2 Qershor, 2019 - 6:41 pm
Manifestimi 20/20 shënon 20 vjetorin e çlirimit të Prishtinës dhe nën ombrellën e tij do të përfshihen shumë organizime, ndër të tjera edhe festivali Prishtina Lexon në kuadër të të cilit do të spikasin leximi, teatri, filmi dhe performanca tjera artistike, që krahas karakterit edukativ, mëtojnë të kenë edhe atë socializues dhe argëtues.
Ngjashëm si në vitin e kaluar, për organizimin e festivalit Prishtina Lexon prap janë bërë bashkë institucione dhe organizata joqeveritare, përkatësisht Komuna e Prishtinës, ETEA, Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, SOS Fshatrat e Fëmijëve, Termokiss, Libraria Dukagjini, Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës, Aleanca Franceze, Social Creativity, Kino Armata dhe Virtual Sophists, si dhe institucionet edukativo-arsimore të zonave urbane dhe rurale. Si rrjedhoje e këtij bashkepunimi të gjerë, Prishtina Lexon këtë vit organizohet gjatë gjithë ditës me aktivitete të shumta, por me e veçanta është se këtë vit aktivitetet i dedikohen fëmijeve, të rinjve dhe të rriturve, duke potencuar idenë e përbashkët se libri i përket të gjitha grupmoshave.
Gjithçka fillon me aktivitete për fëmijë që nga ora 10:00 me këndet e leximit dhe program artistik të fëmijëve në Sheshin “Zahir Pajaziti”, aktivitete këto që do të zgjasin deri në ora 16:00, me ç’rast do të shpallen edhe lexuesit e vitit të Komunës së Prishtinës. Nga ora 16:00 fillojnë aktivitetet për të rritur të lokalizuara në Kino Armata, ku qytetarët do të kenë rastin të percjellin film, teatër dhe slam poetry.
Ndërsa në fund, duke filluar nga ora 21:00, në amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti” gjithçka përmbyllet me Book Character Party ku të gjithë të maskuar si shkrimtarët apo personazhet e preferuara do të argëtohemi me tingujt e muzikës së DJ Blerta Kosova, Jimmy Band dhe Elsa Rraqi. Prandaj, ju njoftojmë se, me datën 3 qershor me fillim në ora 10:00 e hapim Festivalin Prishtina Lexon në sheshin “Zahir Pajaziti”. Mos harroni, merrni të afërmit tuaj dhe ejani të bashkëbisedojmë, të lexojmë e të shijojmë letërsinë kombëtare e ndërkombëtare, të udhëtojmë në kohë përmes vargjeve, pendës e artit.