26 Dhjetor, 2023 - 2:53 pm
Në vitin 1912 u themelua revista e së dielës arbëreshe, “Fjala dhe t’in Zoti”, një revistë fetare e së dielës, por edhe një shkollë dhe vatër patriotizmi për shumë të rinj arbëreshë.
Kjo revistë u themelua nga studiuesi Pal Skiroi (Paolo Schirò) dhe shërbeu si një dritare informimi për arbëreshët e Siçilisë. Shumë prej albanologëve të kohës e përshëndetën dhe e pritën me interes shkencor botimin e “Fjala e T’in’Zoti”, imzot Skiroi mbajti një letërkëmbim me studiuesin dhe atdhetarët e kohës, Kristo Luarasi, Lumo Skëndo, Lef Nosi, at Shtjefën Gjeçovi, at Gjergj Fishta, dom Lazër Mjedja e shumë atdhetarë të tjerë të cilët e përkrahën këtë nismë.
Revista ka një meritë të jashtëzakonshme, sepse me të nis përpjekja për t’i pajisur arbëreshët e të krishterët me fletën e përjavshme të së dielës, që të merrnin pjesë gjallërisht, pra në mënyrë aktive në kremtimin e Sakramenteve.
“Fjala e T’in’ Zoti” ishte dhe një nxitje, një ndihmë e një mënyrë për përtëritjen dhe përforcimin e përdorimit të gjuhës së lashtë e të bukur shqipe, larg atdheut dhe përforcimin e identitetit edhe kombëtar./ atsh / KultPlus.com