i shekullit njëzetenjë. / KultPlus.com

Të ngjajshme