6 Mars, 2020 - 10:00 am
Sot festohet “Dita e Mësuesit”, që na përkujton ditën kur më 7 mars 1887, u hap në Korçë, nën drejtimin e Pandeli Sotirit, Mësonjëtorja kombëtare shqipe. Ajo ishte shkollë me karakter kombëtar e laik ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami. Në këtë ditë në të gjithë së bashku kujtojmë mësuesit tanë të parë që na mësuan shkronjat shqipe, na mësuan se si ta duam dhe ta respektojmë atdheun.
Na mësuan poezitë e bukura të autorëve tonë të mrekullushëm që çdo fjalë e varg i saj të mbetet e të ngulitet thellë në mendjet tona. Me aq dashuri e respekt janë sjellë me ne për të na mësuar e kritikuar me atë metodën dashamirëse kur ne bënim gabime. Mësimet e mësuesve tonë u bënë udhërrëfyes për rrugën tonë në të ardhmen. Ato mësime na ndjekin edhe sot që kemi dalë në jetën tonë të pavarur. Le t’ua dedikojmë suksesin tonë në jetë mësuesve tanë.
Mësuesit shqiptare në çdo kohë e në çdo krahinë, kanë qenë jo thjeshtë profesionistë të arsimit, por në radhë të parë ishin patriotë dhe njerëz të emancipuar, agjitatorë të shqiptarizmës dhe idealistë, humanë dhe artistë të fushave të ndryshme. Cdo njëri nga ne ka në zemër monumentin e mësuesit të tij të preferuar, të cilit i falet me mirënjohje. Pra çdo njeri pavarësisht se çfarë detyre ka sot, qoftë ky ministër apo politikan , biznesmen apo punëtor, ka qenë dikur nxënës, ka pasur përballë mësuesin, mësuesen që s’kursente kohën, frymën, pasionin, jetën, për të brumosur vogëlushët me dije, me kulturë dhe edukatë. /KultPlus.com