Fluks vizitash në Shtëpinë Kadare, ditën e lindjes së gjeniut të letrave shqipe

28 Janar, 2025 - 10:00 pm

Në ditën e lindjes të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, në shtëpinë e tij, tashmë të transformuar në muze, ka patur vizitorë të shumtë.

Drejtoresha e Shtëpive-Studio Kadare-Agolli, Anisa Ymeri, tha për ATSH-në se dita e sotme ishte planifikuar të ishte një ditë e hapur për vizita nxënësish nga shkollat e të gjithë vendit.

Vizitat kanë nisur që në orën 9 të mëngjesit dhe përveç nxënësve të shkollave, interes kanë treguar edhe klube libri apo fëmijë të vegjël të sistemit parashkollor të cilët kanë parë ekspozitën e rrallë me dorëshkrime dhe letërkëmbime të Kadaresë në shtëpinë e tij.

Deri në mesditë, ekspozita e hapur këtë fillim janari ishte vizituar prej 1115 personash, ndërkohë drejtoresha Anisa Ymeri tha se ka ende vizita të planifikuara për ditën e sotme.

Për efekt organizimi, vizitat në grup janë kryesisht me prenotim. Gjatë ditës së sotme në Shtëpinë-Studio Kadare ishin grupe nga gjimnazi “Partizani”, klubi i librit të Bibliotekës së Rrogozhinës, gjimnazi “Çajupi”, nga shkolla “E kuqe”, shkolla “14 Nëntori”, Durrës etj.

Vetëm për ditëlindjen e gjeniut të letrave shqipe, shtëpia e tij në Tiranë u vizitua prej më shumë se 120 persona./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme