Fan Noli, ky personalitet shumëplanësh

9 Maj, 2020 - 11:50 pm

Fan S. Noli, një nga personalitetet më të shquara të kombit shqiptar, kujtohet si një figurë e madhe dhe e shumanshme e letërsisë, kulturës, jetës fetare dhe politikës shqiptare.

Ai ishte njeriu i alternativave, kontradiktave, tensioneve të brendshme, të cilat i kapërceu me përkushtimin e një burri të vërtetë shteti.

Noli lindi në Qytezë, fshat i banuar nga shqiptarë në rrethin e Edrenesë në 6 janar të vitit 1882. Vitet e luftës së përbashkët krahas forcave më të përparuara të shoqërisë shqiptare e bënë Nolin demokratin revolucionar dhe mendimtarin e shquar dhe veprën e tij, një nga kulmet e mendimit shoqëror dhe krijimtarisë poetike shqiptare.

Fan Noli shkroi drama, botoi artikuj në gazetën “Drita”, përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit“Shqipëria ç’ka qenë ç ‘është e ç’do të bëhet”, shkoi në SHBA, ku luajti rol në bashkimin e shoqërive shqiptare dhe për botimin e gazetës “Kombi”.

Në këto vite krijoi vargjet e para dhe nisi shqipërimet. Megjithëse jetoi larg Shqipërisë ai dha shumë për të.

Rolin kryesor Noli e luajti në pozicionin e tij si prift. Ai e mori këtë detyrë në moshën 27 vjeçare kur shqiptarëve ortodoksë të Amerikës po u humbte durimi nga kontrolli grek mbi kishën.

Si prift ortodoks në vitin 1908 për herë të parë ai mbajti liturgji në gjuhën shqipe në sallën “Knights of Honor” në Boston.

Ky akt përbënte hapin e parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Kjo gjë, për atë kohë, kishte rëndësi politike, sepse i priste udhën ndikimit të qarqeve greke te shqiptarët me besim ortodoks.

Ndërkohë, ai bashkëpunonte në gazeta, mbante ligjërata, organizonte shoqëri patriotike, të cilat, më 1912, u bashkuan në federatën pan-shqiptare “Vatra”. Atë vit kreu studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit (Bachelor of Arts cum laude). Në vitin 1913 Fan Noli vizitoi për herë të parë Shqipërinë dhe kreu të parën shërbesë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në këte vend në prani të princit Vilhelm Vid.

Noli erdhi në Shqipëri në vitet 1913 dhe 1920 . Ai u bë figurë udheheqëse në luftën për vendosjen e rendit demokratik. Me fitoren e Revolucionit të Qershorit, më 17 qershor 1924 Fan Noli u vu në krye të qeverisë së Shqipërisë.

Gjatë gjashtë muajve ai drejtoi një qeveri demokratike, e cila u mundua me mish e me shpirt të përballonte problemet politike dhe ekonomike të shtetit të ri shqiptar, të cilat ishin mjaft të rënduara.

Por programi i tij për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, doli se qe tepër i nxituar në një vend pa tradita parlamentare. Me rrëzimin e qeverisë së tij nga forcat zogiste Noli u largua përgjithmonë nga Shqipëria. Dashurinë për popullin dhe atdheun ia ushqeu rrethi familjar.

Kultura e gjerë që mori i dha atdhetarizmit te tij përmbajtje të përparuar. Luftën për çlirim kombëtar ai e konceptonte si luftë me armë dhe me pene. Fan Noli kërkonte që bashkatdhetarët e vet të mbështeteshin në “krahët… trimerinë…dhe kordhën e tyre…”.

Si përkrahës i luftës për t’u çliruar nga zgjedha e huaj mbështeti veprimet e çetave dhe kryengritjet e mëdha me arme kundër sundimit osman. Pas shpalljes së Pavarësisë u vu në shërbim të qeverisë shqiptare të Vlorës.

Pikëpamjet mbi organizimin e shtetit, politikën e brendshme dhe të jashtme i shtjelloi në shkrime dhe fjalime të viteve 1921-1924. Luftoi që shteti të vinte në jetë parimet e demokracisë së përparuar.

Fan Noli është një nga figurat më të shquara të kulturës kombëtare. Me veprimtarinë e shumanshme ai dha ndihmesë të çmuar në formimin e kulturës demokratike shqiptare.

Një pjesë të mirë të forcave të tij ai ua kushtoi gazetarisë dhe publicistikës, duke drejtuar me ndërprerje gazetën “Dielli”, themeloi dhe drejtoi gazetën “Republika”. Fan Noli është një ndër mjeshtrit e poezisë shqiptare , lirikat e tij ngërthejnë përgjithësime të rëndësishme artistike.

Ai shprehu aspiratën e shtresave demokratike për liri dhe tokë, për drejtësi dhe përparim. Lirikat politike të Fan Nolit ushtojnë nga besimi i patunduri poetit në fitoren mbi armiqtë e vendit dhe drejt përparimit.

Fan Noli i kushtoi vëmendje të posaçme edhe studimeve historike. Në këtë fushë interesat e tij u përqendruan rreth jetës së Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Njeri me interesa të gjera krijuese ai u mor edhe me muzikologji ; monografia e tij “Bethoveni dhe Revolucioni francez” në gjuhën angleze, u çmuan lart nga specialistë dhe personalitete të shquara. Fan Noli la përkthime mjeshtërore të disa veprave të shkrimtarëve të shquar përparimtarë botërorë, si Shekspiri, Ibseni, Servantesi, etj.

Noli vdiq në Florida. SHBA,në 13 mars të vitit 1965 në moshën 83 vjeçare. Ai ishte i lidhur gjatë gjithë jetës me popullin e tij, të cilit i njohu vuajtjet, e thirri në luftë dhe i admiroi fitoret.

Ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit tonë e të kulturës së tij. /KultPlus.com

Të ngjajshme