Fjalët fundit të Lasgushit për dashurinë e jetës së tij

2 Gusht, 2018 - 9:28 pm

“Më fal Nafija ime, më fal” dhe më pas i puthte ballin, faqet, buzët, duart, trupin, çdo gjë”, kështu e përshkruajnë të bijat, Konstadina dhe Marija reagimin e Lasgush Pogradecit, kur vdiq e ëma e tyre Nafija, shkruan KultPlus.

Dashuria në mes të Nafije Mema Pogradecit dhe Lasgush Pogradecit, ka qenë një dashuri e veçantë. Këtë e dallojmë edhe përmes letrave që Lasgushi i ka shkruar për Nafijen.

Mirëpo vajzat e tyre Konstadina dhe Marija kanë më shumë se letrat e shkruar, ato kanë kujtimet për prindërit e tyre dhe për dashurinë që kishin ndaj njëri tjetrin,

Kështu ato kanë mbledhur shënime që ata kanë lënë por edhe kujtimet e tyre për t’i sjelle në “ L. Poradeci Vepra III, “Shqipja, ditar, korrespondence”.

Më poshtë mund të lexoni të plotë përshkrimin e momentit kur Nafije Mema Pogradeci ndërron jetë:

Kur Nafija mbylli sytë më 3 gusht 1983 në Pogradec, Lasgushi i rënë në gjunjë para saj, i mbushur me lot, pëshpëriste me zë të dridhur e me sy të humbur: “më fal Nafija ime, më fal” dhe më pas i puthte ballin, faqet, buzët, duart, trupin, çdo gjë.

Ne e dinim, e ndjenim në qenien tonë, që ajo e kishte falur, e tani e priste atje lart duke e dashur si gjithmonë. Kjo pamje ishte aq e dhimbshme sa e pabesueshme për një njeri si ai që kish jetuar tërë jetën me kokën lart, pa iu përkulur kërkujt, madje as regjimit.

Lotët tona bashkoheshin me lotët e tij, dhimbja jonë bashkohej me dhimbjen e tij duke krijuar kështu një lumë dhimbjesh për atë njeri engjëll.

Kur arkivoli ish vendosur në buzë të varrit, pas ceremonive të rastit nga seksioni i arsimit të rrethit Pogradec, ai u përkul, puthi arkivolin e bëri kryqin mbi të.

Në drekën mortore, ne vajzat i thamë: “Baba, si e bëre kryqin mbi arkivolin e mamit, feja është e ndaluar?

E ai i humbur në pikëllimin e tij u përgjigj: “Më lini! Unë sot kam dhimbje, politika në dhimbje është falsitet!”.

Edhe në këtë ndarje të përkohshme fizike, babai në heshtje apo në mërmëritje të thella shpirtërore, në meditime të gjata, e kishte me vete Nafijen, fliste, bisedonte e kërkonte e thoshte: “Ishte aq e mirë, nuk ma prishi kurrë!”.

E kështu kaluan katër vjet deri sa i shkoi pranë më 12 nëntor 1987 për të mos u ndarë më kurrë.

L. Poradeci Vepra III, “Shqipja, ditar, korespondence”, përgatitur nga vajzat Kostandina dhe Marie Gusho./KultPlus.com

Të ngjajshme