23 Mars, 2021 - 1:30 pm
Nga Aurenc Bebja
“La Tribune de la Gironde” ka botuar, të martën e 28 dhe të mërkurën e 29 gushtit 1849, në faqet n°2, fjalimin mbresëlënës të Victor Hugo, të mbajtur me rastin e Kongresit të Paqes në Paris, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Ne riprodhojmë në mënyrë të plotë fjalimin tepër të veçantë që Victor Hugo mbajti në hapjen e seancës së Kongresit të Paqes. Duke ndjekur oratorin e shquar në investigimin e tij inteligjent të së ardhmes, mendja pushon për fat të mirë nga e gjithë dhuna budallaqe e reagimeve:
Zotërinj,
Shumë prej jush vijnë nga skajet e largëta të globit, me zemra plot mendime fetare dhe të shenjta. Ju numëroni në radhët tuaja publicistë, filozofë, ministra të kulteve të krishtera, shkrimtarë të shquar, disa nga këta njerëz të konsiderueshëm, këta njerëz publik dhe të njohur që janë dritat e kombit të tyre. Ju donit të dilnit nga Parisi me deklaratat e këtij takimi të mendjeve të bindura dhe serioze, të cilët jo vetëm që duan të mirën e një populli, por që duan të mirën e të gjithë njerëzve. Ju shtoni një parim më të lartë në parimet që qeverisin sot burrat e shtetit, drejtuesit dhe ligjvënësit. Ju vini në një mënyrë që të ktheni faqen e fundit dhe më të rëndësishmen e Ungjillit, atë që u imponon paqe fëmijëve të të njëjtit Zot dhe në këtë qytet që ende ka dekretuar vetëm vëllazërinë e qytetarëve, ju vini të shpallni vëllazërinë të njerëzve.
Mirësevini!
Në prani të një mendimi të tillë dhe një akti të tillë, nuk mund të ketë vend për falënderime personale.
Më lejoni pra, në fjalët e para që prononcoj para jush, të ngre vështrimin më lart se vetja, dhe të harroj, në një farë mënyre, nderin e madh që më keni bërë, të mendoj vetëm për gjënë e madhe që ju dëshironi të bëni.
Zotërinj, ky mendim fetar, paqja universale, të gjitha kombet e lidhura së bashku nga një nyje (pikë) e përbashkët, Ungjilli si ligj suprem, ndërmjetësimi si zëvendësues i luftës, a është ky mendim fetar një mendim praktik ? A është kjo ide e shenjtë një ide e realizueshme?
Shumë mendje pozitive, siç thonë sot, shumë politikanë që kanë kaluar kohë në menaxhimin e çështjeve (aferave), përgjigjen : jo ! Unë, përgjigjem me ju, përgjigjem pa hezitim, përgjigjem : po ! dhe do të përpiqem ta provoj pak më vonë.
Unë shkoj më tej; Unë nuk them vetëm : është një qëllim i arritshëm; Unë them: është një qëllim i pashmangshëm; mund të vonohet ose të shpejtohet. Kjo është e gjitha.
Ligji i botës nuk është dhe nuk mund të dallohet nga ligji i Zotit. Pra, ligji i Zotit nuk është lufta, por paqja. Njerëzit filluan me luftën, si krijimi përmes kaosit. Nga vijnë ata? Nga lufta; kjo është e qartë. Po ku po shkojnë? Drejt paqes; kjo nuk është më pak evidente.
Kur pohoni këto të vërteta të larta, është mjaft e thjeshtë që pohimi juaj të takojë mohimin; është mjaft e thjeshtë që besimi juaj të takohet me mosbesimin: është mjaft e thjeshtë që në këtë orë të telasheve tona dhe të zemërimeve tona, ideja e paqes universale befason dhe trondit pothuajse si pamja e së pamundurës dhe idealit; është shumë e lehtë të bërtasim utopinë ; dhe, nga ana ime, si një punëtor i përulur dhe i errët në veprën e madhe të shekullit të nëntëmbëdhjetë, e pranoj këtë rezistencë nga shpirtrat pa më befasuar ose dekurajuar. A është e mundur që ju të mos ktheni kokën dhe të mbyllni sytë në një lloj verbimi, kur, në mes të territ që ende varet (peshon) mbi ne, të hapni papritur derën rrezatuese të së ardhmes?
Zotërinj, nëse dikush, katër shekuj më parë, në kohën kur ekzistonte lufta nga komuna në komunë, nga qyteti në qytet, nga krahina në krahinë, nëse dikush do t’u kishte thënë Lorraine (Lorrenës), Picardie (Pikardisë), Normandie (Normandisë), Bretagne (Bretanjës), Auvergne (Overnjës), Provence (Provonsës), Dauphiné (Dofinesë), Bourgogne (Burgonjës):
Do të vijë një ditë kur nuk do të bëni luftë me njeri-tjetrin; do të vijë një ditë kur ju nuk do të ngrini më armët kundër njëri-tjetrit; do të vijë një ditë kur nuk do t’ju thuhet më: Normands (normanët) sulmuan Picards (pikardët), Lorrains (lorrenët) i kthyen prapa Bourguignons (burginjonët). Ju do të keni akoma mosmarrëveshje për të zgjidhur, interesa për të diskutuar, kontestime për të zgjidhur; por a e dini se çfarë do të vendosni në vend të ushtarëve; a e dini se çfarë do të vendosni në vend të këmbësorisë dhe kalorësisë, topave, fajkojve, shtizave, shigjetave, shpatave ? Do të vendosni një kuti të vogël prej bredhi që do ta quani kutia e votimit dhe çfarë do të dalë nga kjo kuti? Një Asamble në të cilën të gjithë do të ndjeni se po jetoni, një Asamble e cila do të jetë si shpirti juaj për të gjithë, një Këshill i Popullit Sovran që do të vendosë, i cili do të gjykojë, i cili do të zgjidhë gjithçka në ligj, e cila do të rrëzojë shpatën nga të gjitha duart dhe do të ngrejë drejtësinë nga të gjitha zemrat. Këtu mbaron drejtësia juaj, aty fillon detyra juaj. Poshtë armët! Rroftë paqja!
Dhe atë ditë do të ndjeni një mendim të përbashkët, interesa të përbashkëta, një fat të përbashkët; do të përqafoni njëri-tjetrin, do ta njihni veten si bij të të njëjtit gjak dhe të së njëjtës racë; atë ditë nuk do të jeni më një fis armik, do të jeni një popull; nuk do të jeni më Burgonja, Normandia, Bretanja, Provensa, do të jeni Franca. Ju nuk do të quheni më luftë, do të quheni civilizim!
Nëse dikush do ta kishte thënë në atë epokë, zotërinj, të gjithë njerëzit seriozë dhe pozitivë, të gjithë njerëzit e mençur, të gjithë politikanët e mëdhenj atëherë kishin thirrur : “Oh, ëndërrimtari ! Oh ! ëndrra e zbrazët ! Sa pak di ky njeri për njerëzimin! Ja një çmenduri e çuditshme dhe një mit (legjendë) absurd!” – Zotërinj, koha ka ecur, dhe rezulton se kjo ëndërr, kjo çmenduri, ky mit (kjo legjendë), është realitet.
Dhe unë këmbëngul në këtë: njeriu që e kishte bërë këtë profeci sublime do të ishte shpallur i çmendur nga të urtët (të mençurit), meqë kishte dalluar planet e Zotit!
Ja, pra! ju thoni sot, dhe unë jam një nga ata që them me të gjithë ju, ne që jemi këtu, ne i themi Francës, Anglisë, Prusisë, Austrisë, Spanjës, Italisë, Rusisë, ne u themi atyre:
Do të vijë një ditë kur edhe armët do të bien nga duart tuaja; do të vijë një ditë kur lufta do të duket kaq absurde dhe do të jetë aq e pamundur midis Parisit dhe Londrës, midis Shën Petersburgut dhe Berlinit, midis Vjenës dhe Torinos, ashtu siç do të ishte e pamundur dhe absurde sot midis Romës dhe Amiens-it, midis Bostonit dhe Filadelfias.
Një ditë do të vijë për ju Francë, ju Rusi, ju Itali, ju Angli, ju Gjermani, ju të gjithë kombet e kontinentit, pa humbur cilësitë tuaja të dallueshme dhe individualitetin tuaj të lavdishëm, ju do të bashkoheni në një unitet më të lartë dhe do të krijoni vëllazërinë evropiane, absolutisht si Normandie (Normandia), Bretagne (Bretanja), Bourgogne (Burgonja), Lorraine (Lorrena), Alsace (Alzasa): të gjitha këto provinca janë bashkuar në Francën.
Do të vijë një ditë kur nuk do të ketë më fushëbeteja por tregje të hapura për tregti dhe mendje të hapura për ide.
Do të vijë një ditë kur gjylet e topave dhe bombat do të zëvendësohen nga votat, nga votimi universal i popujve, nga arbitrimi i nderuar i një senati të madh sovran, i cili do të jetë për Evropën ashtu siç është Parlamenti për Anglinë, Dieta për Gjermaninë, Asambleja Legjislative për Francën!
Do të vijë një ditë kur një top do të shfaqet në muze ashtu siç tregohet sot një instrument torture, dhe do të çuditemi se çfarë mund të ketë qenë!
Do të vijë një ditë kur do të shohim këto dy grupe të jashtëzakonshme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shtetet e Bashkuara të Evropës, të përballen me njëra-tjetrën, duke shtrirë duart mbi detet, duke shkëmbyer produktet e tyre, tregtinë e tyre, industrinë e tyre, artet e tyre, gjenitë e tyre, duke pastruar globin, kolonizuar shkretëtirat, duke përmirësuar krijimin nën vështrimin e Krijuesit dhe duke u kombinuar së bashku, për të nxjerrë mirëqenien e të gjithëve, të këtyre dy forcave të pafund, vëllazërinë e njerëzve dhe fuqinë e Zotit!
Dhe kjo ditë, nuk do të duhen katërqind vjet për ta sjellë atë, sepse ne po jetojmë në rrymën më të vrullshme të ngjarjeve dhe ideve që ka mbartur ende njerëzimin, dhe, në kohën që po jetojmë, një vit bën ndonjëherë punën e një shekulli.
Dhe francezë, anglezë, belgë, gjermanë, rusë, sllavë, evropianë, amerikanë, çfarë duhet të bëjmë për të arritur në këtë ditë të madhe sa më shpejt të jetë e mundur? Të duhemi!
Të duhemi! në këtë vepër të pamasë paqësimi, kjo është mënyra më e mirë për të ndihmuar Zotin!
Sepse Zoti e dëshiron këtë qëllim sublim ! Dhe shikoni, për ta arritur, çfarë ndodh në të gjitha anët ? Shikoni sa nga zbulimi, ai nxjerr gjeniun njerëzor, të gjitha këto shkojnë drejt këtij qëllimi, paqes ! Çfarë përparimi ! çfarë thjeshtësimesh ! Ashtu si natyra zbutet gjithnjë e më shumë nga njeriu! Ashtu si lënda bëhet gjithnjë e më shumë skllave e inteligjencës dhe shërbëtore e civilizimit ! Ashtu si zhduken shkaqet e luftës me shkaqet e vuajtjeve! Ashtu si popujt e largët afrohen me njëri-tjetrin! ashtu si afrohen distancat! Dhe bashkimi është fillimi i vëllazërisë.
Falë hekurudhave, Evropa së shpejti nuk do të jetë më e madhe se sa Franca ishte në Mesjetë! Falë anijeve me avull (avulloreve), ne tani kalojmë oqeanin më lehtë sesa dikur kalonim Mesdheun! Shumë shpejt njeriu do të ecë në tokë ashtu si perënditë e Homerit enden në qiell, në tre hapa. Edhe disa vjet, dhe telat elektrikë të pajtimit do të rrethojnë globin dhe do të përqafojnë botën!
Këtu, zotërinj, kur unë thelloj këtë tërësi të përbashkët, në këtë garë të madhe përpjekjesh dhe ngjarjesh, të gjitha të shënuara me gishtin e Zotit; kur mendoj për këtë qëllim madhështor, mirëqenien e njerëzve, paqen; kur marr parasysh atë që bën Providenca dhe atë që bën politika kundër, një reflektim i dhimbshëm më vjen në mendje.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Rezulton nga statistikat dhe buxhetet krahasuese, që kombet evropiane shpenzojnë çdo vit, për mirëmbajtjen e ushtrive të tyre, një shumë që nuk është më pak se dy miliardë dhe e cila, nëse i shtojmë mirëmbajtjen e materialeve të institucioneve të luftës, arrin në tre miliardë. I shtojmë asaj përsëri produktin e humbur nga ditët e punës së më shumë se dy milion burrave, më të shëndetshmit, më të fuqishmit, më të rinjtë, elita e popullsisë, një produkt që nuk mund ta vlerësosh për më pak se një miliard, dhe arrijmë në rezultatin që ushtritë i kushtojnë Evropës katër miliardë në vit. Zotërinj, paqja ka zgjatur tridhjetë e dy vjet dhe për tridhjetë e dy vjet shuma monstruoze prej njëqind e njëzet e tetë miliardësh është shpenzuar gjatë paqes për luftën ! Supozoni që popujt e Evropës, në vend se të sfindonin, xhelozonin apo të urrenin njëri-tjetrin, të kishin dashur njëri-tjetrin; të supozojmë se t’i kishin thënë vetes se para se të jenë francezë, anglezë ose gjermanë, jemi njerëz, dhe se nëse kombet janë atdhe, njerëzimi është një familje; dhe tani ajo shumë prej njëqind e njëzet e tetë miliardësh, kaq pa mend dhe kaq kot e shpenzuar për mosbesim, ta shpenzojmë për besimin! Këto njëqind e njëzet e tetë miliardë të dhëna urrejtjes, t’ia japim dashurisë! këto njëqind e njëzet e tetë miliardë të dhëna luftës, t’i jepen paqes! T’i jepen punës, inteligjencës, industrisë, tregtisë, navigimit, bujqësisë, shkencave, arteve dhe imagjinoni rezultatin!
Nëse, për tridhjetë e dy vjet, kjo shumë gjigante prej njëqind e njëzet e tetë miliardësh do të ishte shpenzuar në këtë mënyrë, Amerika, në anën e saj, duke ndihmuar Evropën, e dini çfarë do të kishte ndodhur? Fytyra e botës do të ndryshohej! nyjet do të ishin prerë, lumenjtë do të ishin gërmuar, malet do të shpoheshin, hekurudhat do të kishin mbuluar dy kontinentet, marina tregtare e globit do të ishte rritur njëqindfish, nuk do të kishte më lande, djerre, moçale; do të ndërtoheshin qytete ku ka akoma vetëm vetmi; portet do të gërmoheshin aty ku ka akoma vetëm gracka; Azia do të kthehej në civilizim, Afrika do t’i kthehej njeriut, pasuria do të buronte nga të gjitha anët, nga të gjitha venat e globit, nën punën e të gjithë njerëzve dhe mjerimi do të zhdukej! Dhe e dini se çfarë do të zbehen me mjerimin? Revolucionet. Po, fytyra e botës do të ndryshohej! Në vend që të shkatërronim njëri-tjetrin, ne do të përhapeshim paqësisht mbi univers! Në vend që të bënim revolucione, ne do të bënim koloni! Në vend që të sillnim barbarizëm në civilizim, ne do të sillnim civilizim në barbarizëm!
Shikoni, zotërinj, në çfarë verbërie, preokupimi për luftën i hedh kombet dhe sundimtarët : nëse njëqind e njëzet e tetë miliardë që i dha Evropa për tridhjetë e dy vjet luftës që nuk ekzistonte, do t’i jepeshin paqes që ekzistonte, le ta themi atë, dhe le ta themi me zë të lartë, ne nuk do të kishim parë asgjë në Evropë nga ajo që po shohim për momentin; kontinenti, në vend që të ishte një fushë beteje, do të ishte një atelier dhe në vend të këtij spektakli të dhimbshëm dhe të tmerrshëm, Piemonti i dëshpëruar, Roma, qyteti i përjetshëm, i dhënë pas lëkundjeve të mjerueshme të politikës njerëzore; Venecia, që debaton heroikisht, Hungaria fisnike që ngrihet; Franca e shqetësuar, e varfëruar dhe e zymtë; mjerimi, zia, lufta civile, errësira mbi të ardhmen; në vend të këtij spektakli të lig, do të kishim para syve tonë shpresën, gëzimin, dashamirësinë, përpjekjen e të gjithëve drejt mirëqenies së përbashkët dhe do të shihnim kudo që dilnin nga civilizimi në punë rrezatimin madhështor të harmonisë universale.
Diçka e denjë për meditim! Ishin masat tona paraprake kundër luftës ato që sollën revolucionet. Bëmë gjithçka, shpenzuam gjithçka kundër rrezikut imagjinar! Kështu e përkeqësuam mjerimin, i cili ishte rreziku i vërtetë! Ne jemi fortifikuar kundër një rreziku imagjinar; i kthyem sytë nga ana ku nuk ishte pika e zezë: pamë luftërat që nuk erdhën dhe nuk pamë revolucionet që po vinin!
Zotërinj, të mos dëshpërohemi sidoqoftë. Përkundrazi, le të shpresojmë më shumë se kurrë! Le të mos lejojmë që të trembemi nga trazira të çastit, goditjet e nevojshme mbase të lindjes së madhe. Le të mos jemi të padrejtë me kohët në të cilat jetojmë, të mos e shohim kohën tonë si diçka tjetër nga sa është. Në fund të fundit, kjo është një kohë e mrekullueshme dhe shekulli XIX-të do të jetë, le ta themi troç, faqja më e madhe e Historisë.
Siç ju kujtova më herët, i gjithë progresi është zbuluar dhe manifestuar në të njëjtën kohë, njëri sjell tjetrin : rënia e armiqësive ndërkombëtare, fshirja e kufijve në hartë dhe paragjykimet në zemra, prirja për unitet, zbutja e zakoneve, ngritja e nivelit të arsimit dhe ulja e nivelit të dënimeve, dominimi i gjuhëve më letrare, domethënë më njerëzorja, gjithçka lëviz në të njëjtën kohë, ekonomia politike, shkenca, industria, filozofia, legjislacioni, dhe konvergojnë në të njëjtin qëllim, krijimin e mirëqenies dhe dashamirësisë, që do të thotë, dhe ky nga ana ime është qëllimi për të cilin do të përpiqem gjithmonë, zhdukja e varfërisë brenda, zhdukja e luftës jashtë.
Po, epoka e revolucioneve po mbyllet, epoka e përmirësimeve fillon. Përmirësimi i popujve lë formën e dhunshme për të marrë formën paqësore; ka ardhur koha kur Providenca do të zëvendësojë veprimin e çrregullt të agjitatorëve me veprimin fetar dhe të qetë të paqebërësve.
Që këtej e tutje, qëllimi i politikës së madhe, i politikës së vërtetë, është ky : Të njohim të gjitha kombësitë, të rivendosim unitetin historik të popujve dhe ta bashkojmë këtë unitet në civilizim përmes paqes, për të zgjeruar vazhdimisht grupin e civilizuar, t’i japim shembullin e mirë popujve ende barbarë, zëvendësimin e betejave me arbitrazhet, së fundmi, dhe kjo i përmbledh të gjitha, të prononcojmë nëpërmjet drejtësisë fjalën e fundit që bota e vjetër shqiptonte nëpërmjet forcës.
Zotërinj, po e them në mbyllje, dhe le të na inkurajojë ky mendim, nuk është nga sot që njerëzimi po ecën në këtë rrugë providenciale. Në Evropën tonë të vjetër, Anglia bëri hapin e parë dhe, me shembullin e saj shekullor, ajo u tha popujve : “Ju jeni të lirë !” Franca ndërmori hapin e dytë dhe ajo i tha popullit : “Ju jeni sovran !”
Tani le të hedhim hapin e tretë, dhe të gjithë së bashku, Franca, Anglia, Belgjika, Gjermania, Italia, Evropa, Amerika, le t’u themi popujve : “Ju jeni vëllezër!”