11 Tetor, 2018 - 11:30 am
Sot ka ndërruar jetë shkrimtari e poeti i njohur shqiptar Fatos Arapi. Në kujtim të veprës e krijimtarisë së tij, KultPlus ju sjellë një përmbledhje nga poeti Izet Duraku e nga një intervistë e vet Arapit e dhënë më herët.
Prej vitesh nuk del nga shtëpia e tij. Miqtë e përmallur më kot presin ta shohin.Sigurisht ai është miku më i madh i poetëve. “Por refuzon ta kapërcejë pragun e portës”. Poeti Izet Duraku kujton se si jeton sot Fatos Arapi. Shkruan se “gazetat,radiot, televizionet nuk kujtohen as në përvjetorët e tij”, por harron se për të, kolegët nuk flasin, ai vetë jo e jo dhe nuk mbetet shumë për t’u bërë si përkujtim.
Shënon se “politikanët deri tani kanë respektuar shkrimtarët vetëm ditën e vdekjes së tyre për me marrë të mbramen pikël drite prej tyre”. Mesazhi që jep Duraku është njerëzor. “Ndoshta poeti Fatos Arapi po bën grevën më të gjatë në historinë shqiptare të letrave duke protestuar me heshtjen e vet kundër antivlerave, jovlerave, pseudovlerave letrare dhe të krejt jetës sonë të rrejshme.
Miq të mi të letrave, ju që nuk e harroni kurrë Fatosin! Do të bashkohem gjithmonë me ju për me ngrit zërin në mbështetje të Fatos Arapit. Duhet respektuar Heshtja e tij e shenjtë duke e bërë sa më të zëshme heshtjen për me ia shurdhue veshët shurdhnisë”- vëren Duraku për Arapin.
Fatos Arapi lindi më 1930 në Zvërnec të Vlorës, ndoqi studimet për ekonomi në Sofje, mandej punoi në Tiranë në fillim si gazetar dhe më vonë për një kohë të gjatë si pedagog. Fatos Arapi, bashkë me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin, bën pjesë në ata poetë që sollën një kthesë të rëndësishme në poezinë shqiptare të viteve 60. Arapi solli në këtë poezi elemente të modernizmit, madje të hermetizmit. Ai u orientua nga poezia filozofike. Veçanërisht origjinale janë dy përmbledhjet e tij të para poetike “Shtigje poetike” (1962), “Poema dhe vjersha” (1966), “Ritme të hekurta” (1968) është më konformiste. Më 1971 i botohet në Prishtinë vëllimi “Kaltërsira”.
Vëllimin “Më jepni një emër” ia ndaloi diktatura. Pasojnë vëllimet: “Drejt qindra shekujsh shkojmë” (1977), “Fatet” (i botuar në Prishtinë më 1979), “Duke dalë prej ëndrrës” (1989). Pas rënies së diktaturës botoi vëllimet: “Ku shkoni ju statuja”, T. 1990, “Dafina nën shi”, T. 1991, “Ne, pikëllimi i dritave”, T. 1993, “Unë vdiqa në brigjet e Jonit”, Shkup, 1993, “Më vjen keq për jagon”, T. 1994, In tenebris, T. 1996. Fatos Arapi është një poet që parapëlqen temat ekzistenciale dhe një nga poetët e rrallë shqiptarë që trajtojnë në poezinë e tyre temën e detit. Ka shkruar edhe romanet “Dhjetor i shqetësuar” (1970), “Dikush më buzëqeshte” (1972, ribotuar në Prishtinë më 1973), “Shokët”, 1974, “Deti në mes”, 1986 dhe novelat “Patat e egra” (1970) dhe “Cipa e dëborës”. Ka shkruar edhe vëllime me kritikë letrare Në një intervistë të dhënë vite më parë gazetares Vera Pelaj, ai thoshte:
“Dëgjoj shumë andej e këndej pesimistë që flasin rreth letërsisë në përgjithësi dhe rreth poezisë. Por unë nuk jam pesimist. Unë mendoj se letërsia ecën. Po krijohen emra, po vijnë gjenerata të tjera dhe poezia nuk do të mbetet në mes të rrugës. Përkundrazi, me traditën që është krijuar tanimë dhe me tendencat e shumëllojshme të larmishme që janë krijuar me një teknologji krejt të re, poezia do t¸ shkoj¸ përpara. Pastaj, fakti është që në përgjithësi letërsia shqiptare tashmë e ka të qartë synimin e saj drejt lirisë së njeriut, drejt të drejtave njerëzore të njeriut, në përgjithësi, sigurisht të kombit shqiptar dhe të njeriut shqiptar, në veçanti, mendoj se kjo letërsi është në rrugë të drejtë. Nuk duhet të jemi pesimiste. Unë jam optimist. Natyrisht në moshën time dhe me sëmundjen që kam, nuk mund t’i ndjek të gjithë, por jam optimist dhe ata ecin, ecin…”.
Ai shtonte se letërsia ka ligjet e veta dhe me një moment të caktuar, atje ku ti nuk e pret, del një talent, i cili bën sintezën, bën përgjithësimin e një plejade të tërë, e cila ka punuar. “Shembull le të marrim vitet ’35. Nuk ka qenë vetëm Lasgush Poradeci, po në vitet ’35 këtu ka pasur një gjeneratë të tërë shkrimtarësh. Ka qenë Ali Asllani, ka qenë Asdreni, Fishta, pastaj të rinjtë Petro Marko, Nexhat Hakiu, kanë qenë plot, mirëpo në një moment të caktuar, poezia bën sintezën e vet dhe del një talent i fuqishëm, cili sintetizon të gjitha këto. Kështu p.sh. një sintezë e tillë është edhe poezia e Lasgush Poradecit, e cila nuk mund të themi se përfaqëson të gjithë atë gamë të madhe të poezisë shqiptare, që ekzistonte atëherë.
Natyrisht Fishta ishte një Fishtë, Ali Asllani ishte një Ali Asllan, Asdreni qe një Asdren, Lasgushi një Lasgush, por sidoqoftë krijoheshin sintezat, kështu që nuk duhet të jemi pesimistë në këto gjëra dhe nuk duhet t’i kërkojmë në letërsi përnjëherësh gjërat. Ato sinteza janë sinteza historike, historia i bën ato zhvillime”,-shprehej Arapi vite më parë./ KultPlus.com