27 Korrik, 2020 - 11:27 pm
Xhon Loku dallonte qartësisht atë që ne mund ta dimë nga ajo për të cilën kemi vetëm një përvojë të pasigurt dhe subjektive. Duke bërë këtë, ai kërkonte të gjente një bazë konsensuale mbi të cilën të mundej të vendosej sa shkenca aq edhe shoqëria. Këtu janë themelet e teorisë moderne të njohjes, të shkencave të natyrës dhe të politikës:”Common sense”, liberalizëm dhe empirizëm.
Në teoritë e tij mbi marrëdhëniet midis pronës, punës dhe parasë, Loku del si një pararendës i ekonomisë politike moderne. Në shumë nga shkrimet e tij, Loku ka kërkuar të vendosë themelet e tolerancës fetare, duke formuluar një bazë mirëkuptimi midis besimeve të ndryshme të krishtera, një lloj krishterimi “minimal”, tek i cili do të mund të mermin pjesë të gjithë anglezët. Toleranca fetare është thelbësore për paqen e jetës në bashkësi.
Për Lokun është e sigurt vetëm nuhatja që e sigurojmë nëpërmjet vetes sonë, duke e lënë veten të priret nga ndijimi i shqisave. Vetëdija jonë mbushet me përmbajtje, “ide”, vetëm përmes rrugësh të tërthorta. Këto qëndrime themelore e bëjnë Lokun një empirist radikal, përfaqësuesin e parë të një empirizmi “me kulturë” të mendimit modem. Por ky empirizëm ka gjithashtu një anë “racionaliste” dhe karteziane: sepse edhe sikur asnjë përmbajtje e vetëdijes të mos jetë e bashkëlindur, megjithatë zotërojmë “nga natyra” aftësinë për “të menduar” mbi idetë që ne i kapim nëpërmjet shqisave të ndijimit, domethënë duke verifikuar cilësinë. Ne mësojmë përmes të menduarit të bëjmë ndryshimin midis “ideve të lëndës”, paraqitjeve të përbërësve të pavarur dhe “ideve të marrëdhënies”, që lidhen në kontaktin midis këtyre paraqitjeve.
Përfundimisht, mund të themi se njohja intuitive është ajo që na jep siguri; njohja demonstrative na tregon ekzistencën e Zotit dhe njohja shqisore na tregon se njerëzit dhe gjërat e tjera ekzistojnë, por vetëm atëherë kur ne i perceptojmë ato. Teoria morale dhe politike e Lokut. Fjala kyçe e etikës, e mirë, është plotësisht e kuptueshme, sepse kushdo e kupton se fjala e mirë përdoret për: ‘Gjërat që janë të mira ose të këqija vetëm në lidhje me gëzimin dhe hidhërimin. Pra ne quajmë të mirë atë që është e aftë të sjellë apo të rrisë kënaqësitë, ose të largojë dhimbjen…’. Disa lloj sjelljesh na sjellin kënaqësi, ndërkohë që disa të tjera na sjellin dhimbje. Morali ka të bëjë pra me zgjedhjen e së mirës e dëshirën për të. Si përcaktim më të plotë për etikën, Loku thoshte se ‘e mira morale dhe e keqja janë vetëm pajtim ose mospajtim i veprimeve tona të vullnetshme vetëm me disa ligje’. ‘Dhe ai flet për tre lloj ligjesh, ku përfshihen: ligji i opinioneve, ligji civil dhe ligji hyjnor. Ligji i opinioneve jep gjykimin e komunitetit për llojin e sjelljeve që do të çonin drejt lumturisë: përputhja me këtë ligj është quajtur virtyt, megjithëse është vënë re se komunitete të ndryshëm kanë ide të ndryshme për domethënien e virtytit. Ligji civil është krijuar nga shteti dhe është zbatuar nga gjykata. Ligji hyjnor, të cilin njeriu mund ta njohë si nëpërmjet arsyes së tij ashtu edhe nga kërkimet, është ligji i vërtetë i sjelljes njerëzore: ‘i cili i është dhënë njeriut nga Zoti për të qeverisur veten dhe unë mendoj’, thotë Loku, ‘që asnjëri nuk është kaq mosmirënjohës, sat a mohojë këtë’. Kështu që, në perspektivë, si ligji i përshtypjeve, ashtu edhe ligji civil, duhet të bëhet në përputhje me ligjin hyjnor, ‘kriterin e vërtetë të të drejtave morale’. Arsyeja e mospërputhjes ndërmjet këtyre tre ligjeve është sepse njeriu kurdoherë tenton të zgjedhë kënaqësinë e çastit në vend që të zgjedhë atë që ka vlerë të qëndrueshme.
John Locke (Xhon Loku) u lind më 29 gusht 1632 në Vrington, në rrethinat e Bristolit. Pasi ndoqi një formim klasik dhe filologjik në Westerminster School të Londrës.
Ka qenë një filozof dhe mjek britanik. Konsiderohet babai i liberalizmit klasik, i empirizmit modern dhe një nga paraprirësit më me ndikim të iluminizmit dhe kriticizmit. Ai vdiq më 28 tetor 1704 në vilën e fshatit Wuts, pranë Londrës, ku kishte kaluar vitet e fundit të jetës.
Albert Vataj /KultPlus.com