1 Mars, 2018 - 7:06 pm
Shkrimtari i njohur Fatos Kongoli e ka kaluar rrezikun shëndetësor dhe është drejt përmirësimit të parametrave të jetës. Është ky lajmi i mirë që vjen nga shërbimi i kirurgjisë nr. 2 në spitalin “Nënë Tereza” aty ku shkrimtari i është nënshtruar dy operacioneve në zorrën e trashë për heqjen e masës malinje.
Mjekët thonë se shkrimtari kishte të paktën 6 muaj që përjetonte hemorragji të forta në pjesën e poshtme të traktit tretës, shenja që janë neglizhuar prej tij deri në pikën ku nuk mund të lëvizte më nga shtrati. Pas kësaj familja e ka sjellë në urgjencën e QSUT në gjendje të përkeqësuar.
Menjëherë është reanimuar dhe më pas i është i është nënshtruar dy operacioneve në zorrën e trashë. Operacionet e drejtuara nga profesor Edmond Çeliku kanë qenë të suksesshme dhe vetë shefi i shërbimit të kirurgjisë nr. 2 pohon për News24 se tumori është kapur në fazë të hershme në stadin e dytë të zhvillimit, dhe se pas heqjes së masës analizat imazherike kanë treguar se organizmi i shkrimtarit 72-vjeçar është i pastër dhe nuk ka shenja të metastazave në pjesë të tjera të trupit.
Por ajo që mund të quhet e rrallë është fakti sesi një emër kaq i njohur i letërsisë në Shqipëri dhe në botë autor i 15 veprave të përkthyera në shumë gjuhë nuk ka kërkuar trajtime ekstra nga shteti shqiptar për t’u kuruar jashtë vendit siç ndodh rëndom me persona të ashtuquajtur VIP-a.
Madje sipas mjekëve, Kongoli ka ngulur këmbë që të shtrohet dhe operohet si çdo qytetar i thjesht në spitalin “Nënë Tereza”.
Madje pak kush e dinte që i mirënjohuri Fatos Kongoli po kalonte ditë të vështira në spital derisa ky lajm u publikua në Facebook nga miku i tij Fatmir Toçi. Ish-deputeti socialist publikoi ngjarjen në faqen e tij duke deklaruar se përtej shërbimit të shkëlqyer të mjekëve spitali nuk kishte gjak për pjesën postoperatorë dhe se i bënte thirrje të gjithë shqiptarët të dhurojnë gjak për t’i shpëtuar jetën njeriut të madh të letrave shqipe.
I kontaktuar nga News24 shefi i shërbimit të kirurgjisë në QSUT Edmond Çeliku mohon të ketë pasur mungesë të gjakut gjatë trajtimit postoperatorë të shkrimtarit. Për më tepër mjeku thotë se shkrimtarit të madh i janë krijuar kushte optimale për aq sa mund të ofrojë ky shërbim, i vendosur në një dhomë të veçantë me mbikëqyrje mjekësore 24 orë dhe se 72-vjeçarit i është injektuar dy herë gjak më shumë për të rikuperuar sasinë e humbur gjatë hemorragjisë paraoperatore.
Porse profesor Çeliku pranon ekzistencën e hershme të problemit të rezervave të pakta të gjakut përball fluksit të madh të urgjencave dhe operacioneve që kryhen çdo ditë në këtë shërbim.