21 Qershor, 2018 - 10:00 am
Bashkia Kukës nisi dje rindërtimin e shtëpisë së poetit disident Havzi Nela.
Ceremonia e fillimit të punimeve u zhvillua në Kollovoz, në rrënojat e shtëpisë ku lindi dhe u rrit martiri Havzi Nela.
I pranishëm në këtë ceremoni, kryetari i bashkisë Bashkim Shehu, duke vlerësuar kontributin e Havzi Nelës në shërbim të vlerave më të larta të demokracisë tha se: “Rindërtimi i shtëpisë së Havzi Nelës është një vlerë e shtuar për Kukësin.
Shtëpia muze do të jetë e hapur për të gjithë banorët e Kukësit dhe jo vetëm, edhe për vizitorët e huaj dhe të gjithë ata që kanë dëshirë të njihen me jetën dhe veprën e Havzi Nelës. Kjo është një ditë e mirë për Kukësin”.
Rindërtimi i shtëpisë, të cilën bashkia Kukës do e kthejë në shtëpi muze, do të përfundojë në datën 10 gusht, datë e cila përkon me 30-vjetorin e ekzekutimit me varje të Havzi Nelës.
Bashkia Kukës në kuadër të 30-vjetorit, pak ditë më parë inauguroi bustin e poetit në bulevardin “Dituria”, pranë gjimnazit të Kukësit, i cili mban emrin e poetit. Në praninë e shumë intelektualëve të njohur të penës dhe artit u organizua dhe një ceremoni solemne dhe simpozium shkencor për Havzi Nelën, ndërsa në datën 10 gusht, është parashikuar peligrinazhi i shkrimtarëve dhe artistëve, jo vetem nga Shqipëria por edhe më gjerë, pranë varrit dhe shtëpisë muze të Havzi Nelës./ KultPlus.com