20 Gusht, 2021 - 3:03 pm
Fadil Paçrami si dramaturg, publicist e politikan u lind në Shkodër më 25 maj 1922.
Ndoqi gjimnazin e Shkodrës ndër vitet 1935-1938, dhe më 1937 u anëtarësua në Grupin Komunist të Korçës.
Studimet e larta i vijoi për mjekësi në Universitetin e Bolonjës në Itali, ku ndoqi vetëm vitin e parë akademik (1941-1942). Më 1943 u anëtarësua në Partinë Komuniste Shqiptare, dhe po atë vit u emërua anëtar i Komitetit Qarkor të Rinisë në Tiranë.
Në shkurt të vitit 1944 u zgjodh anëtar i Komitetit të Partisë për Tiranën.
Më 1945 u zgjodh anëtar i sekretariatit të Frontit. Më 1946-1947 shërbeu si zëvendësministër i arsimit. Nga janari i 1947 deri në nëntor të 1948 ishte drejtor i muzeut arkeologjik.
Në nëntor të vitit 1948 deri më 19 qershor 1958 qe kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”.
Nga viti 1952 e deri më 1973 qe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Më 1958 deri më 15 dhjetor 1960 ishte student në shkollën e partisë në Moskë.
Më 1960- 1965 qe drejtor i propagandës i Komitetit Qendror të PP-së. Më 1965-1966 qe ministër i Kulturës dhe Arteve. Më 1966 deri më 11 prill 1973 sekretar i Komitetit të PP-së, ndërkohë më 1970 – 1973 qe edhe kryetar i Kuvendit Popullor.
Shkarkohet nga të gjitha funksionet për liberalizëm, më 26-28 qershor 1973 pleniumi i 4-të e përjashtoi nga partia. Iu hoq mandati i deputeti që e kishte nga 1947 dhe nuk pranoi që të jepte llogari para zgjedhësve të tij. Më 15 shtator 1973 Kuvendi Popullor e shkarkoi nga detyra e kryetarit të tij.
U arrestua më 20 tetor 1975 si “armik i popullit” dhe u dënua për agjitacion e propagandë, burgimi i tij zgjati deri më 17 mars 1991.
Dënimin e vuajti në burgun e Burrelit dhe në atë të Kosovës së Madhe në afërsi të Elbasanit. U lirua më 17 mars të vitit 1991, dy javë përpara zgjedhjeve të para pluraliste.
Si dramaturg
Është ndër dramaturgët më produktivë dhe më të suksesshëm të periudhës së diktaturës, veçanërisht në vitet `60-`70.
Drama e tij e parë “Në tufan” (1959), solli një subjekt interesant nga lufta, një tablo të gjerë me një larmi tipash që jepen të përfshirë në aspektin politik të kohës, dhe me luhatjet e tyre psikologjike në kërkim te një identiteti të ri.
Këtë qasje autori do ta shndërronte në një strukturë te zhdërvjelltë për dramën tjetër pasuese “Mbi gërmadha” (1962), ku personazhi kryesor, Shpendi, do të përfaqësojë intelektualin e ndershëm, por të lëkundur midis dy kaheve të konfliktit klasor pas luftës dhe sekuestrimeve të dhunshme në sektorin e industrisë.
Ky tip heroi tashmë i njohur dhe i përpunuar nga letërsia sovjetike e kohës, pas ngurrimeve që i vijnë nga përkatësia e vet klasore, më në fund do të shkëputet nga borgjezia, duke braktisur indiferencën dhe pasivitetin dhe duke u bashkuar me fitimtarët në ndërtimin e “Shoqëria e re”.
Përveç Shpendit drama e jep po në luhatjet e tij psikologjike edhe figurën e komisarit të jashtëzakonshëm të Gjergjit, çka fliste për një largim nga skematizimi i kohës i lidhur me konceptimin e heroit si dhe kërkimin e modeleve jetësore sa më origjinale.
“Shtëpia në bulevard” e shkruar në vitin 1964, solli një strukturë të hasur më parë në dramaturgjinë shqiptare, me praninë aktive te personazhit të autorit, vendosur si një gjykatës që shpjegon dhe vlerëson çfarë po ngjet në familjen e Halimit (formë që sillte ndërmend disa pjesë të dramaturgut rus, Arbuzov).
Përpos risive në strukturë, ajo dëshmoi disa të vërteta të hidhura të shoqërisë shqiptare, pa e zbukuruar dhe ilustruar realitetin me moralizime dhe funde të lumtura, përkundrazi,falë kritikës ndaj dobësive, veseve dhe qëndrimeve jo të hijshme, madje të poshtra të disa njerëzve, artikulohen mesazhe të rëndësishme për shëndoshjen morale të familjes dhe shoqërisë.
Me dramën “E bardha dhe e zeza” duket se merr trajtë prirja e Fadil Paçramit për tipin e dramës “polemike”, e ndërtimit të konfliktit në formën e diskutimit, e një teze dhe antiteze, gjithashtu edhe prirja për ta zhveshur “agonin” nga klishetë ideologjike duke e afruar më fort me luftën e përhershme të së mirës me të keqen brenda vetë njeriut, si një konflikt ekzistencial, si vetëpërkryerje dhe si katarsis i nevojshëm.
“Ngjarjet në fabrikë” (1968), ishte nga dramat më të suksesshme për kohën, kjo falë vënies së bukur regjisoriale të Kujtim Spahivoglit në Teatrin popullor.
E kompozuar në formën e një mbledhjeje kolektivi punëtorësh fabrike, me dy sekuenca dhe me veprime intriguese të drejtorit Jashar Driza për t`iu shmangur përgjegjësisë dhe ndëshkimit të pritshëm ajo ngjante me një debat të fortë kundër burokratëve dhe burokracisë, duke bërë thirrje, nga ana tjetër, për bashkëpjesëmarrje masive në mbarëvajtjen e punëve si dhe në kritikën kundrejt të ashtuquajturave “shfaqje të huaja” të burokratizmit dhe shkëputjes nga masat.
Jashar Driza, personazhi kryesor dhe strumbullari i veprimit dramatik, nuk është “pozitivi” por “negativi”, një drejtues karrierist, arbitrar e autoritar, sado që atij, në të vërtetë, i cungohet liria e veprimit dhe iniciativës si drejtor fabrike.
Ideja e dramaturgut vinte si konkretizim i direktivave partiake të kohës, të shfaqura si pjesë e dhunës së organizuar politike e ideologjike mbi individin, përputhur me mitet dhe iluzionet e rrejshme politike që e çmonin kolektivin e punëtorëve si kinse bartësin e drejtpërdrejtë të ushtrimeve të autoritetit ekzekutiv.
Falë përdorimit të një forme konvencionale me mbishtresa metaforike e simbolike, drama “20 ditët” i shmanget toneve patetike e deklarative, pos frymës së përgjithshme epiko-dramatike të betejës së çlirimit të Tiranës, ajo solli edhe pozitën tragjike të njeriut të zakonshëm përballë terrorit nazist.
Me frikë ndaj vdekjes, me lëkundjet, me shpresat apo me qëndresën sublime, duke paraqitur një reagim masiv aq edhe të diferencuar, përkatësisht qëndrimeve politike të gjithsecilit.
“Viti 61” është në trajtën e një eposi heroiko-dramatik në përballimin e presioneve politike të sovjetikëve pas prishjes me ta, përpjekja e tyre për sabotimin e ekonomisë shqiptare, posaçërisht fshehja e burimeve minerare.
Ajo ka një mbivendosje të dukshme deklarimesh politike, çka e ka dëmtuar, sidomos e ka skematizuar mënyrën e ndërtimit të konfliktit, nga një konflikt ekonomik dhe brenda një familjeje, në një konflikt të mirëfilltë politik në linjat e paramenduara të luftës klasore, kundër tradhtisë revizioniste dhe pabesisë së madhe ndaj Partisë së Punës si mbrojtësja e zjarrtë e komunizmit ndërkombëtar etj.
Drama më e guximshme për nga idetë ishte “Çështja e inxhinier Saimirit”, shkruar në vitin 1971, tek e cila gjeti vend kritika e guximshme ndaj formave të ngurta e konservatore të drejtimit të ekonomisë, si dhe ndaj paaftësisë së organeve të akuzës për të njohur dhe mbrojtur të vërtetëm.
Para se të burgosej Fadil Paçrami ka shkruar edhe dramat “Rrugëve të pashkelura”, “Lagjja e varfër”, dhe “Nuk kam mall për vjetërsira”.
Gjatë viteve të gjata të burgut ai shkroi 52 drama, prej të cilave vetëm 4 janë botuar në vitin 1999: “Pas vdekjes”, “Klubi i maskave që qeshin”, “Rëndesa e fajit” dhe monodrama në formë pamfleti “Marrëzia e madhështisë”, “Mbarim dimri” .
Si tipare të përgjithshme të dramave të F. Paçramit dallohen: tendenca e shprehur politike si dhe një shpirt protestues ndaj formave pasive, konservatore dhe inerte të jetës, më së shumti, autori i ndërton konfliktet e pjesëve të tij në trajtën e tezes dhe antitezës.
Pro dhe kundër, duke i zbërthyer karakteret nëpërmjet debatit politik, atij moral, apo lidhur me një ide, me një kuptim filozofik, rëndom në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke parapëlqyer mjedise sociale të hapura, por pa braktisur meset intime e familjare.
Autori gjatë krijimtarisë së tij është shquar për fjalë të zgjedhura dhe dendësi mendimesh./ cbc.al / KultPlus.com