11 Janar, 2019 - 3:40 pm
Nga Edison Ypi.
Fal Internetit gjaku i shqiptarit është bërë ujë. Nuk ka më Besë, duel, flijim të jetës për Dashuri, Fè, Atdhè.
Fal Internetit, “Shqiptari i Vitit” u shpall Kaçarrum Kaçamaku nga Takapi Komuna e Sumës, ndërsa “Shqiptari i Shekullit” ai që e meriton, Loqemadh Katunari nga Taplasi, Komuna e Lëngut, Prefektura e Hiçit.
Fal Internetit, ajo që do duhej të ishte shtylla e shoqërisë, mikroborgjezia jonë, më së fundi ekziston, por është më e fëlliqura në fytyrë të dheut; Ca parazitë e ca hajdutë, ca bajga që hiqen për aristokratë e ca pëgërje që mbahen për elitë.
Fal internetit, shqiptar i shquar mund të jetë çdo hajdut që ngre një flamur dhe çdo budalla që bën hatanë me 1 rrjesht e gjysëm në fejsbuk.
Fal Internetit, çdo halabak është më i rëndësishëm dhe më i lavdishëm se një krahinë e tërë që nuk prodhon lajme me vrasje por vetëm grurë, misër, mish, qumësht.
Fal Internetit janë shtuar frikshëm ca budallaqe në kërkim të burrit që fotografojnë surratin e vet në dhjetra mënyra, shkruajnë vargje për të vjellë, sajojnë maksima me t’i sjell zorrët në fyt, nxjerrin piktura me sorkadhe të përlotura, përrua që rrjedh, liqen, pulëbardha, lejlekë, hënë e zbehtë në horizont.
Fal Internetit, shitësi i bulmetit, kasapi, marangozi, katundarja që sjell qumështin, dhe cilido llapaqen kafeneje, është pakrahasimisht më i rëndësishëm se çdo shqiptar gjithë jetën krrusur mbi libra, shkolluar nëpër universitete dhe akademira.
Fal Internetit shqiptarët Lirinë nuk e pranojnë si zgjerim, por si ngushtim, si hall, si siklet, si burg.
Fal Internetit shqiptarët nuk po e kuptojnë se po të shpërdorohet, Liria jo vetëm paksohet, por edhe zhduket./27.al/ KultPlus.com