21 Shtator, 2018 - 1:51 pm
Poshtë është fjala e poetit Lulzim Tafa me rastin e marrjes së Çmimit Ndërkombetar në Festivalin e Poezisë “Mihai Eminescu” në Rumani.
E nderuara Juri e Festvalit,
të dashur kolegë,
poetë e lexues të poezisë,
zonja e zotërinj!
E pranoj këtë çmim, duke qenë i nderuar me vendimin e kësaj Jurie të respektuar që këtë çmim të ndaj për mua. Poezi kam filluar të shkruaj si fëmijë, jam rritur me poezinë dhe po plakem me të. Unë gjithmonë i kam qendruar besnik poezisë. Në jetë kam bërë edhe punë të tjera, qoftë si profesor, por edhe punë menagjeriale çfarë është edhe pozita e Rektorit, por edhe aktivitete të fushës së të drejtave të njeriut dhe të mbrojtjes së kafshëve, por, duhet ta theksoj se edhe kur kam vepruar në fusha të tjera, unë gjithë jetën time kam frymuar si poet. Jam ndier poet dhe vazhdoj të jetoj si i tillë.
Ky çmim më bënë nderë mua dhe letërsisë që i takoj. Unë i takoj letërsisë së Kosovës, letërsisë shqipe të Kosovës. Administratorët e festivalit më thanë se unë këtu do të jem nën logon Shqipërisë, edhe kjo më bënë nderë, sepse letërisa shqipe është një dhe unë i takoj asaj letërsie. Vendi prej nga vij unë, pra Kosova, ka shumë poetë të mirë të cilët, po ashtu, me krijimtarinë e tyre janë të njohur për lexuesin në Evropë e më gjerë. Unë si fëmije e mësova misionin që ka një poet, pra jo vetëm për të bashkuar fjalë që kurrë më përpara nuk kanë qenë bashkë njëra me tjetërn, por edhe për t’i thënë gjërat bukur, njësoj si kur shkruan për dashurinë, gëzimin e jetën, njesoj si kur shkruan për trishtimin e vdekjen, e rëndësishme që ajo të thuhet bukur . Unë gjithmonë bëjë përpjekje që ta bëjë këtë, prandaj e vlerësoj shumë këtë çmim. Ky çmim më jep më shumë siguri.
Gjatë krijimtarisë sime më shumë se tridhjetë vjeçare, kam marr edhe çmime të tjera, madje çmimin e fundit e kam marr nga komuniteti malazez, një komunitet pakicë që jeton i respektuar në vendin tim, në motivacionin e çmimit të tyre, që e mbanë po ashtu emrin e njërit prej shkrimtarëve më të njohur të letërsisë së Malit të Zi, përveç motivit letrar ata kishin futur edhe angazhimin tim për paqe dhe afirmim të të drejtave të pakicave, dhe kjo më gëzoj, po aq sa edhe motivacion për letërsi.
Vendi im para pak vitesh ka dalë nga një luftë e përgjakshme. Unë edhe atëherë kam qenë poet, kam shkruar për lirinë dhe paqen. Një ditë një konvoj militarësh erdhën dhe dogjën shtëpinë time, edhe pse unë nuk isha luftëtar, unë isha poet. Ma dogjën biblotekën, librat, dorëshkrimet, fotografitë, kujtimet. Secili prej jush e di çdo të thotë për një poet t’i digjen dorëshkrimet, t’i digjen librat. Unë shkruaja për lirinë, ata që m’i dogjën librat një ditë ikën nga vendi im, ndërsa unë vazhdova të shkruaj përseri për lirinë dhe paqen. Këtë e bëj edhe sot.
Fatkeqësisht shumë shkrimtarë të ballkanit në kohën e luftës u bënë krah i politikës. Në vend që të punonin për paqe ata i fryenin zjarrit të luftës. Ndodhi që një poet nga Ballkani të gjykohet dhe dënohet për krime kundër njerzimit në një Gjykatë Ndërkombëtare. U Gjykua dhe u dënua sepse ra në kundërshtim me vlerat e njerëzimit, në kundërshtim edhe me vlerat që ka letërsia.
Unë sot krijoj dhe punoj për të promovuar këto vlera qoftë si poet, qoftë edhe si një jurist, loboj që të kemi ligje më të mira që mbrojnë dhe avancojnë jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të kafshëve dhe të gjitha krijesave të Zotit në planetin tonë, edhe pse kjo në Ballkan nuk është e lehtë. Shpeshherë edhe jam paragjykuar.
Pse është i rëndësishmë ky çmim për mua ?
E para sepse e ndanë një juri kaq kompetente, e dyta sepse më jepët në njërin prej festivaleve më të rëndësishme që mbahen në kontinenentin tonë, pastaj sepse e mban emrin e Mihajl Emineskut, kolosit të madh jo vetëm të letërsisë rumune, por edhe të letërsisë botërore, ngase është e vërtetë se ne u takojmë letërsive që përfaqësojmë, por vlerat që përfaqëson letërsia janë universale. Ky festival ka shume vlera.
Ju Faleminderit
Lulzim Tafa