7 Janar, 2025 - 5:28 pm
Konkursi për Çmimin Kadare mirëpret vepra nga letërsia artistike ku përfshihen tregime, novela, skica, romane e dramaturgji. Aplikimet mbyllen në fund të javës së dytë të muajit janar 2025.
Edicioni i njëmbëdhjetë i Çmimit Letrar Kadare ka regjistruar që në nisje prurje të lartë aplikimesh. Dy javë pas çeljes së konkursit kanë mbërritur në adresën e emalit 22 autorë me sinopset e veprave të tyre. Spikatin kryesisht romanet e tregimet, por nuk mungojnë novelat dhe dramat.
Tradita e krijuar në dekadën e parë të jetës së këtij çmimi manifestohet qartë nga aplikimet mjaft interesantë të këtij edicioni. Mes konkurrentëve të deritanishëm ka emra të njohur të letërsisë; ka emra të rinj që vijnë me sprovat e para; ka një numër të lartë autoresh gra; vihet re, gjithashtu, një numër në rritje i shkrimtarëve nga Kosova.
Edicioni i 11-të i Çmimit Kadare vjen me një risi sa i takon jurisë që do të vlerësojë dhe përzgjedhë veprën e autorin fitues: ajo do të përbehet nga tre autorë fitues të Çmimit Kadare ndër vite.
Juria e Çmimit Kadare 2025 përbëhet nga kryetarja Vera Bekteshi dhe anëtarët Loer Kume e Dionis Prifti, si përfaqësues të tre brezave të ndryshëm të letërsisë moderne shqipe. Takimin e parë ata e zhvilluan më 23 dhjetor 2024, në çelje të këtij edicioni, ndërsa do të mblidhet sërish pas mbylljes së fazës së aplikmeve, në mes të muajit janar. Pas kësaj juria do të bëjë vlerësimin duke përzgjedhur pesë dorëshkrimet më të mira. Në javën e tretë të muajit shkurt, gjatë aktivitetit “Shkolla Dimërore e Humaniteteve”, që mbahet në Llogora, do të shpallet fituesi për vitin 2025.
Konkursi për Çmimin Kadare mirëpret vepra nga letërsia artistike ku përfshihen tregime, novela, skica, romane e dramaturgji deri në fund të javës së dytë të janarit 2025. Të gjithë të interesuarit duhet të nisin sinposin dhe një ekstrakt prej jo më pak se 15 faqesh të dorëshkrimit në adresën e dedikuar të e-mailit: [email protected]
Vlera totale e këtij çmimi vlerësohet të jetë 10 mijë euro ku krahas pjesës monetare, fituesit i sigurohet botimi i veprës nga shtëpia botuese UET PRESS dhe promovimi i saj përmes turesh e takimesh me lexuesit në të gjithë Shqipërinë.
Prej vitit 2014, kur edhe u themelua Çmimi Letrar Kadare, nga Instituti Europian Pashko, kanë konkurruar më shumë se 400 vepra në prozë, të pabotuara më parë, duke e shndërruar kështu në një nxitje të rëndësishme krijimtarie për shkrimtarët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut.
Fituesit ndër vite janë: Rudolf Marku me romanin e tij “Tre divorcet e zotit Viktor N.” (2015); Shkëlqim Çela me përmbledhjen me tregime “Embriologji” (2016); Virgjil Muçi me “Piramida e Shpirtrave” (2017); autori nga Kosova Musa Ramadani me “Profeti nga Praga” (2018); Loer Kume me “Amigdala Mandala” (2019); Gani Mehmetaj, një tjetër autor nga Kosova, me romanin “Zogjtë e Qyqes” (2021); shkrimtarja Vera Bekteshi me romanin “Pusulla të Verdha” (2022); poetja e re nga Maqedonia e Veriut, Nurie Emrullai, me romanin “Duhet të jetë dashuri” (2023); prozatori i ri Dionis Prifti me romanin “Dy javë nën balonë” (2024). /Liberale.al/ KultPlus.com