12 Korrik, 2019 - 10:19 pm
Ka mjaftuar një deklaratë e historianit të njohur Jusuf Buxhovi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që të ngjallen reagime të shumta.
“UÇK-ja nuk ka qenë e pastër. Ka qenë e drejtë, por ka pasur shumë gjëra të këqija. Janë vrarë mbi 100 zyrtarë të LDK-së”, ishte kjo deklarata e Buxhovit, e thënë mbrëmë në “Rubikon”, që shkaktoi reagime të shumta në opinion.
Me kritika ndaj Buxhovit, është shprehur fillimisht zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik dhe anëtari i PDK-së, Gani Koci, i cili ka thënë se lufta e UÇK-së është dashur të spastrojë “mbeturina të sojit të buxhovëve”.
Edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka reaguar ndaj Buxhovit, duke thënë se lufta e Çlirimtare e Kosovës ishte e pastër si loti dhe se ajo luftë e fitoi mbështetjen ndërkombëtare.
“Është më shumë se e turpshme kur akuzat e ndonjë “intelektuali” shqipfolës sot puqen në plotëni me gënjeshtrat serbe. Populli ynë thotë: “Turpi nuk hahet me bukë””, ka deklaruar mes tjerash ai.
Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, ka kërkuar më shumë shpjegime nga një ndër themeluesit e LDK-së, rreth deklaratës së tij.
“Nuk e njoh shumë Buxhovin, por e njoh si njërin nga themeluesit e LDK-së. Konteksti ose vrasja nëse ka ndodhë duhet me shpjegua se çka nënkupton. Ka krime të pasluftës, ai është mirë me i shpjegua se si ka ndodhë. Por, edhe nëse flet për luftë është mirë me shpjegus se si kanë ndodhë”, ka deklaruar Haradinaj.
E për të gjitha këto reagime, ka komentuar vet historian Jusuf Buxhovi në një prononcim për gazetën “Bota sot”. Ai ka deklaruar se mbetet në qëndrimet e tij publike, të bëra mbrëmë në KTV.
Ndërsa, për kritikuesit, ai ka thënë se nuk do të merret me të tillët dhe thashethemet e tyre që i duhen kuzhinës orvelliane.
“Unë nuk do të merrem me të tillët dhe thashethemet e tyre që i duhen kuzhinës orvelliane. Kam folur publikisht dhe mbetëm te ato qëndrime”, ka thënë Buxhovi.
Ai ka kërkuar edhe nga mediat, që kenë kujdes me bartjen e informatave dhe të mos bien pre e fenomenit të inskenimit të atmosferës linçuese, siç ndodhi sot, sipas tij, edhe nga zëvendësministri Koci, që përmendi likuidimin.