20 Shtator, 2018 - 8:32 pm
Arbër Selmani
Ballafaqimi me të kaluarën edhe sot mbetet një prej sfidave kryesore në Ballkanin ku u përgjak gjithçka jo shumë kohë më parë. Aty ku sot zë vend optimizmi, dikur kanë zënë vend masakrat, lufta, gjenocidi dhe ideja për të shfarosur një popullsi të tërë. Në lojë ishin disa shtete, me figurat të cilat ose janë gjallë edhe sot dhe janë të angazhuara në politikë, ose me pasardhësit produkte të asaj kohe.
“Rishikimi i ballafaqimit me të kaluarën dhe drejtësinë tranzicionale në Ballkan” është konferenca e cila filloi sot në Prishtinë, duke dashur të fokusohet në procesin e ballafaqimit me të kaluarën dhe me plagët që sot ndikojnë te familjarët e viktimave por edhe faktin se shumë shpesh, janë po këto viktima që po përdoren për propagandë të panevojshme dhe më shumë se atyre, rëndësi po iu kushtohet agresorëve, kryerësve të krimeve.
Në ditën e hapjes, Muhamet Mala nga Fakulteti Filozofik në Universitetin e Prishtinës, tregoi për rëndësinë e konferencave të tilla.
“Njohja e mirë e historisë na bashkon, ndërsa keqinterpretimi i të kaluarës na ndan prej njëri tjetrit. Ka ardhur koha që në Ballkan të veprohet me anë të penës, e jo me anë të armës. Jam i lumtur për këtë konferencë pasi të tilla organizime ndihmojnë që popujt e Ballkanit ti sqarojnë mes vete paragjykimet, problemet dhe të kaluarën” tha Mala në fjalën e hapjes së konferencës tre ditore.
Konferenca që nisi sot e do të vazhdojë të premten e të shtunën mbledhë studiues nga fusha të ndryshme akademike dhe ekspertë të paradigmave të ndryshme tematike dhe teorike të cilët eksplorojnë qasjet e ballafaqimit me të kaluarën dhe të drejtësisë tranzicionale në shtetet që pasuan ish-Jugosllavinë dhe më gjerë.
Vjollca Krasniqi, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, ka treguar se një konferencë e tillë vjen në një kohë kur realiteti politik në Kosovë është në një fazë turbulente, ndërsa Nehar Sharri nga ForumZFD në Kosovë tregoi se konferenca është vazhdimësi e dy konferencave të tilla paraprake në Beograd e Sarajevë.
Anja Becky nga Ambasada Gjermane në Kosovë, mbështetës të konferencës, ka treguar se procesi për ballafaqimin me të kaluarën merr kohë, por shembull i mirë mbetet raporti Gjermani-Francë, marrë parasysh ngjarjet në retrospektivë mes dy shteteve.
“Në Gjermani tash e disa vite është me rëndësi të kuptohet e analizohet mirë e kaluara. Kjo ka ndodhur me anë të shkollimit, seminareve e shkëmbimeve me të rinjtë. Për Gjermaninë sot është prioritet një reflektim mbi të kaluarën. Ne mbi të gjitha besojmë se Bashkimi Evropian është një projekt për paqen dhe prandaj me ngadalësi duhet lëvizur drejt këtij reflektimi se çfarë ka ndodhur në të kaluarën dhe se si mund ta kthejmë atë në një fuqi për të sotmen” shtoi Becky.
Në hapje të konferencës kanë folur edhe Kuno Schlaefli nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe Gudrun Steinacker nga Shoqata e Evropës Juglindore.
Pasoi edhe ligjërata e Eric Gordy nga UCL në Londër, i cili foli më shumë rreth tribunaleve dhe kriminelëve të cilët si duket asnjëherë nuk e marrin dënimin e merituar në këtë pjesë të botës, në Ballkan.
Nesër, e premte, dhe të shtunën, panele dhe ligjërata të ndryshme vijnë në kuadër të konferencës e cila po mbahet në Fakultetin Filozofik, përballë Bibliotekës Kombëtare. Kollapsi i drejtësisë tranzicionale në Serbi, krimet e luftës në Kosovë dhe në Ballkan, projektet e ndryshme që ndihmojnë të mos harrohet e kaluara, gjykimet nëpër Tribunalin e Hagës dhe të tjera tema do të diskutohen në panelet dhe ligjëratat në konferencë.
Konferenca po organizohet nga Universiteti i Prishtinës dhe ForumZFD. Programin e plotë të ditës së dytë e të tretë e gjeni në fotografitë poshtë. / KultPlus.com