11 Maj, 2018 - 2:30 pm
Rreth 100 botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi po marrin pjesë edicionin e 5-të të panairit kombëtar të librit “Fieri 2018”, që u hap dje në sheshin qendror të qytetit të Fierit.
Në ceremoninë e hapjes së panairit ishin të pranishëm personalitete të letrave nga bota akademike, shkrimtarë, studiues, qytetarë, nxënës, etj. Në panairin “Fieri 2018” janë prezantuar 5 mijë tituj librash, nga të cilët 1500 janë të rinj.
Gjatë ditës të panairit do të organizohen konferencat shkencore si: “Figura e Skënderbeut në letërsinë shqipe e të huaj”,“Jorgo Bulo, ‘magjistari’ i fjalës së mençur”, me rastin e 79-vjetorit të lindjes,
“Universalja në veprën e Petro Markos”, “Shkrimtaret në letërsinë shqipe”, Tryezë e rrumbullakët: “Data dhe personalitete” – kolazh me krijime të autorëve shqiptarë e të huaj, që kanë përvjetorë lindj.esh dhe vdekjesh
Po ashtu do të promovohen një numër i madh librash si; “Shkrimtar i majave letrare-Mbi prozën e Zija Çelës”, “Njëfarë Z. Piekielny” (“Un certain M. Piekielny”) të Francois-Henri Désérable. Përkthyes: Urim Nerguti, “Urtia e fjalës” të akademik Ali Aliut, “Zjarr dhe tërbim” Jenny Han, “Gusht 1914” të autorit rus, Aleksandër Sollzhenjicin, “Anatomia e një krize financiare 2008-2018’ të autorit Adrian Civici, “Ditari i maces”, Shkëlzen Zalli, “Arti i bisedimeve”, të autorit Jakup Krasniqi, “Këngë të Solomonit”, të autorit Sadik Bejko, etj.
Pjesë e aktiviteteve të ditës së sotme të panairit është edhe takimi me studiuesin dhe shkrimtarin Nasho Jorgaqi.
Panairi i librit do të qëndrojë i hapur deri më 13 maj. Dita e fundit do të kurorëzojë me çmim 4 autorët më të mirë të vitit në një ceremoni organizuar për këtë rast.